Ndryshe Historia Në 100-vjetorin e tradhtarëve të atdheut

Në 100-vjetorin e tradhtarëve të atdheut

2670
6
SHPËRNDAJE

Bajram Peçi

Jemi ende në vitin e 100 të pavarësisë shqiptare dhe besoj se ia vlen kthimi pas i kokës, për të vështruar se si eci shteti shqiptar në ditët dhe muajt e parë pas shpalljes së pavarësisë dhe se sa mundësi ju dha kryetarit të shtetit, Ismail Qemal Vlorës e bashkëpunëtorëve të tij, të mëkëmbte e të forconte hallkat e superstrukturës shtetërore. Sapo orvatesh t’i hedhësh këtij synimi një vështrim, shfaqen tradhtarët dhe armiqtë e shtetit të pavarur shqiptar në tërë shëmtinë e tyre. Ata janë kryesisht shqiptarë!

 

 Feudalë antikombëtarë

Shumica e historianëve tanë, studiues të kësaj periudhe, në nxjerrjen e përfundimeve përgjithësuese pothuaj janë në një mendje kur thonë se Ismail Qemali, me pak përjashtime, gëzonte urrejtjen e feudalëve të mëdhenj. Pashallarë e bejlerë, zotërues të çifligjeve, ndonëse shqiptarë në kombësi, por që sundimin feudal të Turqisë e kishin në zemër, shihnin më me interes atë, se sa një Shqipëri të pavarur. Ajo, Shqipëria e pavarur, u hiqte atyre pushtetin e privilegjet dhe bënte të pasigurta pasurinë e sundimin. Në rrethanat historike, kur më 28 Nëntor 1913 u shpall pavarësia nga Turqia, Shqipëria e coptuar sundohej e qeverisej çiflig më çiflig nga “paria”, pjesa dërmuese e të cilëve nuk e njihte pushtetin e Qeverisë së Përkohshme të Vlorës dhe vetë kjo ishte e paaftë ta shtrinte autoritetin e saj ndër ato vise. Kështu, në fshatrat e qytetet e Myzeqesë sundonte Aziz Pashë Vrioni; në Orosh të Mirditës Prenk Bib Doda; në Lezhë, Breg-Mat e Shëngjin, Dedë Coku e Vat Marashi; në Elbasan, Aqif Pasha; Shkodra ishte nën pushtimin e një detashmenti të ushtrive ndërkombëtare, nën kryesinë e kolonelit anglez, Filips, por që mbikëqyreshin nga admirali britanik, Bërni; në Himarë qeveriste agjenti grek Spiro Milo; në Gjirokastrën e pushtuar, qeveria e Jorgji Zografos; në Mat e më tej, Xhelal e Ahmet Zogu dhe shumë mercenarë që vepronin përgjatë kufijve verilindorë, si Arif Hiqmeti, Jusuf Beu, etj. Dibrën e qeveriste Jusuf bej Dohoçishti; përtej Drinit, Arif Hiqmeti me 2000 shqiptarë të veshur e të armatosur me pushkë e me uniformë serbe, i shërbente qeverisë serbe. Por nuk mbyllej me kaq. Këtyre u shtoheshin dhe udhëheqës të komuniteteve fetare, me qëndrim të dukshëm armiqësor ndaj pavarësisë, si Myftiu i Tiranës, Musa Qazimi; Dervish beu në Elbasan; dhespoti grek, Germanos, në Korçë dhe dhespoti Jakov i Durrësit. Teki bej Rusi për llogari të Greqisë, së bashku me Feim bej Zavalanin, për llogari të Serbisë, ndërkohë mbërrinin pranë Ismail Qemalit si misionarë me propozime për “bashkime”. Dukej shkoqur se gjithë këta ishin kasnecë pararendës të fatkeqësisë kombëtare. Kudo mbizotëronte anarkia.

 

 Esat Pasha, një feudal tipik turkoshak

Një nga feudalët antikombëtarë ishte Esat Pashë Toptani. I dhënë pas orgjive dhe shthurjeve morale, ai përshkohej nga mungesa e çdo ndjenje kombëtare. “Unë jam turk, ç’lidhje kam me qeverinë e Ismail Qemalit?!”, ishte përgjigjja e tij, kur u pyet për qeverinë e përkohshme nga një gazetar i huaj, në maj të vitit 1913. “Sa për qeverinë e Vlorës, si mundem unë, një gjeneral turk, të kem marrëdhënie me të? Konsujt e Austrisë dhe Italisë më kanë njoftuar se një qeveri e tillë ekziston. Unë nuk e di, dhe nuk më intereson!”. Ky ishte qëndrimi i hapur e armiqësor i Esat Pashë Toptanit.

Atdhetarët shqiptarë e dinin se si pashai turkoshak kishte dorëzuar Shkodrën, qytet i cili kish tërë mundësitë e mbështetjen që të shpallej kryeqytet i Shqipërisë së pavarur; dinin gjithashtu se ai kish bërë një marrëveshje me Malin e Zi që të dorëzohej duke mbajtur trupat. Dorëzoi Shkodrën, por mbajti të ngritur një ushtri me rreth 15 mijë trupa të armatosur.

“Ku e ka varrin Esat Pashë Toptani?”. Kjo është një pyetje formale e që merr si përgjigje përpos se emrin “tradhti”. Shumica e shqiptarëve ngrenë supet, po t’u drejtosh këtë pyetje dhe vetëm tek-tuk ndonjëri jep përgjigjen e saktë: në Beograd. Si këta, edhe shumica e shqiptarëve nuk e dinë që qeveria e Mbretërisë Jugosllave, gjashtë vjet pas krismave që vranë tradhtarin, i mori eshtrat e Esatit dhe i varrosi me ceremoni në varrezat e ushtarakëve në Beograd. Pse, për çfarë motivesh fqinjët tanë armiq i kanë bërë këtij njeriu shpenzime dhe ndere? A mundet kush të japë një shpjegim të qëndrueshëm se pse i vendosi me ceremoni në tokë serbe qeveria jugosllave eshtrat e një të huaji? Për të marrë një përgjigje bindëse, duhet parë veprimtaria në dëm të popullit shqiptar.

 

 Dega e ullirit që nuk u përfill

Në filmin “Nëntori i Dytë”, në mënyrë simbolike, i paharruari, regjisori Viktor Gjika, e shfaq Ismail Qemalin me një degë ulliri në dorë, si simbol të paqes me fqinjët e me fiset e këtij vendi. Por rrethanat e detyruan atë që degën e ullirit, së pari t’ia ofronte Esat tradhtarit. I ndërgjegjshëm se jashtë kabinetit ai do shndërrohej në një armik të rrezikshëm, Ismail Qemali rrëfen se “…ne vendosëm që të futet në kabinet. Kërkoi ministrinë e ushtries, as desha dhe as munda t’ia ap, duke qenë se Z. Mehmet Pasha prej Kosove, ish zgjedhur prej kongresit kombëtar. Nuk kisha veçse ministrinë e punëve të Jashtme që i’a lashë zotit Mufit Beut, i cili u hoq për t’ia lënë ministrinë e punëve të Brendshme Pashës”. Emërimi si ministër i Brendshëm i Esat Toptanit, ndonëse nuk u paraqit kurrë në këtë detyrë, u cilësua nga personalitetet politike të kohës si gabimi i parë i madh i Ismail Qemalit. Si ministër i Punëve të Brendshme, nuk vonoi të ngrinte krye kundër qeverisë së vet. Kërkoi gjëra që ishin kundër interesave të atdheut. Ai kërkoi që të dëmshpërblehej financiarisht nga Qeveria e Përkohshme e Vlorës për “humbjet” në Shkodër; kryeqyteti të hiqej nga Vlora e të shkonte në Durrës, ku ai të njihej si princ i shqiptarëve dhe të kish të drejtë të ngrinte një kabinet të ri. Nuk vonoi dhe kërcënimi: nëse nuk i plotësoheshin këto kërkesa, do të bashkohej me serbët, ose Shqipëria do qeverisej nga Turqia. Dega e ullirit ofruar Esat Pashë Toptanit u shkel dhe përdhos nga ai vetë.

Në kujtimet që sjell Sejfi Vllamasi, bën të njohur se Ismail Qemali nuk e lejoi dhe e pengoi Isa Boletinin, kur ai i shfaqi dëshirën që për interes të Shqipërisë ta zhdukte Esatin në ditët që ai erdhi në Vlorë, gabim që u korrigjua veçse pas shtatë vitesh veprimtari antishqiptare. Plagët që i la në trup, Shqipëria i lëpiu për një kohë të gjatë.

 

 Shqipëria e helmuar dhe e përçarë nga armiqësia

 Janë fjalë këto të dala nga goja e Ismail Qemalit në fund të gushtit 1913, diktuar nga rrethanat dëshpëruese të krijuara nga sulmet tradhtore, ndonëse më 29 korrik 1913, Konferenca e Londrës e kishte vendosur njohjen e Pavarësisë së Shqipërisë. Në mbledhjen e 31 korrikut, ajo vendosi që në krye të shtetit shqiptar të caktohet një princ i huaj dhe, në vijim të traditës që kish filluar me Greqinë 90 vjet përpara, e pasuar nga Rumania dhe Bullgaria, ky princ s’mund të ish tjetër përpos se një gjerman. Ky vendim gëzoi shumicën e popullit. Pas kësaj, qeveritë lokale në Shqipëri u detyruan ta njohin Princ Vidin si të vetmin sundimtar të Shqipërisë, ndërsa krahina e Dibrës kishte ngritur krye kundër sllavëve serbë. Esat Pasha e ka rritur ndjeshëm sulmin e tij kundër Qeverisë së Përkohshme të Vlorës. Shpifjet e intrigat kanë zënë në kurth Myfit Libohovën, Azis Pashë Vrionin, Bektash bej Cakranin, Ahmet Zogun dhe, madje, me ta u bashkua edhe Faik Konica. Një varg i gjatë artikujsh të tij, fyes e tallës për “Malon”, zinin faqet kryesore të gazetës “Dielli”, të cilat ndikuan shumë për formimin e një opinioni dhe qëndrimi negativ ndaj Ismail Qemalit te komuniteti shqiptar i emigrantëve të kolonisë së Amerikës. Kështu, shqiptarët humbnin kohën e çmuar, duke u marrë me grindje të dëmshme.

Në ditët e para të gushtit, siç na e ka lënë të shkruar konsulli austro-hungarez në Shqipëri, Esat Pashë Toptan analfabeti, fillon të mësojë për të shkruar dhe për të kënduar shqip. Për rrjedhojë, ai dëgjoi, por nuk mundi dot të lexonte shkrimin e Mihal Gramenos, botuar në gazetën “Perlindje e Shqipëniës” nga mesi i gushtit, nën titullin, “Esad, kini kohë të hiqni dorë nga tradhtia”, të cilin po marrim përsipër për vlerat që ka, ta botojmë të plotë.

Më 1 shtator, 18 anëtarët e Senatit i dorëzuan Ismail Qemalit një dokument të nënshkruar prej tyre, ku përshkruheshin gabimet e kryetarit të qeverisë. “…Ne duam flamurin osman, prandaj do të ndahemi nga toskët”, u thosh Esati katundarëve të Shqipërisë së Mesme. S’vonoi dhe gabimin e Ismail Qemalit e bëri dhe Princ Vidi. Dy ministritë më të rëndësishme, Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe atë të Luftës ia dha Esat Pashës. Shumë shpejt u dëshmua se nxitimi në vendimmarrjen e posteve që ju besuan Esatit, ishte një nga gabimet më të rënda të Vidit.

 

Mëkatet e Esatit ndaj Shqipërisë, të rreshtuara shkurt

Esad Pasha u bë përkrahës i xhonturqve në politikën për osmanizimin e shqiptarëve; është e provuar se subvencionohej si agjent nga viti 1908 prej qeverisë italiane me 6 mijë lira në vit dhe u pagua si agjent serb me shuma të mëdha nga Serbia dhe Jugosllavia, deri në vdekjen e tij (50 mijë dinarë në muaj); si ushtarak madhor, me ushtrinë xhonturke mori pjesë aktive në shtypjen e kryengritjes së përgjithshme të vitit 1912, duke djegur dhe duke shkretuar malësorët; organizoi vrasjen e komandantit turk të Shkodrës, Hasan Riza Pashën (me nënë shqiptare); nuk pranoi kërkesën e Ismail Qemalit për të ngritur flamurin kombëtar në fortesën e Rozafës; u dorëzoi malazezëve Shkodrën, me ushtri, armë e topa, pas një marrëveshje tregtie që bëri me mbretin Nikolla (u fol për 25 mijë napolona në dorë), çka nga Qeveria e Përkohshme e Vlorës u konsiderua si atentat ndaj pavarësisë në ditët kur vendosej mbijetesa e kombit; më 7 maj 1913 deklaronte se i njihte Greqisë kufirin që niste prej Himarës; në mesin e majit 1913 organizoi, si kundërvënie ndaj Kuvendit Kombëtar të Vlorës, të ashtuquajturin “Kongres i Krujës”, me pjesëmarrjen e turkoshakëve klerikë nga Tirana, Durrësi, Shijaku dhe Kavaja; si kundërvënie ndaj Qeverisë së Vlorës, formoi më 12 tetor 1913 në Durrës “Pleqësinë e Shqipërisë së Mesme”; urdhëroi heqjen e gjuhës shqipe nga administrata dhe zëvendësimin e saj me gjuhën turke; dha me gjithë mënyrat ndihmën e tij në stisjen e akuzës ndaj I. Qemalit në çështjen e komplotit të Beqir Grebenesë; nxiti dhe përkrahu të ashtuquajturën “Kryengritje e Shqipërisë së Mesme”; komplotoi me tërë mjetet e forcat kundër Qeverisë së Princ Vidit; ndërsa Princ Vidi po largohej nga Durrësi në drejtim të Italisë, takohet me Pashiqin më 17 shtator 1914 në Nish, ku Esat Pashë Toptani nënshkruan një marrëveshje me Nikolla Pashiqin, në dëm të kombit shqiptar, tradhti të cilën e damkos përfundimisht më 28 qershor 1915, kur firmosi me ministrin e Brendshëm serb, Ljubomir Jovanoviç, bashkimin me Serbinë; mori përsipër atributet e një delegacioni në Konferencën e Paqes në Paris, ku më pas gjeti dhe atë që i ishte profetizuar nga gazeta “Atdheu” në gusht të vitit 1913, vdekjen.

Ndonëse pinjollët e turpëruar të linjës së tij, Toptani, në këto vite janë orvatur që t’ia heqin njollën e turpit përmes shkrimesh, siç është për shembull biografia e tij te “Wikipedia”, është e sigurt se nga koha kur eshtrat e tij u vendosën në Beograd, asnjë shqiptar nuk ia vizitoi varrin.

 

Rrugëtim i trishtuar në 100 vjet tradhtime

Nuk duhet shumë mendjemprehtësi për shkruar vendimmarrjet tradhtare, të kryera në kundërshtim me interesat dhe pavarësinë e kombit e të atdheut. Zbulimi i tyre bëhet lehtësisht, sapo orvatesh të gërvishtësh apo t’u heqësh mbulesën “atdhetare” që u kanë hedhur sipër, si mbulesë turpi. Mungesën e tyre, të tradhtarëve, Shqipëria nuk e ka ndier asnjëherë.

Ndër aktet e para tradhtare ishte themelimi i Bankës Kombëtare të Shqipërisë më 1925-n dhe emetimi i monedhave dhe kartëmonedhave. U krijua nën emërtimin Bankë Kombëtare Shqiptare, por ishte në të vërtetë bankë italiane, zotërim i grupit financiar, i kryesuar nga Mario Alberti. Statuti themelues parashikonte në Konventë 49 për qind aksione shqiptare të mbuluara me diviza ari, të cilat u blenë kryesisht nga Myfit bej Libohova dhe Eqerem bej Vlora. Pak javë më vonë ata ua shitën ato italianëve. “Banka Kombëtare”, me 100 për qind të zotërimit italian të kapitalit, me guvernator italian, me prodhim të monedhave e kartëmonedhave në punishtet e Italisë dhe me rezervat e metalit të çmuar të depozituara në Romë, ishin përpos se një tradhti e Ahmet Zogut.

Dy akte të mirëfillta tradhtie i përkasin prillit të vitit 1939, kohë kur Mbreti Zog I, pasi kish premtuar mbathjen e opingave për të dalë në mal, la popullin në fatkeqësinë e pushtimit italian më 7 prill dhe u arratis së bashku me arin e Bankës së Shqipërisë; tjetra ishte dorëzimi Viktor Emanuelit i kurorës nga një tufë tradhtarësh bashibozukë, përfaqësues të “familjeve të mëdha shqiptare, si Shefqet Vërlaci, Xhaferr Ypi, Sami e Qemal Vrioni, Dervish Biçaku, Qemal Karaosmani, Kol Bibë Mirakaj, afërsisht 50 vetë.

Akt tradhtie është e duhet vlerësuar nga historianët vendosja e Shqipërisë në vitet 1945-1948, në pozitat poshtëruese të vasalit në marrëdhënie me shtetin e “vëllezërit” jugosllav, nga Enver Hoxha dhe Partia Komuniste Shqiptare.

Një akt tradhtie i paprecedentë do vlerësohet me siguri nga historianët, dorëzimi nga Sali Berisha dhe Qeveria e Partisë Demokratike i Kishës Autoqefale të Shqipërisë dhe pavarësisë së saj në dorë të Greqisë, pasojat tradhtare të naivitetit fëmijënor të së cilës vendi ynë po i vuan me sjelljet arrogante të kolerikëve emocionalë grekë në ngjarje pas ngjarjesh, deri tek kjo e fundit me kishën e Përmetit; me përdorimin si “piramida” greke të varrezave të ushtarëve, të cilat prekën e nëpërkëmbën dinjitetin kombëtar, e të tjera sjellje që nuk na janë ndarë gjithë këto 20 vjet. Tradhtia është shfaqur jo rrallë edhe në formën e përuljes dhe nënshtrimit të pështirë ndaj “më të fortit”, të lëshimeve servile e të inkompetencës qeverisëse, siç provoi edhe Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë, në dorëzimin e hapësirës detare përmes firmosjes së marrëveshjes së kufijve detarë me Greqinë.

 

Fjala e mbajtur nga Mihal Grameno, më 9 shtator 1913 dhe botuar në formën e një letre të hapur pas disa ditësh në gazetën “Perlindja e Shqipëniës”

Esad, kini kohë të hiqni dorë nga tradhtia

Pasha, kur gjithë Shqipëria u shkel nga armiqtë e kombit t’ënë. Shqiptarët nuk humbën shpresën e guximin për të mos poshtëruar para atyrevet që pa ndonjë kundërshtim shkelët atdhenë. Edhe ketë e detyrojmë në luftëtarët Shqiptarë të Shkodrës të cilët luftonin dhe luftuan gjer në funt burrërrisht nënë kumandë të Zotërisë sate. Nuku dini Pasha me sa gëzim, me sa zemër edhe me sa lutje në qiell, luteshin tek i madhi Zot për juve dhe për ushtarët që komandonit. Për çdo Shqiptar ju kishit mbetur e vetmja shpresë për kombin andaj besonin që Shkodra ishte e vetmja në duheshe të rronjë një Shqipëri ose ishte e dënuar të vdesë. Të lumtur pra provuat që Shqipëria duhet të rronjë. Luftove Pasha me dragonjtë e Shqipërisë u dhe dërmën anmiqëvet dhe nderove kombin tenët, nderove Shqipërinë dhe nderove emrin e Skënderbeut! M’i madh pagim për një luftëtar as që munt të bëhet edhe as që është bërë kurrë! Vërtet Shqipëria nuku mundi t’u kurorzonjë me kurorën e artë, nga shkaku që ishte e shkelur nga armiqtë, po ajo e ruante atë kurorë dhe, kur të vinte ajo ditë e lumtur, do t’u kurorëzonte si duheshe duke thënë gjithë Shqipërisë cili është Esat Pashë Toptani!

Pasha, dridhem nga turpi dhe do të dridhen gjith bijtë e Shqipërisë paskëtaj po të jetë vërtetë që kërkoni të shkelni me këmbë fitimet e mëdha që munt t’i fitoni në luftë. Dridhen dhe do të dridhen të gjithë Shqiptarët kur të mësojnë vërtet që Esad Pasha, pas këtij nderi të math, u tregua armik i Shqipërisë duke dëshiruar humbjen e saj. Mendohuni Pasha se është e kotë. Nuku do t’u kujtojmë gabimet e pandiera, po të shkuarat, po do t’u kujtojmë se gabime bëni, sot, kur Shqipëria nuku është kufizuar dhe ndodhet në më të madhin rrezik, duke kërkuar të sillni grindje dhe përçarje. Shqipëria u emërojti Ministër të Brendshëm, megjithë që të ish tjatër nuk e pranonte për nder të trimërisë duke ndejur larg luftës politike, po Z. Juaj pas shumë të vërtitura e pranuat dhe muart frenë në dorë. Gjithë Shqipëria u gëzua duke besuar që edhe Shqiptarët kryetarë dinë të apin dorën, përpara rrezikut të atdheut dhe çdo re nuk mund të trubullojë qiellin.

Besuan Shqiptarët që Esad Pashë Toptani është bir i Shqipërisë edhe ay i vërteti, domethënë kushëriri i Refik beut edhe i Mazar beut edhe i Abdi bejToptanit, po mjerisht u gënjye ose e gënjyen! I shkeli me këmbë të gjitha ato nderime të cilat as me gjysmën e kësaj bote nuk fitohen! Pasha, Shqipëria kurrë nuk munt të harrojë shërbimet e nderimet që i dhatë Juve, në qoftë se do të pendohi për udhën e shtrembër q’u kanë shtenë, andaj, nderi i Zotërisë Juaj kërkon që të qëndroni atje ku kombi u nderoji se tjatërsoj do të turpërohi!
Mos dëgjoni Pasha egoistët dhe gënjeshtarët, mos dëgjoni armiqtë e kombit, po dëgjoni zërin e atdheut që ndodhet në rrezik! Nderi yt Pasha e kërkon këtë që të mos turpërosh emrin dhe oxhakun tënd! Pasha, tinë e din fort mirë që Shqipëria do të bëhet domosdo po mos u bëj shkak të nxish emrin! Shqipëria Pasha do të bëhet për Shqiptarët gjithë, të Krishterë dhe Muhamedanë, edhe e di fort bukur që s’bëhet Turqi e vogël, andaj ta kesh për detyrë t’u tregosh të tjerëve që duhet të bëhen Shqiptarë e të duan Shqipërinë e jo siç tregoji armiku i saj. Miqtë q’u rrethojnë do të kishin për shembull po të qëndronin kundra armiqve, Serbë dhe Grekë që na turpëruan dhe na rrahnë si gomarët, po për fat të zi atë trimëri, që të mos thomi djallëzi, e përdorin për kombin e vet! Mos dëgjoni Pasha ata që kurrë s’janë menduar për të mirën e atdheut po vetëm për veten e tyre se ata nuk dinë ç’është atdhe! Mbaronj Pasha duke u lutur të pendoni sa kini kohë!

Mihal Grameno, Vlorë.

  • shqip

    te lumte dora
    shqip

    • GIMI

      MMMMM PO PSE VETEM KETA QENKAN TRADHETAR!!!???? ME THONI 1 FIGUR QE KA BER PER KOMBIN,TE GJITHE HAJDUTE,HISTORIKISHT,
      NE SHQIPTARET JEMI SI ATA JETIME (DOBIC) MJERE AI QE LIND NE SHQIPERI

  • Gringoeri

    Bravo te qofte. Nje shkrim fantastik, me pak rreshta, por qe tregon te verteten e hidhur te Shqiperise qe nga pavaresia deri te Sali tradhtari.

  • Arben

    KU E KE MESUAR HISTORINE OR ZOTERI.

    ME SIGURI NE BIBLIOTEKAT E STUDIUESVE QE SHOKUR ENVER.

    E PASKE PERTHITHUR PER SE MBARI.

    HA HA HA HA.

  • lola

    po ZOGUN, ate bastardin te vetquajturin mber ku e ke len ? Qe vodhi te gjith floririn e shqiperis e iku jasht ?

  • vl-or-a

    ka shume tradhtar,nuk jane vetem keta qe keni zene ju ne shkrim,skenderbeu u be pale me alfonsin e napolit dhe me krajlin e serbise dhe vrau nipin e vet qe deshte panvarsi prej osmanve dhe napolit e serbise,kryqezoi 1500 burra shqiptare per interes te venedikut,isa boletini deri sa vdiq merte rroge prej beogradit,fatos nano ju dha grekve dhurate pjeset me strategjike te ekonomise se vendit,sali berisha qe me 1992 ka mare prej muzeut kombetar veprat me te shtrenjta te muzeut dhe ja ka dhuruar anglezve(me urdher te anglezve arestoji thacin e adem jasharin ne tirane dhe i futi ne burg si terrorist)mos te flasim per bollano e dule me kompani qe marin rrogat prej taksapagusve shqiptare dhe bejne politike coptimi te shqiperise,rama me ndarjen teritorjale po ja ben peshqesh greqise himaren.