Qyteti Studenti, rrit çmimin për vitin e ri

Shtrenjtim edhe për tarifat e studimeve në universitet, me kohë të plotë dhe part-time

Të dhëna

Universiteti - Për dy vjet me radhë, universitetet në vend kanë propozuar rritje të tarifës së shkollimit nga 10-15 për qind, por për shkak të vitit elektoral, kryeministri Berisha nuk e miratoi rritjen

Korrespondenca - Për këtë vit është rritur numri i studentëve që do të regjistrohen në sistemin part-time, bashkë me ta rritet edhe kërkesa për pedagogë e për pagesa, për këtë është kërkuar rritje tarife

Qyteti Studenti - Këshilli mbikëqyrës i administratës së Qytetit të Studentit pritet të miratojë zyrtarisht javën e ardhshme rritjen e pagesës për konvikte, si dhe të vendosë përfundimisht se sa do të jetë rritja

Qyteti StudentiQyteti i Studentit do të ketë tarifa më të larta për këtë vit të ri akademik. Drejtoria po pret mbledhjen e këshillit mbikëqyrës për të vendosur përfundimisht sa do të jetë rritja dhe për miratimin zyrtar të propozimit që prej dy vjetësh po diskutohet në administratën e drejtorisë së Qytetit Studenti.

Rritja e çmimit të energjisë elektrike, ujit të pijshëm, rritja e kostos së jetesës, kërkesat e mëdha dhe mungesa e buxhetit për të përballuar të gjitha rehabilitimet dhe rregullimet e nevojshme për sa i takon infrastrukturës por edhe blerjet hotelerike në konvikte kanë vënë në diskutim një muaj e gjysmë para çeljes së vitit të ri akademik, rritjen e tarifës për të qëndruar në konvikt. Aktualisht, pagesa është 40 mijë lekë të reja, kosto kjo e miratuar rreth tre vite më parë. Kryeministri Berisha nuk ka pranuar për dy vjet rresht të rrisë tarifën e Qytetit të Studentit, por edhe tarifat e tjera shkollore, pavarësisht kushteve të vështira në të cilat janë sot institucionet e arsimit të lartë dhe nevojës për rritje të pagesave. Çmimi aktual që duhet të paguajë një student është 40 mijë lekë, por sipas Brovinës, për këtë vit do të propozohet një çmim edhe më i lartë, pasi shpenzimet për energjinë dhe ujin e pijshëm janë rritur. Megjithatë, ai thotë se ende nuk është mbledhur Këshilli Mbikëqyrës, pasi është ky i fundit që vendos. “Ka tre vjet që çmimi është 40 mijë lekë në vit. Kemi parasysh që ka një konsumim shumë të madh të energjisë elektrike dhe të ujit. Të mos harrojmë që dushet janë falas, ngrohja bëhet me anë të rrymës elektrike. Mendoj që edhe tarifa nuk do të jetë ajo që ka qenë vitet e kaluara akademike, mendoj që do të rritet. Pritet të jetë diçka simbolike, jo ndonjë çmim i madh. Aktualisht kemi 72% të dhomave me 3 veta, ndërsa 32% tjetër ngel me dy veta”, tha drejtori i QS, Brovina. Sipas tij, kapaciteti është 4200 studentë nga vitet e dyta e deri në vitet e larta, ndërsa kapaciteti ynë për prurjet e reja është 1800 studentë të viteve të para. Në qoftë se kemi dhoma me dy vende, do t’i bëjmë me tre.

Këtë vit akademik, në Qytetin Studenti në Tiranë do të akomodohen 1800 studentë të rinj, ndërkohë që ai do të vazhdojë të strehojë edhe mbi 4 mijë të rinj që u përkasin viteve të tjera të arsimit të lartë. Drejtori i Qytetit të Studentit, Bujar Brovina, ka deklaruar dje për mediat se aktualisht kanë përfunduar përgatitjen në rreth 70% të godinave me lyerjen, dezinfektimin si dhe pajisjen me dritare e dyer. Brovina thotë se edhe këtë vit, studentët do të akomodohen në dhoma me tre persona.

Jo të gjithë ata që do të kërkojnë vendbanim në Qytetin Studenti do të marrin një strehë ku të qëndrojnë për këtë vit akademik, pasi kërkesat janë të shumta, ndërkohë që kapaciteti i Qytetit Studenti është për rreth 6 mijë persona.

Nga ana tjetër pritet që qeveria të marrë një vendim nga ku të rrisë tarifat e shkollimit nga 10-15 për qind për këtë vit të ri akademik. Universitetet kryesore në vend kanë kërkuar nga Ministria e Arsimit dhe e Shkencës të propozojë rritje të pagesës për studime si nevojë për të pasur më shumë buxhet me të cilin institucionet të kullandrisin rrogat e pedagogëve, të paguajnë më shumë për ata që punojnë mbi normë, si dhe për të përballuar të gjitha kërkesat për shtimin e studentëve për këtë vit akademik.

Rritja është propozuar si për sistemin me kohë të plotë, ashtu edhe për part-time, sistemin me korrespondencë.

Këtë vit, në sistemin e korrespondencës, do të pranohen më shumë studentë, ndërsa është hapur mundësia për herë të parë për të vijuar studimet në këtë cikël në degët e gjuhëve të huaja. Lorina Mixha

Autor te 24 Gusht 2013. Kryesoret, Sociale. You can follow any responses to this entry through the RSS 2.0. You can leave a response or trackback to this entry