Situata reale e buxhetit dhe loja e fjalëve që bëri ministri i Financave
Dy ditë më parë, kur justifikoi llogaritë e buxhetit, ministri i Financave, Ridvan Bode, listoi si argument ecurinë e disa prej treguesve financiarë të qeverisë.
“Në këtë vit elektoral dhe me probleme, përsëri ne figurojmë me një balancë primare pozitive, i themi suficit primar”, tha një ditë më parë Bode.
Ky pohim i kreut të Financave është në fakt një lapsus. Aktualisht buxheti nuk është me suficit, por me deficit të thellë primar, i cili shkon deri në 24 miliardë lekë ose mbi 2 për qind të prodhimit kombëtar. Dhe ky është një nga treguesit më të rëndësishëm të financave të një shteti, pasi tregon se çfarë është duke ndodhur me borxhin publik.
Nëse qeveria është me suficit, borxhi vjen duke u ulur, por nëse është me deficit primar, borxhi vjen në rritje. Pikërisht tani borxhi i Shqipërisë po rritet me ritme të shpejta. Zoti Bode në fakt i referohet një tjetër treguesi, të cilin e sqaroi më vonë dhe që është bilanci korrent ose siç njihet ndryshe, kursimi publik, i cili tregon se për çfarë po e merr borxhin qeveria për zhvillim apo për të paguar shpenzimet bazë joproduktive. “…rreth 8 miliardë lekë, sepse investimet janë 44 miliardë lekë përballë 35 miliardë lekë që janë huamarrje totale”, tha Bode.
Por edhe ky pohim është pjesërisht i saktë. Është e vërtetë se investimet janë më të larta se huamarrja, por ministria lë jashtë llogarive paratë e privatizimeve. Nëse përfshihen dhe ato, buxheti del me deficit korrent. Pra, qeveria nuk po i financon më investimet me të ardhurat e veta nga taksat, por po përdor paratë e privatizimeve, të cilat nuk i përkasin një brezi të vetëm, por edhe atyre që do të vijnë më pas. Për këtë arsye, për vite me radhë, FMN-ja u ka imponuar qeverive shqiptare një rregull, i cili i çonte automatikisht gjysmat e të ardhurave nga privatizimet për shlyerje borxhi, për të mos lënë barrë për brezat e rinj, rregull të cilin qeveria e prishi në vitin 2009. Në fund, zoti Bode iu përgjigj edhe akuzave për përdorimin politik të buxhetit.
“Përdorimi gjatë gjashtëmujorit të parë, i pjesës dërrmuese të deficitit buxhetor është një praktikë tërësisht e njohur dhe një praktikë që ne e kemi bërë vit për vit”, tha Bode.
Shifrat tregojnë se gjithmonë në vitet zgjedhore qeveria e përqendron deficitin në muajt e parë të vitit, para se të mbahen zgjedhjet që përgjithësisht janë në mes të vitit. Dhe më shumë se pushteti vendor, është kjo arsyeja, së bashku me tkurrjen e ekonomisë dhe uljen e taksave në prag të zgjedhjeve, që treguesit financiarë të vendit janë zhbalancuar.
“Top Channel”