Ndryshimi 


KuvendiRotacioni politik ka nisur të ndihet jo pak pranë administratës së Kuvendit të Shqipërisë. Menjëherë kanë nisur dorëheqjet e drejtorëve apo të këshilltarëve të stafit të ish-kryeparlamentares Jozefina Topalli. Drejtori i drejtorisë së komisioneve parlamentare, zëdhënësja e kryeparlamentares, juristët e zyrës së Kuvendit që përfshihen te monitorimi i institucioneve tashmë janë dorëhequr prej ditësh. Largimi tjetër ka qenë edhe i Lulzim Lelçajt, drejtor juridik i Kuvendit. Ndërkohë që burime pranë Kuvendit bëjnë të ditur për gazetën “Shqip”, se ditët në vijim pritet të realizohen edhe dorëheqje të tjera që kanë të bëjnë me atë pjesë të stafit apo të këshilltarëve që ka pasur Topalli. Përflitet që edhe sekretari i përgjithshëm i Kuvendit, Marlind Myftiu, do të japë dorëheqjen. Një gjë e tillë do të ndodhë pasi të krijohet byroja parlamentare, e cila në përbërje të saj ka deputetë të Kuvendit. Myftiu do të paraqesë zyrtarisht dorëheqjen si drejtues i këtij institucioni ligjbërës. Rotacioni i pushtetit ka prekur më shumë se të gjithë administratën e Kuvendit, e cila tashmë ka një numër të konsiderueshëm punonjësish. Administrata e këtij institucioni ndihet e frikësuar nga fakti se mos i kap ndonjë “fshesë” duke i larguar. Kjo situatë ndihet përherë në çdo ambient të Kuvendit apo dhe gjatë zhvillimit të seancave parlamentare, ku administrata u “trembet” figurave të reja që janë prezente në lozhën e sallave të seancave plenare. Kuvendi i ri është në fazën e ngritjes së strukturave të reja, si byroja parlamentare, konferenca e kryetarëve, komisionet kuvendore. Mbi bazën e formulës së përhershme tre komisionet, të Integrimit, Shëndetësisë dhe të Medias pritet të drejtohen nga ana e opozitës, pra e PD-së. Ndërsa komisionet e tjera, si ato të Ligjeve, Sigurisë, Ekonomisë, Veprimtarisë Prodhuese dhe Politikës së Jashtme i takojnë mazhorancës. Ndërkohë që me ndryshimin e rregullores, në Kuvend hapet mundësia për punësim, pasi deputetët duhet të kenë zyrën e tyre dhe një sekretare.