Korriku
Pas problemeve me sistemin e ri të Thesarit, ministria pranon të publikojë vetëm të ardhurat
Mosrealizimi i të ardhurave është në 132 milionë USD ndaj planit dhe 36 milionë ndaj faktit të 2012-s
ARD KOLA
Ashtu si me pagat dhe pensionet që u vonuan rreth 8 ditë, duke u shkaktuar jo pak stres rreth 600 mijë familjeve, sërish Thesari shkakton probleme, kësaj here për bërjen publike të të dhënave rreth treguesve fiskalë të muajit korrik. Kur po mbyllet muaji gusht, Ministria e Financave dorëzohet duke pranuar se nuk është në gjendje të nxjerrë të dhënat e muajit korrik dhe të shtatëmujorit, sa u takon shpenzimeve dhe deficitit, kurse mbi ecurinë e të ardhurave, kanë arritur të kenë një panoramë, edhe pse paraprake.
Të paktën në tri ditët e fundit, ka pasur një seri takimesh mes ekspertëve dhe drejtuesve të Ministrisë së Financave rreth vonesës së publikimit të treguesve fiskalë për muajin korrik, kur sakaq, gushti është duke u mbyllur. Mësohet se Thesari ka konfirmuar faktin se të dhënat mbi gjendjen e borxhit, ecurinë e shpenzimeve dhe treguesit në tërësi të të ardhurave do të vonojnë për disa ditë të tjera.
Në këto kushte, ministria po shikon mundësinë të publikojë vetëm të dhënat e të ardhurave, të cilat edhe ato janë paraprake. Në kushtet kur ministria po diskuton projektbuxhetin e vitit 2014, sipas parashikimeve të afateve ligjore, mungesa e të dhënave të fundit ia bën paksa më të vështirë vendimmarrjen mbi ecurinë.
Sakaq, gazeta “Shqip” mundi të siguronte një kopje të të dhënave rreth arkëtimeve nga tatimet dhe doganat si 7-mujor, me një rezultat tejet zhgënjyes. Mësohet se këto të dhëna janë rishikuar në një pjesë të tyre, pasi çdo ditë ndryshojnë, por në thelb, dështimi me planin qëndron në nivele tejet negative.
Në madhësi absolute, mosrealizimi i të ardhurave është në 132 milionë dollarë ndaj planit dhe 36 milionë dollarë ndaj faktit të vitit 2012.
Situata negative me financat u duk që me 6-mujorin e parë të vitit. Konkretisht, të ardhurat buxhetore ishin 70 milionë dollarë më pak se një vit më parë. Borxhi, sipas Ministrisë së Financave kishte arritur në rreth 872 miliardë lekë (7.9 miliardë dollarë), nga 828.2 miliardë lekë që ishte në fund të vitit 2012. Në këto kushte, deficiti buxhetor ka arritur në rreth 48.2 miliardë lekë, kur parashikimi vjetor është 48.9 miliardë lekë. Të dhënat flasin qartë. Tashmë, të ardhurat nuk i mbulojnë shpenzimet korrente, duke u shfaqur deficiti primar.
Sikur të mos mjaftojë gjendja e dobët me arkëtimet, qeveria po tregon se ka vështirësi në menaxhimin e bërjes publike të të dhënave. Por jo vetëm te treguesit fiskalë, por edhe në sektorë të tjerë, si rasti konkret te privatizimet. Në kohën kur kritikat kanë qenë të forta për procesin e shitjes së pronës publike, Ministria e Financave hodhi dje në sistem pronat e radhës, që janë gati për t’u shitur, por formati i publikimit nuk e lejonte shquarjen si duhet të informacionit rreth ankandit të radhës.