Ndeshja Slloveni – Shqipëri 1 – 0, Handanoviç ndal marshimin e Shqipërisë

2013-09-06T200229Z_2099041911_LR1E9961JNV6C_RTRMADP_3_SOCCER-WORLD (1)Kuqezinjtë munden 1-0 nga Sllovenia, por heroi është gardiani i ekipit slloven

Ermal Kuka

Ëndrra e Shqipërisë për kualifikimin në Botërorin 2014 ka marrë një goditje të rëndë në Ljubljanë, pas humbjes 1-0 përballë Sllovenisë vendase. Një gjuajtje e Kampl në pjesën e parë ka bërë diferencën në rezultatin e ndeshjes, ndërsa më pas ka menduar portieri Handanoviç sesi të ruajë të paprekur portën e tij, duke ndalur tentativat e kuqezinjve. Skuadra e De Biazit tani e sheh veten të rrëshqasë në vendin e tretë në grup, e kaluar nga Norvegjia dhe të rrezikuar seriozisht edhe në këtë pozicion nga Islanda e Sllovenia.

Pas një minute heshtje në kujtim të Artan Bushatit, ndeshja ka filluar me brohorimat e tifozëve shqiptarë që kishin mbushur stadiumin “Stozhice”, duke qenë ndoshta më të shumtë në numër se vendasit. Por në fushën e lojës, manovrat e dy skuadrave janë më pak të zjarrta, pasi triumfon frika e një gabimi që mund të penalizonte në vazhdimin ndeshjes. Sllovenët janë me fat, pasi në një aksion në dukje pa pretendime të minutës së 19, në gjuajtjen e parë në portë, ata gjejnë golin e avantazhit. Është Kempl i cili lëshon një harkim perfekt nga jashtë zonës, duke mposhtur Berishën dhe duke kaluar në avantazh ekipin e tij, që tani luan shumë më qetë. Kuqezinjtë mundohen të reagojnë, por rastet e mirëfillta mungojnë dhe e vetmja ngjarje për t’u shënuar në këto minuta është një goditje dënimi e Agollit që nuk devijohet drejt portës as nga Basha e as nga Teli, të harruar në zonë nga mbrojtja kundërshtare. Por pavarësisht dominimit territorial, për të parë një gjuajtje të mirëfilltë në kuadrat të kuqezinjve duhet pritur minuta e 44-t, kur Roshi godet fluturimthi pas një harkimi të Agollit, me Handanoviç që pret në pozicion.

Pjesa e dytë fillon pa ndryshime në formacione, por De Biazi e kupton pas pak minutash se një sulmues tjetër ishte i domosdoshëm në fushë, duke hedhur në lojë Salihin, për të larguar Bulkun. Menjëherë pas këtij zëvendësimi dhe ndryshimit të skemës në atë klasiken 4-4-2, për kuqezinjtë fillon një 5 minutësh ku ata bëjnë gjithçka në fushën e lojës, me përjashtim të golit. Rama, Sana, Basha dhe Salihi kanë mundësi të njëpasnjëshme për të shënuar golin e barazimit, por Handanoviç tregon pse aktualisht cilësohet një nga portierët më të mirë në botë me devijime të jashtëzakonshme që shpëtojnë portën e tij nga gola të sigurt të kuqezinjve. Rama provon edhe “specialitetin” e tij, gjuajtjen me harkim, kur shënohej minuta e 65-të, por përsëri Handanoviç ndalon tentativën e mesfushorit me një devijim spektakolar, duke lënë të kuptohet se ndoshta kjo nuk është dita e mesfushorit të talentuar. Më pas, Sllovenia arrin të dalë nga gjysmëfusha e vet dhe të administrojë më mirë lojën, duke ulur ritmin e kuqezinjve. As hyrja në fushën e lojës e Mehmetit dhe Abrashit nuk sjell golin e shumëpritur për kombëtaren kuqezi që me vërshëllimën përfundimtare të Istvan Vad lë fushën e lojës e ndërgjegjshme se ka humbur një shans të mirë për hyrë në histori. Tashmë do të jetë detyrë e De Biazit të kthejë këtë zhgënjim në forcë, pasi 3 ditë më vonë do të vihemi përballë Islandës, një skuadër që nëse nuk përballet e motivuar në 100%, mund të na krijojë probleme, por sidomos mund të na shuajë përfundimisht ëndrrën e një aventure braziliane.

De Biazi: Shpresojmë të jemi gati!

Bilanci - Shqipëria ka luajtur 6 ndeshje me Slloveninë, ku regjistron 1 fitore, 2 barazime dhe 3 humbje, me golavarazhin e përgjithshëm 2 gola të shënuar e 5 të pësuar

FIFA - Heshtja e institucionit që drejton futbollin botëror ka bërë që De Biazi të mos marrë në konsideratë aktivizimin e Abrashit, Gashit, Mehmetit dhe V. Bashës

Mungesat - Lajmi më i mirë për kuqezinjtë është dëmtimi në kavilje i mesfushorit Josip Iliçiç, i cili pritet ta fillojë ndeshjen nga stoli, ashtu si sulmuesi Tim Matavz 

Konfirmim për formacionin me një sulmues. Kaçe, nga minuta e parë në mesfushë

Ermal Kuka

shqiperi-slloveni-1-2-cana-ne-dyluftimStadiumi “Stozhice” i Ljubljanës do të presë sot një prej ndeshjeve më të rëndësishme të historisë së futbollit shqiptar, atë ku kuqezinjtë luajnë shanset e tyre për kualifikimin në Botërorin 2014. Edicioni i nisur me idenë e rinovimit, ka kaluar çdo parashikim të mundshëm, por në këtë pikë ku çdo rezultat pozitiv merr një rëndësi të jashtëzakonshme, trajneri De Biazi ka vendosur të shfaqet shumë më i kujdesshëm dhe më pak euforik sesa zakonisht.

Deklarata

“Po shkojmë të luajmë një ndeshje të rëndësishme, shpresojmë të jemi gati. Ndeshja është e rëndësishme si çdo tjetër në këtë grup të ekuilibruar. Skuadra ka punuar mirë, gjendja është mirë. Jemi në fillim të sezonit dhe gjithçka varet nga gjendja fizike e lojtarëve”, ishin fjalët e vetme që trajneri italian tha përballë gazetarëve para nisjes drejt Sllovenisë. Por kaq ka mjaftuar për të kuptuar mesazhin se trajneri ka bërë gjithçka kishte mundësi për të përgatitur sa më mirë skuadrën, ndërsa tani ishte në dorën e lojtarëve të tregonin se sa shumë e dëshirojnë një biletë për Brazil 2014.

Formacioni

Tekniku italian duket se ka vendosur përfundimisht të luajë me një sulmues, ndonëse ka ndryshuar ide mbi lojtarët që do të hedhë në fushën e lojës gjatë këtyre katër ditëve grumbullim. Konfirmohet katërshja e mbrojtjes para Berishës, ku nga e majta në të djathtë luajnë Agolli, Teli, Cana dhe Lila. Ndërsa mesfusha do të jetë e mbipopulluar nga 5 lojtarë, me disa ndryshime që janë bërë në varësi të asaj që lojtarët janë shfaqur gjatë këtyre ditëve dhe pamundësisë për të aktivizuar lojtarët që nuk kanë marrë lejen nga FIFA për të luajtur ndeshje zyrtare. Basha dhe Bulku do të kenë detyra kryesisht mbrojtëse në mesfushë, ndërsa para tyre do të vendoset Ergys Kaçe, i cili ka bindur trajnerin italian për t’i besuar një fanellë titullari. Mesfushori i talentuar ka “lejen” për të ndihmuar sulmuesin e vetëm që do të zbresë në fushë nga minuta e parë, Edgar Çani, i cili ka fituar përfundimisht balotazhin me Salihin. Gjithsesi, ndihmën më të madhe ai do ta ketë nga krahët, ku do të rreshtohen “teknikët” Roshi dhe Rama, te të cilët De Biazi ka varur shpresat për një rezultat pozitiv në këtë sfidë. Ndonëse Rama kishte probleme fizike gjatë kësaj jave, trajneri italian ka vendosur ta aktivizojë nga minuta e parë, duke mbajtur në stolin e rezervave Emiliano Vilën.

Kundërshtarët

Në kampin slloven, ndrojtja e ditëve të para të grumbullimit është zëvendësuar nga deklaratat euforike të lojtarëve, të cilët besojnë se mund të fitojnë përballë kuqezinjve. Një gjë të tillë e ka pranuar për mediat vendase Jasmin Kurtiç, një nga lojtarët kyçë të kësaj Sllovenie. “Kjo është dita vendimtare dhe na duhet vetëm të fitojmë, as nuk e mendojmë një rezultat tjetër. Por edhe shqiptarët kanë nevojë që të fitojnë, ndaj presim që ata të bëjnë lojë agresive, ndoshta edhe ofensive. Megjithatë, nuk duhet të shqetësohemi shumë për kundërshtarin, ne duhet të mendojmë vetëm për lojën tonë. Hakmarrje për humbjen në Tiranë? Mos përdorni atë fjalë, është thjesht futboll. Duhet të fitojmë se nuk kemi alternativa të tjera”, tha mesfushori që aktivizohet në Itali me Sasuolo, i ndërgjegjshëm që kjo është një finale për Slloveninë, që nuk ka luksin të gabojë qoftë edhe një nga 4 takimet e mbetura. Megjithatë, trajneri Katanec duket se preferon të ruhet nga kuqezinjtë, e për këtë arsye ka vendosur që të mos rrezikojë një skemë me 2 sulmues, duke ulur në stol Tim Matavz, ndërsa edhe Josip Iliçiç do të jetë rezervë, pasi vazhdon të ketë probleme në kavilje dhe mund të luajë vetëm në pjesën e dytë të ndeshjes.

Autor te 6 Shtator 2013. Kryesoret, Sport. You can follow any responses to this entry through the RSS 2.0. You can leave a response or trackback to this entry
  • totila

    ekip mutreish

    • tim

      per mutra si ti;-apo jo????