Koment


Ermelinda Meksi


Ermelinda MeksiNdërsa gjendja financiare është një nga shqetësimet më të mëdha për qëndrueshmërinë e ekonomisë shqiptare. Ministria e Financave nuk ka botuar sipas detyrimit, të dhënat fiskale të 7-mujorit, me pretendimin e problemeve në sistemin elektronik të Thesarit. Akoma nuk ka asnjë afat zyrtar se kur ato do të jenë të disponueshme. Megjithatë, në këtë situatë Kryeministri në detyrë, në mbledhjen e qeverisë, deklaroi: “Financat shqiptare janë transparente dhe gjendja ekonomike është solide!”.


Ai gjeti rastin të përgëzojë administratën tatimore e doganore, e cila gjatë muajit korrik, në tatime mblodhi 7% më shumë, kurse doganat, sipas tij, mblodhën 16% më tepër kundrejt korrikut të vitit të shkuar…”. Por si qëndron e vërteta e të dhënave fiskale? Te treguesit mbi të ardhurat, sipas disa burimeve operative nga tatimet dhe doganat, vërehet se të ardhurat në dogana dhe tatime kanë krijuar një mosrealizim ndaj planit për korrikun me -2.3% ose rreth 6 milionë USD, ndërsa për periudhën janar-korrik 2013, mosrealizimet e të ardhurave në tatime dhe dogana tregojnë se janë të larta jo vetëm ndaj planit, por edhe ndaj faktit të 2012-s. Realiteti ynë përgënjeshtron atë që thotë Kryeministri mbi transparencën, apo gjendjen solide të ekonomisë. Shifrat flasin qartë. Në fund të tremujorit të parë, raporti i borxhit publik ndaj PBB-së është vlerësuar në 63.3%, duke tejkaluar kufirin e vendosur në ligjin buxhetor 62.6%. Në këtë situatë, si mund të flasim për gjendje ekonomike solide? Çfarë duhet të ndodhë akoma që të tronditet stabiliteti ekonomik financiar i vendit?


A duhet pritur të flasë dhe ta zgjidhë problemin FMN-ja, të rekomandojë shkurtim shpenzimesh, rritje taksash, deficit të ulët buxhetor për vitin 2014?! Prandaj është koha të flitet qartë mbi ekonominë, duke inkurajuar mendimin e lirë dhe profesional ekonomik, me synim për gjetjen e zgjidhjeve më optimale larg eklektizmit. Për këtë situatë ekonomike tonën, ku sa më shumë flitet për transparencë, shifrat mungojnë apo dalin shumë vonë, përgjigjen si përherë e gjej tek i madhi Xhorxh Oruell, romani i të cilit “1984” në majin e këtij viti në USA ishte më i shituri, jo rastësisht sikurse edhe simbolika e personazhit që ai krijoi në këtë roman “big brother”, dhe për të cilin flasin të gjithë.


“Statistikat qenë marrëzi, si në versionin origjinal dhe në atë të korrigjuarin. Punonjësit qenë të detyruar në shumicën e kohës t’i sajonin ato nga mendja. Për shembull, Ministria e Bollëkut e kishte parashikuar numrin e çizmeve për tremujorin, 145 milionë palë. Shifra reale e prodhuar u dha 62 milionë. Megjithatë kur e rishikoi parashikimin, Uinstoni e zbriti shifrën në 57 milionë, me qëllim që, si zakonisht të synohej në tejkalim. Sidoqoftë, edhe shifra 62 dhe ajo 57 milionë ishin shumë larg së vërtetës. Mundësia më e madhe ishte të mos prodhohej asnjë palë çizme. Dhe po kaq e mundshme, jo vetëm që nuk dinte kush sa palë qenë prodhuar por as që çante kokën ta dinte. Ajo çfarë dihej me siguri, ishte fakti që çdo tremujor në letër, çizmet prodhoheshin në shifra astronomike, ndërkohë që gjysma e popullsisë së Oqeanisë ecte këmbëzbathur. Dhe kështu ndodhte me çdo statistikë sado e madhe apo e vogël qe. Gjithçka zhdukej dhe në fund fare as data nuk ishte i sigurt. Puna e Uinstonit ishte të korrigjonte shifrat e kohëve të fundit dhe t’i barazonte me ato të parashikuarat. E shkuara rifreskohej ditë për ditë, madje minutë për minutë. Në këtë mënyrë, çdo parashikim i bërë nga Partia mund të vërtetohej me dokumente që kishte qenë i saktë. Nuk lejohej të ekzistonte asnjë paragraf gazete apo kurrfarë opinioni që binte në kundërshtim me nevojat e çastit… Ishte thjesht zëvendësim i një marrëzie me një marrëzi tjetër”. (fq 63).