Tatimet dhe doganat, me “pushime”, zbrazet buxheti

Korriku

Keq me planin, -2.3%, si 7-mujor, 130 mln USD më pak

ARD KOLA

tatimetAs muaji korrik nuk ka mundur t’i japë frymëmarrje arkës së shtetit. Është periudha më e nxehtë e vitit, me bum turistësh, me aktivitete që gjallërohen, etj., por me sa duket, administrata tatimore dhe doganat kanë shkuar me “pushime të parakohshme”, duke lënë evazionin dhe informalitetin të lulëzojnë në çdo cep të vendit.

Mjafton të shikosh ofrimin e shërbimit apo të mallit, të pashoqëruar me faturë tatimore, dhe kjo ndodh mu në mes të Tiranës. Rezultati duket qartë. Shteti po vidhet në mes të ditës dhe tashmë, si 7-mujor, nga tatimet dhe doganat kemi një raportim se buxhetit i mungojnë jo pak, por 130 milionë dollarë.

Këtu nuk janë përfshirë zërat e tjerë të totalit të të ardhurave, duke nënkuptuar se gjendja pritet të jetë edhe më dramatike me financat e vendit.

Gazeta disponon procesverbalin me pasqyrat e të dhënave për administratën tatimore dhe atë doganore, si për muajin korrik, ashtu dhe 7-mujorin, nga ku vihet re një mungesë e plotë e performancës, si në plan, ashtu dhe në raport me një vit më parë.

Në muajin korrik, periudha ku përdorimi i parasë është masive, çuditërisht shikohet se kemi rënie të të ardhurave. Në total, kemi 6 milionë dollarë më pak me planin, ose 2.3 për qind mangët (në total janë mbledhur 260 milionë dollarë). Këtu, performancën më të dobët e kanë doganat, me minus 8 milionë dollarë, kurse tatimet paraqiten me plus 2.2 milionë dollarë, por në raport me vitin e kaluar, kemi një ndërrim pozicionesh, pasi administrata tatimore rezulton me rreth 9 milionë dollarë më pak (gjithnjë për muajin korrik).

Ministria e Financave thotë se përveç birrës, artikujt e tjerë si karburante, kafe dhe cigare janë me rënie të ndjeshme të importit.

Performancë të dobët ka edhe në pagesën e kontributeve, pra të taksave për sigurimet shoqërore dhe shëndetësore, të cilat rezultojë me 7 për qind më pak se plani dhe gati 0.5 për qind më pak se viti i kaluar.

Si 7-mujor, pra të mbledhur të gjithë muajt së bashku, duke nisur nga janari e deri më korrik, kemi mosrealizim të të ardhurave nga tatimet dhe doganat, së bashku me kontributet, në masën e 130 milionë dollarëve, në raport me planin dhe afro 35 milionë dollarë më pak se viti i kaluar. Me planin, tatimet dhe doganat dalin me përkatësisht minus 6 dhe 9.4 për qind, kurse me vitin e kaluar, doganat paraqiten më mirë, 8.8 për qind, ndërsa tatimet me 10 për qind mosrealizim, ose në vlerën e rreth 90 milionë dollarëve.

Administrata tatimore po vuan nga mungesa e një menaxhimi të duhur, pavarësisht se FMN punoi dy vjet me drejtuesit e këtij institucioni për t’u implementuar mentalitetin e ri të të punuarit, por ende pa rezultat.

 

Autor te 20 Gusht 2013. Ekonomi, Kryesoret. You can follow any responses to this entry through the RSS 2.0. You can leave a response or trackback to this entry
  • Likja

    Kush e menaxhon administraten e taksave?