Shifrat
Në total, të ardhurat vlerësohen me mosrealizim prej afro 3.5 miliardë lekë
Në korrik, tatimet rezultojnë me keq se në vitin e kaluar, kurse me planin situata paraqitet më dobët
Edhe në muajin gusht, administrata tatimore doli me afro 1 miliard lekë më pak, në rënie të madhe
Administrata tatimore dëshmon një paaftësi totale në mbledhjen e taksave, duke i shkaktuar buxhetit të shtetit një dëm të konsiderueshëm financiar, kurse rrjedhimisht qytetarët përfitojnë më pak mundësi për mirëqenie.
Nuk janë pak, por 2 miliardë lekë, mungesa në arkën e shtetit për shkak të mosadministrimit si duhet nga administrata tatimore. Një pjesë e zyrtarëve të Drejtorisë së Përgjithshme, pas rezultatit të zgjedhjeve morën pushime të gjata, duke mos qenë në krye të detyrës për një kohë të konsiderueshme, për pasojë rezultatet e muajit gusht konsiderohen tejet negative.
Analistë të sektorit fiskal i shikojnë shifrat në nivelet më të ulëta në 20 vjet, në rënie si me 2012, kurse me planin gjendja paraqitet katastrofike.
Bashkë me doganat, përfshi edhe zërat e tjerë, mendohet se arka e shtetit rezultoi me një minus të madh, që arrin në mbi 3.5 miliardë lekë. Edhe pse të dhënat janë paraprake, zyrtarë nga Ministria e Financave deklarojnë se të paktën nga shifrat, në raport me planin, diferencat janë dukshëm më negative. Duke e parë në tërësi, si 8-mujor, vlerësohet një minus në buxhet prej afro 14 miliardë lekë.
Pas më shumë se 7 muajsh mungesa analizash, drejtori i përgjithshëm i Tatimeve, Gazmir Spahija, mblodhi dy ditë më parë krerët e degëve rajonale, duke u kërkuar analizë të situatës, por tashmë çdo lëvizje e tij për të kërkuar llogari është e kotë.
Situata paraqitet dramatike në çdo drejtim, pothuajse asnjë nga detyrat nuk janë plotësuar, madje as rekomandimet e Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN), sa i takon planit strategjik të mbledhjes së të ardhurave në formë vullnetare, formalizimi i ekonomisë dhe informimi i taksapaguesve me detyrimet.
Të dhënat dëshmojnë se shteti po vidhet në mes të ditës dhe tashmë, si 7-mujor, nga tatimet dhe doganat kemi një raportim se buxhetit i mungojnë jo pak, por 13 miliardë lekë.
Këtu nuk janë përfshirë zërat e tjerë të totalit të të ardhurave, duke nënkuptuar se gjendja pritet të jetë edhe më dramatike me financat e vendit.
Si për muajin korrik, ashtu dhe 7-mujorin, nga ku vihet re një mungesë e plotë e performancës, si në plan, ashtu dhe në raport me një vit më parë.
Në muajin korrik, periudha ku përdorimi i parasë është masive, çuditërisht shikohet se kemi rënie të të ardhurave. Në total, kemi 600 milionë lekë më pak me planin, ose 2.3 për qind mangët (në total janë mbledhur 26 miliardë lekë). Këtu, performancën më të dobët e kanë doganat, me minus 800 milionë lekë, kurse tatimet paraqiten me plus 230 milionë lekë, por në raport me vitin e kaluar, kemi një ndërrim pozicionesh, pasi administrata tatimore rezulton me rreth 900 milionë lekë më pak (gjithnjë për muajin korrik). Ministria e Financave thotë se përveç birrës, artikujt e tjerë si karburante, kafe dhe cigare janë me rënie të ndjeshme të importit.
Performancë të dobët ka edhe në pagesën e kontributeve, pra të taksave për sigurimet shoqërore dhe shëndetësore, të cilat rezultojnë me 7 për qind më pak se plani dhe gati 0.5 për qind më pak se viti i kaluar.