Qeveria e re po studion skemën e shlyerjes së detyrimeve të vjetra. KLSH: 400 mln USD


Bizneset kanë marrë kredi për të realizuar investimet e shtetit, ndaj dhe parashikohen efekte zinxhir


punetore ndertimiT’u kërkosh bizneseve që të paguajnë taksat, në një kohë kur shteti u ka borxh qindra milionë dollarë, kjo nuk ka kuptim, as për vetë Kryeministrin Edi Rama, i cili së fundmi ka pranuar se pa zgjidhur problemin e faturave të prapambetura, nuk “kemi asgjë në terezi”.


Shoqatat e ndryshme në mbrojtje të biznesit, nuk kanë pasur ndonjë shqetësim konkret për taksat, madje një pjesë shprehen pro nivelit aktual, por merakun e kanë me detyrimet që shteti u ka, si në pjesën e punimeve civile në infrastrukturë, ashtu edhe në rimbursimin e TVSH-së.


Në programin e qeverisë së re, 2013-2014, prezantuar së fundmi, për pjesën e detyrimeve të prapambetura thuhet se:


“Në një periudhë relativisht të shpejtë, borxhi publik do të plotësohet dhe me pjesën “e fshehur” të tij: në bashkëpunim me institucione të njohura financiare do të bëjmë transparencë të plotë të të gjitha detyrimeve të bartura dhe të pakontabilizuara në borxhin publik të deritanishëm”.


Për të ditur se si do të funksionojë skema e shlyerjes së detyrimeve të papaguara, më parë, qeveria e re, më saktë, Ministria e Financave duhet të identifikojë, t’i provojë dhe t’i hedhë në regjistër, duke listuar të gjitha kompanitë. Problemi është se ekzistojnë dy lloj “borxhesh”. I deklaruari, që sipas të dhënave zyrtare nga Thesari nuk shkon më shumë se 70 milionë dollarë, dhe i paregjistruari, të cilën shteti nuk e njeh, por kompanitë e mbajnë në kurriz. Kjo e fundit, sipas Kontrollit të Lartë të Shtetit, që auditoi në muajt e verës Ministrinë e Financave, arrin në rreth 400 milionë dollarë.


Por nuk mjaftojnë kaq. Kemi edhe një borxh “të tretë”: atë të TVSH-së. Vonesat në rimbursimin e kësaj takse, me kalimin e vitit, mendohet se kanë arritur në rreth 200 milionë dollarë, thotë kryetari i Shoqatës së Eksportuesve, Alban Zusi.


Gazeta “Shqip” mëson se në mbledhjen e qeverisë së zgjedhur, zhvilluar para disa ditësh në Shkodër, ndër të tjera, Kryeministri Rama, ka trajtuar me rëndësi çështjen e borxheve të fshehura, madje e konsideruar ndër prioritetet kryesore.


Detyrimet e papaguara ndaj biznesit, plus borxhi publik, e vendosin qeverinë “Rama” në një situatë aspak komode, por sikurse është shprehur Shkëlqim Cani, në kohën e fushatës, skema e pagesave është projektuar, por se do t’u bëhet e qartë “të gjithëve”, se shlyerja do të bëhet sipas radhës dhe mundësive. Fundja, auditi ndërkombëtar, këtë qëllim ka, të identifikojë saktë detyrimet e shtetit ndaj privatit, borxhin e fshehur.


Sakaq, mësohet se Ministria e Financave ka kërkuar konsulencën e ekspertëve të Bashkimit Europian, për të dalë nga kriza e borxheve, përfshi edhe atë ndaj kompanive private, kurse Fondi Monetar Ndërkombëtar dhe Banka Botërore, i kanë kërkuar urgjentisht qeverisë së re ta shikojë me prioritet nisjen e pagesës.


Agim Binaj u kushton mjaft rëndësi detyrimeve ta papaguara. Eksperti i politikave fiskale dhe i bilanceve, thotë për “Shqip”, se detyrimet ndaj kompanive private kanë shkaktuar efekte negative zinxhir, kurse kryetari i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë, Nikolin Jaka, e lidh me problemin ndaj bankave. “Tashmë dihet që kreditë me probleme është rrjedhojë e detyrimeve të papaguara të shtetit ndaj firmave. Situata është bllokuar, nuk ka financime, edhe pse projektet mund të jenë eficiente. Bizneset kanë marrë kredi për të realizuar punët publike të shtetit, ndaj gjendja duhet të marrë zgjidhje sa më shpejt”, thotë Jaka.


Nga ana e tyre, Dhoma Amerikane e Tregtisë, i ka propozuar Ministrisë së Financave një variant për rimbursimin e TVSH-së, sipas skemës së radhës, pra kush vjen i pari dhe aplikon, të përfitojë i pari.


A.K


 


[callout]BSH


Para të reja në qarkullim 


Banka e Shqipërisë njofton se prej datës 12 shtator 2013 hodhi në qarkullim kartëmonedhat me vlerë nominale 2000 lekë dhe 200 lekë, me kurs ligjor, emetime të vitit 2012. Kartëmonedha e re, me vlerë nominale 2000 lekë, emetim i vitit 2012, ka të njëjtat pamje dhe përmasa me kartëmonedhën me vlerë nominale 2000 lekë, emetim i vitit 2007, hedhur në qarkullim më 29.12.2008. Ndryshimet në emetimin e fundit qëndrojnë në trashësinë e fillit të sigurisë, i cili bëhet nga 1.5 mm në 3 mm, në vitin e emetimit në trupin e kartëmonedhës, që do të jetë “2012”, dhe në firmën e drejtorit të Departamentit të Emisionit.


Duke filluar nga data 12 shtator 2013, kartëmonedhat me vlerë nominale 2000 lekë dhe 200 lekë, me kurs ligjor, emetime të vitit 2012, do të përdoren si mjet pagese paralelisht me të gjitha kartëmonedhat ekzistuese në qarkullim të këtyre prerjeje, të emisioneve të mëparshme.[/callout]