Shtohen edhe në qytet, 400 mijë vetë jetojnë me 4800 lekë/muaj


INSTAT “fajëson” emigrantët për varfërinë e shtuar, pasi po dërgojnë më pak të ardhura


36% Qyteti – Konstatohet se varfëria është rritur më shumë në qytet, 36 për qind, se sa në fshat, madje në zonat rurale është ulur me 11.8 për qind, në raport me anketën e vitit 2008


1.04% Dukuria – Rënia e shpenzimeve të arsimit, rënia e konsumit real për frymë në vitin 2012 dhe rritja e konsumit për ushqim (1%) janë dukuri mjaft të zakonshme kur varfëria rritet


ARD KOLA


VarferiaTë varfrit janë shtuar, madje jo vetëm në fshat, por edhe në qytet. Konfirmimi vjen nga anketa e INSTAT-it, realizuar te 6671 familje, në bashkëpunim me Bankën Botërore. Të dhënat paraprake të Anketës së Matjes së Nivelit u publikuan dje dhe u referohen vitit 2012, përmes matjeve të zhvilluara në muajt shtator-tetor të atij viti. Anketa realizohet çdo tre vjet dhe në raport me gjetjet e fundit, rezulton se kemi një rritje të të varfërve me rreth 13 për qind. Në total, niveli i varfërisë në vend, sipas anketës së fundit, është 14.3 për qind, nga 12.4 për qind që ishte në anketën e vitit 2008, pra një rritje me më shumë se 28 mijë personash që jetojnë në varfëri, ose me rreth 4800 lekë në muaj.


Raportet


Në terma të përgjithshëm, pjesa e popullsisë, për të cilën konsumi mujor për frymë është nën 4.891 lekë (me çmimet e vitit 2002) u rrit nga 12.4 për qind në 2008 në 14.3 për qind në vitin 2012. Kjo, sipas INSTAT, nënkupton se 28 896 persona i janë shtuar 373 137 të varfërve që numëroheshin në vitin 2008.


Prefektura me nivelin më të lartë të varfërisë është ajo e Kukësit me 21.8 për qind, e ndjekur më pas nga Fieri (17.5 për qind) dhe Lezha (17.5 për qind). Ndërkohë, përqindjet më të ulëta të nivelit të varfërisë janë në prefekturat e Vlorës me 11.7 për qind, Korçës me 12.2 për qind dhe Beratit me 12.7 për qind.


Risi e Anketës së Matjes së Nivelit të Jetesës 2012 është se për herë të parë, të dhënat e mbledhura mundësojnë publikimin e rezultateve në nivel prefekture. Ky faktor ka ndikuar në rritjen e saktësisë për matjen e varfërisë dhe nga ana tjetër, na mundëson një panoramë më të qartë për nivelin e varfërisë të


ndarë sipas prefekturave. “Metodologjia e përdorur është ajo tradicionale, duke iu adresuar familjeve të përzgjedhura, por ndryshe nga vitet e tjera, kësaj radhe, INSTAT-i ka përdorur një teknologji më të avancuar në mbledhjen e informacionit duke përdorur kompjuterë portabël”, deklaroi dje drejtoresha e INSTAT, Ines Nurja.


Shkaqet


INSTAT e ka llogaritur varfërinë me çmimet e vitit 2002, pra të dhjetë viteve më parë, në një kohë kur produktet e mallrave të konsumit janë rritur shumë e më shumë. Nëse do të llogariteshin me çmimet aktuale, të varfrit do të ishin më të shumtë në numër. INSTAT-i nuk e sqaron metodologjinë e përdorur, sa u takon çmimeve, por nga ana tjetër, jep arsyet e rritjes së varfërisë.


“Mendohet të ketë ndikuar së pari kriza globale financiare, e cila, nëpërmjet një ngadalësimi të rritjes ekonomike, ka frenuar uljen e mëtejshme të varfërisë dhe madje ka ndikuar në një rritje të saj në përgjithësi, sidomos në zonën urbane”.


Kriza globale, duke përfshirë dhe vendet fqinje si Greqia e Italia, ku numri i emigrantëve shqiptarë është më i madh, mendohet se ka ndikuar kryesisht në uljen e transfertave (remitancat) të tyre drejt familjeve në Shqipëri, fenomen i cili, prej vitesh, ka qenë një zbutës i nivelit të varfërisë në vendin tonë, është argumenti i përdorur në raport.


Tjetër veçori, është fakti se varfëria nuk është më një çështje rurale, pra nuk gjendet masivisht vetëm në fshat, por edhe në qytet. Sipas të dhënave ka pasur një zhvendosje të varfërisë nga zonat rurale në zonat urbane. “Kjo mund të ketë ardhur si pasojë e përpjekjeve më të përqendruara drejt zhvillimit rural ose sepse, lëvizjet e popullsisë kanë vazhduar nga zonat rurale në


zonat urbane dhe duke u bashkuar me pasojat e krizës, impakti i së cilës ka qenë më i fortë pikërisht në zonat urbane, ka ndikuar më së shumti zonat urbane në krahasim me ato rurale”, thekson INSTAT.