Durrës, ekzekutohet biznesmeni i ndërtimit. Vritet biznesmeni i kromit në Bulqizë

policiaaNjë biznesmen ndërtimi është ekzekutuar me armë mëngjesin e sotëm në lagjen nr. 13 të qytetit të Durrësit.

Sipas policisë, viktima është identifikuar si shtetasi Plaurent Cani, 40 vjeç, investitor në fushën e ndërtimeve, ndërsa ende nuk dihen motivet e krimit të rëndë.

Viktima ishte pronar i kompanisë “Cani Construction” sh.p.k dhe ka qenë duke pirë kafen e mëngjesit në një lokal pranë objektit që po ndërton kompania e tij.

Sipas dëshmitarëve në vendngjarje, biznesmeni është qëlluar nga 2 persona ende të paidentifikuar të cilët më pas janë larguar me një motor.

Cani është dërguar me urgjencë në spitalin rajonal të Durrësit, por fatkeqësisht nuk ka mundur t’i mbijetojë plagëve të marra.

Ndërkohë, menjëherë në vendngjarje kanë shkuar forcat e policisë të cilat kanë nisur hetimet për identifikimin e autorëve dhe zbardhjen e plotë të ngjarjes.

Pista kryesore e hetimet mësohet të jetë larje hesapesh, për shkak të së kaluarës së tij.

Dyshohet se Cani është marrë me trafik droge në Itali, vepër penale për të cilën ka qenë i dënuar në shtetin fqinj.

Bulqizë, vritet biznesmeni i kromit, plagoset nje tjeter

Ndërkohë, një tjetër vrasje me armë zjarri ka ndodhur paraditen e sotme në qytetin e Bulqizës.

40-vjeçari Qerim Marku është vrarë me armë zjarri nga persona ende të paidentifikuar, ndërkohë që nga ngjarja ka mbetur i plagosur edhe 60 vjeçari Semi Smeli i cili ndodhej rastësisht në vendngjarje.

Sipas uniformave blu, Marku, i cili ishte biznesmen ne fushen e kromit në minierën e Bulqizës, është qëlluar nga një automjet tip ‘BMW’ me ngjyrë të kuqe, e cila është larguar menjëherë nga vendngjarja pas krimit.

Ndërkohë, policia ka shkuar menjëherë në vendngjarje dhe ka nisur hetimet për identifikimin e autorëve dhe zbardhjen e plotë të ngjarjes.

Pista kryesore mbetet ajo e një konflikti të hershëm mes dy grupeve që kontrollojnë kromin në qytetin Bulqizës dhe janë bërë shpesh shkak për vrasje në këtë qytet.

2 shtator 2013 (gazeta-Shqip.com)

 

Autor te 2 Shtator 2013. Aktualitet, Kryesoret. You can follow any responses to this entry through the RSS 2.0. You can leave a response or trackback to this entry