Ankandi i bonove
Banka e Shqipërisë do të marrë hua te bankat për llogari të buxhetit
Në shtator 2011 normat e interesit të bonove ishin 7.67%, kurse në gusht ka zbritur nën 5%
Klientët – “Veprime me klientët”, që përfshin investimet në huadhënie, është rritur vetëm me 0.1 për qind në fund të 6-mujorit
Individët – “Huaja për sektorin privat dhe individët” ka rënë me 0.5 për qind, apo 2.8 miliardë lekë për të njëjtat periudha
Ankandet e bonove vijojnë normalisht pavarësisht apeleve për kujdes nga ekspertët e financave, për shkak të shqetësimit të rritjes së borxhit. Mësohet së fundmi se Banka e Shqipërisë ka njoftuar se do të nxjerrë në shitje të martën (nesër) për llogari të Ministrisë së Financave letra me vlerë më afat maturimi 12 dhe 6-mujor. Vlera e borxhit që do të merret te bankat llogaritet në rreth 100 milionë dollarë.
Ankandi do të zhvillohet të martën e kësaj jave dhe përkon me ditën e parë të mandatit të qeverisë së re, të drejtuar nga Kryeministri Edi Rama. Ky i fundit është shprehur disa herë i shqetësuar për situatën me financat, me borxhin e rritur, por mbi të gjitha me fshehjen e të dhënave dhe të gjendjes reale të ekonomisë.
Për bonot 12-mujore, shuma e shpallur për shitje është 62 milionë dollarë. Theksojmë se në ankandin fundit të bonove më të njëjtin maturim, yield-i (interesi) mesatar i ponderuar zbriti në një nivel rekord prej 4.58 për qind. Sa u takon bonove 6-mujore, shuma e shpallur për shitje është rreth 37 milionë dollarë, ndërsa për këto lloj bonosh, interesi mesatar zbriti në një nivel rekord prej 4.52 për qind.
Ndërsa kredia për ekonominë ka mbetur në vendnumëro, për qeverinë, sportelet vijojnë të mbeten të hapura, madje me interesa gjithnjë e me ulje. Pozitiv është fakti se borxhi po merret me interes që sa vjen dhe ulet, për shkak se edhe norma bazë është reduktuar 7 herë radhazi nga viti 2011, duke arritur në 3.5 për qind.
Nëse qeveria po e blen borxhin me interes deri në 3 për qind, për biznesin dhe individët huat po jepen me kushte më të forta dhe interesa 7-8 për qind, për valutat, kurse në lek, janë mbi 10 për qind.
Situata me ankandet e fundit ka dëshmuar se deri më tani politikat e BSH-së kanë sjellë avantazhe vetëm për qeverinë, e cila në 6 muajt e parë të vitit, për shkak të shpenzimeve të larta, përtej planit, e rriti deficitin buxhetor me dy herë, duke e ezauruar gati të gjithin (98 për qind), kur kishin mbetur edhe 6 muaj të tjerë.
Konkretisht, në shtator të vitit 2011, kur BSH nisi uljen e normës bazë, nga 5.25 për qind, në 5 për qind, interesi mesatar i kredive (në lek) ishte 11.07 për qind, kurse në qershor 2013, kur norma bazë kishte zbritur në 3.75 për qind, kosto e financimit ishte 10.73 për qind.
Sa i takon interesit të bonove të thesarit 1-vjeçar, në shtator 2011 yield-i ishte 7.67 për qind, kurse në gusht ka zbritur nën 5 për qind. Raportet e krahasimit tregojnë se nëse interesi i kredive për biznesin dhe individin ka rënë me 3 për qind, ai i qeverisë (bonot) ka rënë me 28 për qind. Kujtojmë se në ankandin e fundit, bonot zbritën deri nën 5 për qind, tregues pozitiv për financimin e borxhit të shtetit shqiptar, por aspak optimist nëse shikojmë se pjesa tjetër e ekonomisë dhe aty ku duhet të bazohet rritja ekonomike, vijon të kreditohet me kushte më shtrënguese.
Tjetër tregues jo pak i rëndësishëm është financimi i bankave për qeverinë dhe privatin. Të dhënat tregojnë një panoramë krejtësisht të kundërt me pritshmëritë e BSH-së. Nëse qeveria ka përfituar gjithnjë e më shumë financime nga bankat, këto të fundit janë treguar dorështrënguar me biznesin dhe individin. Të dhënat e BSH-së e dëshmojnë një fakt të tillë.
Konkretisht, kredia për ekonominë ka ngecur pothuajse në vend dhe kjo është reflektuar dhe në aktivet e sistemit bankar. Zëri “Veprime me klientët”, që përfshin investimet në huadhënie, është rritur vetëm me 0.1 për qind në fund të 6-mujorit, në raport me fundin e 2012-s, duke arritur në 574 miliardë lekë. Brenda këtij zëri, “Huaja për sektorin privat dhe individët” ka rënë me 0.5 për qind, apo 2.8 miliardë lekë për të njëjtat periudha, ku tkurrjen më të madhe e ka shënuar huaja afatmesme.