Ekzekutohet ndërtuesi në Durrës, dyshohet larje hesapesh për drogë

Krimet

Hetimet

Vrasja – Plarent Cani, 40 vjeç është vrarë rreth orës 08.30 të mëngjesit të së hënës në sektorin “Teuta” të plazhit të Durrësit, kur po pinte kafe në verandën e një lokali, bashkë me shoferin e tij

Autorët – Dy persona, me një motor të zi, që ishin me skafandra dhe me rroba të zeza, kanë shkuar pranë lokalit, ku qëndronte 40-vjeçari. Pasagjeri ka zbritur dhe ka qëlluar disa herë biznesmenin

Biznesi – I martuar dhe me 3 fëmijë, Cani ishte pronar i kompanisë “Cani Construction” sh.p.k. Ndonëse i dënuar në mungesë në Itali, viktima ka mundur të ngrejë aktivitetin e tij në Durrës pa probleme

Pistat – Hetimet janë përqendruar në aktivitetin e viktimës në fushën e ndërtimeve, si dhe larjes së hesapeve për shkak të veprimtarive të paligjshme, në të cilat ishte përfshirë në të kaluarën

Njohjet – Cani është dënuar në Itali si anëtar i grupit të Artur Vaqos, i cili njihet si “Tur Labi” dhe që në 2006-n u arrestua në Shqipëri bashkë me Gëzim Salillarin, i njohur si “Gëzimi i Kashtës”

Dosjet – Policia pretendon se viktima e djeshme ka qenë mik i ngushtë me Plarent Dervishajn, kunati i Lulzim Berishës dhe përballë këtyre fakteve është shumë e vështirë zbardhja e vrasjes mafioze

Vrasjet mafioze

Vrasja e biznesmenit Plarent Cani, për nga lloji dhe mënyra e ekzekutimit, dyshohet të jetë kryer për larje hesapesh, nga vrasës të paguar, që lëvizin me motor

Për zbardhjen e ngjarjes, policia rikthen çështjet e bandave të tmerrshme të qytetit bregdetar

Vali Qyrfyçi

Ekzekutimi mafioz i një ndërtuesi, i cili ka një të shkuar të afërt si trafikant droge, që ndodhi dje në mëngjes në Durrës, ka rikthyer në vëmendjen e policisë grupet më famëkeqe të qytetit bregdetar, pasi viktima ka qenë anëtar i rrjetit kriminal të “Tur Labit”, ku ky i fundit njihet për policinë si bashkëpunëtor i “Gëzimit të Kashtës”. Madje, “Tur Labi” ka qenë edhe dëshmitar në gjyqin ndaj bandës së Lul Berishës. Viktima Plarent Cani, 40 vjeç, që për policinë njihet edhe si mik i Plarent Dervishajt, kunati i Lul Berishës, u ekzekutua mëngjesin e djeshëm në zonën e plazhit. Vrasja e biznesmenit durrsak, për nga lloji dhe mënyra e ekzekutimit, dyshohet të jetë kryer për larje hesapesh, nga vrasës të paguar, që lëvizin me motor dhe që së fundmi po sfidojnë gjithnjë e më shpesh policinë shqiptare.

Atentati

Plarent Cani, 40 vjeç është vrarë rreth orës 08.30 të mëngjesit të së hënës në sektorin “Teuta” të plazhit të Durrësit. Ndonëse i dënuar në mungesë në Itali, viktima ka mundur të ngrejë aktivitetin e tij në Durrës pa probleme dhe duke qenë i licencuar dhe ka arritur të sigurojë leje ndërtimi për objektet që merrte përsipër. I martuar dhe me 3 fëmijë, Plarent Cani ishte pronar i kompanisë “Cani Construction” sh.p.k. Mëngjesin e djeshëm ai ishte duke pirë kafen e parë të ditës në një lokal pranë objektit që po ndërton kompania e tij. Nga dëshmitë e para në vendin e ngjarjes rezulton se Plarent Cani ka qenë në verandën e një lokali pranë biznesit të tij, bashkë me shoferin e makinës. Aty kanë ardhur dy persona me një motor të zi. Të dy ishin me skafandra dhe me rroba të zeza. Pasi kanë ndaluar motorin, pasagjeri ka zbritur dhe ka shkuar pranë tavolinës së Plarent Canit, duke qëlluar disa herë me një pistoletë. Duke e lënë në gramat e fundit të jetës, ekzekutuesi është larguar me qetësi, sikur të mos kishte ndodhur asgjë dhe më pas ka hipur në motor, ku është larguar me shpejtësi bashkë me drejtuesin e mjetit. Dëshmitarët rrëfejnë se menjëherë pas ekzekutimit, shoferi i 40-vjeçarit, bashkë me dy persona të tjerë, e kanë marrë Canin në krahë, e kanë vendosur në makinën e tij dhe e kanë nisur për në spital, por ai ka ndërruar jetë, pa mundur t’u mbijetojë plagëve të marra. Sipas policisë, ai ka marrë dy plumba në kokë dhe dy të tjerë në trup, që i kanë shkaktuar vdekjen.

Hetimet

Menjëherë pas njoftimit, forca të shumta policie kanë shkuar në vendin e ngjarjes dhe janë ngritur postblloqe në hyrje-daljet nga zona e plazhit, ndërsa forca të shumta kanë nisur kontrollet në rrugët dytësore të kësaj zone të mbipopulluar. Fillimisht, hetimet janë përqendruar në aktivitetin e viktimës në fushën e ndërtimeve në bregdet, si dhe larjes së hesapeve për shkak të veprimtarive të paligjshme, në të cilat ishte përfshirë në të kaluarën dhe që dyshohet se kishte ende lidhje me to. Sa i përket biznesit të Canit, banorët e zonës së plazhit tregojnë se në vendin ku po ndërton firma “Cani Construction” sh.p.k godinën shumëkatëshe ka qenë një banesë trekatëshe. Prej disa muajsh ka nisur ndërtimi i ri dhe burime pranë departamentit të urbanistikës në Bashkinë e Durrësit bëjnë të ditur se ky objekt ashtu si dhe pallati tjetër i ndërtuar nga Cani në lagjen 17 të qytetit bregdetar, pranë Ujësjellës-Kanalizimeve janë me leje të rregullt ndërtimi. Po ashtu, ai po ndërton edhe në një tjetër zonë, por edhe aty nuk ka pasur ndonjë mosmarrëveshje. Në këto kushte, policia ka ngritur dyshimet se ekzekutimi është bërë për larje hesapesh, pasi emri i tij ka figuruar në disa grupe kriminale, ndërkohë që rezulton se në vitin 2006 është dënuar në Itali për trafik droge. Ai rezulton se është dënuar si anëtar i grupit të Artur Vaqos nga Vlora, i cili njihej në Durrës si “Tur Labi” dhe që në vitin 2006 është arrestuar në Shqipëri bashkë me Gëzim Salillarin, i njohur si “Gëzimi i Kashtës”. Ndërkaq, “Tur Labi” ka dëshmuar edhe në gjyqin e Bandës së Durrësit për vrasjen e Marsel Sotirës. Gjithashtu, policia pretendon se viktima e djeshme ka qenë mik i ngushtë me Plarent Dervishajn dhe përballë këtyre fakteve është shumë e vështirë zbardhja e vrasjes. Një tjetër pistë hetimore ka të bëjë me rivalët e viktimës së djeshme, pasi nuk përjashtohet mundësia se ai mund të jetë marrë sërish me trafikun e drogës dhe përplasje mendohet se ka pasur me një grup tjetër të rrezikshëm nga Shijaku, i cili është goditur nga policia në vitin 2009. Pavarësisht këtyre informacioneve të policisë, deri në orët e vona të natës, grupi hetimor nuk ka pasur asnjë emër konkret për autorët e atentatit mafioz.

 

 

Historia

 

Dosja e të ekzekutuarit 40-vjeçar

dhe dënimi për trafik droge në Itali

 

Somario

Policia ngre dyshime se viktima ka bashkëpunuar me autoritetet italiane për shkatërrimin e grupit

 

Viktima ka mundur t’i shpëtojë dënimit të dhënë nga drejtësia italiane. Më 11 maj 2006, media italiane (La Gazzetta del Mezzogiorno) raporton për 10 dënimet e dhëna për klanin shqiptar të heroinës, të drejtuar nga Artur Vaqo, që e trafikonte drogën duke e fshehur në kamionët TIR për ta shitur në Pulja, Kampania, Abruzo dhe Emilia Romanja. Anëtarët e bandës u dënuan nga 23 deri në 6 vjet heqje lirie. Ka qenë Gjykata e Barit që e ka dënuar Plarent Canin, atëherë 32 vjeç, me 14 vite burg. Me 23 vite burg, kjo gjykatë dënoi kreun e grupit kriminal, Artur Vaqo nga Vlora, bashkëmoshatar i Canit. Pjesëtarë të grupit ishin dhe durrsakë të tjerë, mes të cilëve dhe një femër Albana K. 34 vjeçe në atë kohë. Sipas autoriteteve italiane, grupi kriminal, në të cilin bënte pjesë Plarent Cani, vepronte që nga viti 1998. Dyshohet se viktima ka bashkëpunuar me autoritetet italiane, por ata që janë fundosur nga rrëfimi i tij nuk ia kanë harruar. Kjo është një pistë ku grupi hetimor po punon dhe për këtë është deklaruar se do të kërkohet informacion në rrugë zyrtare nga autoritetet italiane. Pas vendimit të 2006-s që e dënonte me 14 vjet heqje lirie, viktima kthehet në Shqipëri ku nis punën fillimisht si tregtar artikujsh industrialë dhe më pas investon në fushën e ndërtimit. Në gusht të 2008-s regjistron kompaninë e ndërtimit “Cani Contruction” sh.p.k pranë QKR-së. Krimi i radhës ndodhi rreth 24 orë pas ekzekutimit para një furre buke në Fushë-Krujë të shtetasit Lulzim Shera, për vrasjen e të cilit janë shpallur në kërkim vëllezërit Altin dhe Skënder Baku, të cilët nga hetimet rezulton se janë hakmarrë për vrasjen e vëllait të tyre në burg nga viktima disa vite më parë. Edhe autorët e vrasjes së ndodhur dy ditë më parë në Krujë, ende mbeten në kërkim, pavarësisht se policia ka ushtruar shumë kontrolle për kapjen e tyre. V. Q.

 

Biznesi

Pas vendimit të 2006-s që e dënonte me 14 vjet heqje lirie, viktima kthehet në Shqipëri ku nis punën fillimisht si tregtar artikujsh industrialë dhe më pas investon në fushën e ndërtimit. Në gusht të 2008-s regjistron kompaninë e ndërtimit “Cani Contruction” shp.k pranë QKR-së

Autor te 3 Shtator 2013. Aktualitet, Kryesoret. You can follow any responses to this entry through the RSS 2.0. You can leave a response or trackback to this entry
  • polici

    A ka mundesi te na thoni se A KA POPULL DHE SHTET NE BOTE DHE EUROPE QE TRAFIKANTEN E DROGES TI CILESOI SI BIZNESMEN???? Sa turp me vjen qe jetoi ne kete vende, jamm pjese e ketij populli dhe kontriuboi nene kete shtete apo qeverisje……