Zv.ministrat, përcaktohet formula e ndarjes për partitë aleate të PS-së

Numri - 36 ishin aleatët e PS-së gjatë fushatës zgjedhore që solli fitore për kampin e majtë më 23 qershor. Ky ishte një nga koalicionet më të mëdha në vend

Mosmarrëveshjet - Në ditët e ardhshme, Ramës i duhet të zgjidhë edhe mosmarrëveshjet e krijuara gjatë këtyre muajve me dy nga aleatët e tij më të rëndësishëm, Spartak Ngjelën dhe Skënder Gjinushin

Dikasteret - Duke përllogaritur që janë 16 dikastere që përbëjnë kabinetin, të cilat mund të kenë minimumi 1 zv.ministër ose maksimumi 2, janë nga 16-32 poste që pritet të diskutohen këto ditë. 

Nga e premtja nis emërimi në bazë të CV-ve të paraqitura

Fatjona Mejdini

Edi Rama dhe aleatetProcesi i përzgjedhjes së zëvendësministrave dhe drejtorëve të drejtorive po shkon drejt fundit dhe pritet të përfundojë brenda 10 ditëve që nga dita e premte e kësaj jave. Por ky proces nuk do të vijë sipas mënyrës tradicionale, pra që aleatët propozojnë emrin dhe kandidati për kryeministër i miraton, por do të zhvillohet ndryshe. Sipas formimit të kandidaturave që sjellin partitë e koalicionit qeverisës, do të vendoset profili i zëvendësministrit apo drejtorëve të drejtorive. Kryeministri i ardhshëm, Edi Rama, aktualisht ka në tryezën e punës së tij me dhjetëra jetëshkrime të ardhura nga aleatët e koalicionit të majtë të cilët presin që duke nisur nga kjo javë të marrin pozicione drejtuese në qeverinë e re. Burimet bëjnë të ditur se aleatët aktualisht kanë përfunduar procesin e nisjes së CV-ve të njerëzve më përfaqësues të tyre, me pretendimet për përfshirjen në qeverisje mbi bazën e rezultatit të marrë dhe përgatitjes profesionale nga ata vijnë. Bashkë me këto CV, aleatët kanë nisur dhe pretendimet e tyre për pozicione të caktuara që pretendojnë të përfaqësohen në qeveri. Por përveç CV-ve, aleatët specifikë të PS-së, si Partia Bashkimi për të Drejtat e Njeriut kanë përfshirë tek kërkesat dhe aspekte mbi nevojën e përmirësimit të politikave ndaj minoriteteve, siç janë krijimi i kushteve të njëjta për ta në çdo zonë të vendit. Kryeministri Rama, duke nisur nga dita e premte dhe deri në javën e ardhshme do të përcaktojë në mënyrë përfundimtare, se si do të ndahen postet për aleatët e tij. Por ajo që është e sigurt lidhet me faktin se brenda këtyre dhjetë ditëve do të përfundojë procesi i ndarjes së posteve të zëvendësministrave si dhe ai i drejtuesve të agjencive të rëndësishme qeveritare. Pjesa e ndarjes së drejtorive në nivel qendror dhe më pas lokal do të jetë një proces që do të zgjasë deri në fundin e muajit shtator.

Aleatët

Dje kanë nisur të qarkullojnë në qarqet pranë mazhorancës emra të mundshëm zëvendësministrash, të cilët gjithsesi nuk konfirmohen nga selia e PS-së apo edhe nga personat e përmendur. Kështu qarkullon emri i Petro Koçit, kryetar i PSV 91, si zëvendësministër i Mbrojtjes, ai i Gjergj Kojës për zëvendësministër i Shëndetësisë, një përfaqësues i PBDNJ-së do të jetë zëvendësministër i Jashtëm etj. Kontribuuesit e fitores së PS-së në zgjedhjet parlamentare të 23 qershorit do të nisin nga e premtja procesin e negociatave me Kryeministrin e zgjedhur. Ata kanë përmbyllur procesin e dërgimit të kërkesave të tyre pranë zyrës së Ramës, CV-të e përfaqësuesve kryesorë të shoqëruara me pozicionet e mundshme me të cilat ata mund të përfaqësohen në qeverisje. Burimet bëjnë të ditur se procesi i ndarjes së posteve të zëvendësministrave, i shoqëruar me atë të drejtuesve të agjencive kryesore qeveritare do të përfundojë brenda dhjetë ditëve. Gjatë muajit shtator, kur qeveria e re do të marrë dhe “de jure” pushtetin, negociatat do të vijojnë për pozicione dytësore, që kanë të bëjnë me përfaqësimin e aleatëve me poste drejtorësh në nivel kombëtar dhe në nivel lokal, sipas rezultatit të marrë më 23 qershor.

PBDNJ

Burimet bëjnë të ditur se parti specifike siç është ajo e Bashkimit të të Drejtave të Njeriut, që mbron të drejtat e minoritarëve në vend, përveç CV-ve të njerëzve të saj kanë depozituar pranë zyrës së Ramës dhe disa kërkesa shtesë. Këto kërkesa lidhen me probleme të minoritetit, siç janë edhe ato të arsimit dhe të përfaqësimit në nivele të ndryshme të shoqërisë shqiptare. Më shumë se kërkesa të menjëhershme, ato kanë në thelb nevojën për t’u trajtuar në mënyrë afatgjatë nga Kryeministri i ri dhe kabineti qeveritar.

 

Aleatët që presin poste zëvendësministrash

 

Partia Socialiste e Vërtetë 91 – Petro Koçi

Partia Socialiste e Moderuar – Gjergj Koja

Partia për Unitet Kombëtar – Idajet Beqiri

Partia G99 – Ervin Mete

Partia Demokracia Sociale – Paskal Milo

Partia Ligj dhe Drejtësi – Spartak Ngjela

Partia Rruga e Lirisë – Kurt Kola

Partia Kristiandemokrate – Mark Frroku

Partia Socialdemokrate – Skënder Gjinushi

Partia e Personave me Aftësi të Kufizuara – Afrim Jeshili

Aleanca Popullore, Artur Dojaka

Autor te 20 Gusht 2013. Kryesoret, Politikë. You can follow any responses to this entry through the RSS 2.0. You can leave a response or trackback to this entry