Ministria e Financave: Deficiti për 2013, 4.6%. Borxhi? Pyesni qeverinë e re
Shumë pyetje kanë mbetur pa përgjigje, duke ia “ngecur” përgjegjësinë qeverisë së re
64% Niveli – Borxhi publik parashikohet të arrijë deri në fund të këtij viti në nivelin e 64 për qind në raport me Prodhimin e Brendshëm Bruto, nga rreth 63 për qind, të vendosur si kufi ligjor nga qeveria
2.5 Herë – Është pikërisht niveli i deficitit buxhetor, që në 6 muajt e parë të vitit 2013 pësoi një rritje me 2.5 herë më shumë se viti 2012, ose duke arritur 48 miliardë lekë, nga rreth 49 miliardë që është limiti
Zbardhet një pjesë e përgjigjeve të Ministrisë së Financave ndaj pyetjeve të Fondit Monetar, të lëna si detyrë në datat 17-18 korrik. Mbi bazën e përgjigjeve, misioni do të përgatisë axhendën e programit të vlerësimit financiar, proces që parashikohet të nisë në muajin tetor, kurse rezultatet e gjendjes së ekonomisë shqiptare, pas monitorimit nga FMN do t’i bëhen të ditura vetëm qeverisë. Kjo e fundit do të vendosë nëse do t’i publikojë apo jo?
Shumë pyetje kanë mbetur pa përgjigje, duke ia lënë peshën e përgjegjësisë qeverisë së re, drejtuar nga socialistët. Po cilat janë përgjigjet?
E para lidhet direkt me situatën financiare në buxhetin e shtetit, deficiti dhe parashikimi i të ardhurave. Ja cila është përgjigjja:
“Paraprakisht ne projektojmë mungesë në të ardhurat buxhetore prej rreth 30 miliardë lekësh, në krahasim me ligjin aktual të buxhetit, i miratuar në fund të vitit të mëparshëm.
Deficiti për vitin 2013, bazuar në ligjin ekzistues do të jetë të paktën 4.6 për qind e PBB, nga i cili 3.5 për qind e PBB është miratuar fillimisht që të financohet përmes huamarrjes (si e brendshme ashtu dhe e huaj) dhe shtesa prej 1.1 për qind e PBB do të financohet përmes të ardhurave nga privatizimi që do të arkëtohen në vitin 2013 (kryesisht katër hidrocentralet), të cilat nuk ishin përfshirë në planin ekzistues të buxhetit. Ligji ekzistues i buxhetit për vitin 2013 përcakton se burimet shtesë financiare që vijnë nga privatizimi duhet të përdoren ose për shpenzime kapitale, ose për të reduktuar financimin neto të planifikuar për vitin 2013. Duke pasur parasysh buxhetin aktual për gjysmën e parë të 2013-s, ka shumë pak të ngjarë që ndonjë pjesë e këtyre privatizimeve të shkojë për reduktimin e huamarrjes neto”.
Sipas Ministrisë së Financave, deficiti final buxhetor varet nga ecuria e të ardhurave për muajt e mbetur, si dhe nga aftësia dhe vendimet për të kontrolluar shpenzimet, duke pasur parasysh gjithashtu hapësirën e lënë për kursime.
Por se çfarë do të ndodhë me financat, këtë mund ta dijë vetëm ministri i ri, që pret të marrë detyrën në shtator, ndaj për zyrtarët aktualë, shumë pyetje duken si “pa lidhje”, por nga ana tjetër, nuk ngurruan ta përdorin si kamerdare për të dalë nga situata e sikletshme e përgjegjësive.
“Pas krijimit të qeverisë së re në fillim të shtatorit, ka të ngjarë që të ndodhë një rishikim i buxhetit, ku do të qartësohen të dhënat e fundit. Për momentin, nuk mund të japim një përgjigje më të qartë të kësaj pyetjeje.
Gjithashtu, rishikimi i Kuadrit Makroekonomik e Fiskal për 2014 – 2016 ka të ngjarë që të kryhet në shtator”.
Në lidhje me pyetjen e privatizimeve, ministria i përgjigjet FMN-së, duke thënë se, “Në vitin 2013 nuk mendohet se do të materializohet ndonjë privatizim shtesë, përveç atyre që janë kryer tashmë (privatizimi i katër hidrocentraleve). Lidhur me periudhën e vitit 2014 dhe më tej, një pikëpamje më e saktë për privatizimet gjithashtu dhe për politikat e privatizimeve për periudhën afatmesme do të mund të jepet vetëm në shtator, nga qeveria e ardhshme”.
Pyetjet e tjera për borxhin dhe synimet për të ardhmen, edhe këtu përgjigjet i lihen Shkëlqim Canit, ministrit të zgjedhur.
Mësohet se në shtator 2013, ministria do të fillojë procesin e hartimit të strategjisë së re të borxhit në linjë me kuadrin e ri makroekonomik dhe ligjin vjetor të buxhetit. “Synimet janë që të menaxhohen rreziqe të ndryshme duke marrë në konsideratë minimizimin e kostove dhe përmirësimit të tregut të letrave me vlerë të qeverisë, duke zgjeruar bazën e investitorëve. Objektivat do të kuantifikohen nga numri i treguesve të rrezikut dhe objektiva të tjerë të lidhur me raportin e borxhit të brendshëm ndaj atij të jashtëm”, thotë ministria.
A.K