Ajo shoqërohej nga qeni, por personeli e nxori jashtë, duke e kërcënuar se do ta hidhte në det


kedrit-shalari-me-qenin-e-saj-VeraE kanë nxjerrë nga restoranti i tragetit, ia kanë ndaluar të futej në zonën e rezervuar të pasagjerëve, e kanë detyruar për më shumë se dy orë të qëndrojë jashtë. Për më tepër edhe e kanë kërcënuar: “Ose dil jashtë ose të hodhëm në det ty e qenin”. Viktimë e një sjelljeje të tillë, ka mbetur 24-vjeçarja e verbër Kedrit Shalari, që më 16 gusht ka marrë tragetin e kompanisë “European Ferries” nga Vlora për në Brindisi. Lajmi ka bërë bujë në një blog për mbrojtjen e kafshëve. Sipas të dhënave, Kedriti është nga Gjirokastra dhe prej dhjetë vjetësh rezidente në Itali, ku studion. Larg familjes, ka hasur në shumë vështirësi, por është mësuar t’i dalë për zot vetes, edhe falë Verës, qeni i ushtruar si shoqërues personash të verbër. Të premten, 16 gusht, pas një muaji të kaluar me prindërit në vendlindje, Kedriti dhe Vera marrin tragetin për në Brindisi. “Bashkë me Verën, të shoqëruara nga një mik, hipim në tragetin e ‘European Ferries’ rreth orës 12:30”, tregon ajo vetë. “Shkojmë në restorant, marrim nga një arançatë e pastaj dalim jashtë për të marrë pak ajër. Kur vendosëm të hynim, na dolën përpara dy burra që në mënyrë kërcënuese më thonë të dal jashtë e nëse doja të hyja në restorant duhet të lija Verën jashtë”. Edhe pse u shpjegon që është e verbër, që nuk mund ta ndajnë nga Vera, edhe pse u tregon të gjitha dokumentet që tregojnë se qeni duhet ta shoqërojë kudo, burrat nuk tërhiqen aspak. Përkundrazi e kërcënojnë: “Po s’u largove, të hodhëm në det bashkë me qenin”. Kedriti detyrohet të largohet nga restoranti dhe zona e destinuar e pasagjerëve. E shoqërojnë jashtë dhe i thonë se mund të bëjë udhëtimin aty, në një stol. Një pasagjer që ndoqi gjithë episodin, i revoltuar i telefonon ambasadës italiane në Tiranë nga ku e këshillojnë të flasë me kapitenin e anijes, por ai as ka dalë t’i takojë sepse ose ishte i zënë me punë ose ishte në gjumë. Kalojnë rreth tre orë para se Kedriti e Vera të lejohen të zënë vend në zonën e pasagjerëve, por që aty nuk mund të lëvizë as edhe një hap. Nuk mund të shkojë as në restorant për të pirë një gotë ujë. Në orën 20:30 trageti mbërrin më në fund në Brindisi e për Kedritin merr fund ky udhëtim dëshpërues. “Ndihesha copë-copë për tri arsye. E para, sepse normativa në mbrojtje të personave si unë nuk respektohet; e dyta sepse është dërrmuese të shohësh si trajtojnë Verën time, gëzimin tim të vetëm; dhe së treti sepse asnjë nuk duhet të keqtrajtohet siç më ka qëlluar mua jo rrallë, veçanërisht nëse është i pafuqishëm”, shprehet ajo. Më 17 gusht Kedrit Shalari, si gjithnjë e shoqëruar nga Vera, është paraqitur në stacionin e Karabinierëve në Racale të provincës së Leçes dhe ka paditur shoqërinë e lundrimeve “European Ferries”. E reja ka zgjedhur të kërkojë drejtësi në rrugë gjyqësore.