Raporti
Probleme me tualetet, palestrat, bibliotekat, laboratorë për orët e shkencave nuk gjen gjëkundi
Viti i ri akademik i gjen shkollat në vend në kushte të vështira infrastrukturore. Një pjesë e tyre kanë mungesa bazike, ndërkohë që të tjera kanë probleme më sipërfaqësore. Ajo që vërehet në përgjithësi është mungesa e bashkëpunimit mes qeverisë qendrore dhe asaj vendore për përmirësimin e gjendjes, por pavarësisht kësaj, edhe pse jemi në vitin 2013, në shkollat shqiptare vështirë të gjesh laboratorë fizike apo kimie të një niveli të kënaqshëm dhe nxënësit, edhe sot, vijojnë të mësojnë për reaksionet nëpërmjet imagjinatës, apo përshkrimit që u bën mësuesja. Në më të mirën e rasteve e shohin në internet.
Po ashtu, pavarësisht sloganeve të Shqipërisë në moshën e internetit, në vendin tonë vijon të ketë probleme bazike me laboratorët e informatikës. Pavarësisht kësaj, probleme kryesore mbeten tualetet, ku edhe në rastet kur funksionojnë, nuk mund të përdoren nga të gjithë nxënësit e shkollës. Disa shkolla nuk kanë palestër për të bërë orën e fizkulturës, por edhe kur kanë kushtet e dhomave të zhveshjes lënë shumë për të dëshiruar. Po ashtu, bibliotekat me tekstet që duhet të lexojnë nxënësit si pjesë e programit mësimor apo të tjera si pjesë e leximeve jashtë shkollore mungojnë në të shumtën e rasteve.
Në një raport të fundit të Inspektoratit Kombëtar të Arsimit Parauniversitar, thuhet se nga inspektimet e kryera rezulton se shkollat në vend kanë një listë të gjatë problemesh kryesisht me infrastrukturën.
Ndërkohë që, edhe meremetimet e kryera në mënyrë sipërfaqësore nga autoritetet e pushtetit vendor nuk mund të fshijnë problemet qendrore që kanë sot institucionet e arsimit parauniversitar.
Vihet re se infrastruktura e shkollave është më e mirë në zonat urbane dhe që midis shkollave të qytetit dhe atyre të fshatit ka një handikap të madh. Inspektorati Kombëtar i Arsimit Parauniversitar vë në dukje gjatë inspektimit të shkollave 9-vjeçare dhe ato të mesme, se nuk ka një bashkëpunim të mirë midis shkollave dhe drejtoritë rajonale arsimore. Në lidhje me këtë, vihet re edhe mungesë dokumentacioni në shumë shkolla të vendit. Specialistët e IKAP rekomandojnë DAR përkatëse duhet të pasurojnë laboratorët e fizikës, kimisë dhe biologjisë në funksion të procesit mësimor, si dhe të bëhet një bashkëpunim më i fortë me pushtetin lokal për ndërtimin e ambienteve të reja. Viti i fundit shkollor 2012-2013 nuk plotësoi standardet e duhura për t’u dhënë nxënësve shkollim cilësor. Sipas raportit të fundit të publikuar nga IKAP vihen re mungesa të ambienteve mësimore dhe probleme në infrastrukturën e shkollave. Në konkluzionet e raportit janë vënë në dukje mospajisja e shkollave me klasa laboratorë për lëndët shkencore, mungesa e ambienteve për edukimin fizik e deri tek mungesa e bibliotekave apo librave që u vijnë në ndihmë nxënësve për të studiuar. Sipas raportit, në disa shkolla ka ende mungesë të sistemeve apo mjeteve të ngrohjes për klasat, edhe pse për këtë pushteti lokal ka investuar jo pak, por që aktualisht midis shkollave dhe bashkive apo komunave nuk ka një bashkëpunim në nivelin e duhur.
Në raport thuhet se në mjaft shkolla të vendit, prindërit detyrohen të kontribuojnë me fonde për t’ju ardhur në ndihmë shkollave. Një tjetër problem është bashkëpunimi i mësuesve dhe prindërve, që në konkluzionet e raportit thuhet se nuk është në nivelin e duhur. Sipas raportit, stafi pedagogjik në shkolla angazhohet për të lidhur një marrëdhënie me prindërit, për t’i informuar ata për ecurinë e fëmijëve, ndërkohë nga ana e prindërve nuk ofrohet i njëjti bashkëpunim. Problemi më madhor sipas raportit, mbetet pasurimi i shkollave me ambiente studimi, bibliotekë dhe tituj librash.
Të dhëna
Laboratorët
Shkollat e inspektuara, në 72 për qind të rasteve, disponojnë mjete laboratorike të lëndëve fizikë, kimi, biologji dhe gjeografi por mungojnë klasat laboratorë. Për këtë arsye, punët laboratorike jo gjithmonë realizohen në laboratorë. Mësuesit zhvendosin mjetet në mjediset e klasave për demonstrimin e detyrave praktike.
Palestra
Pjesa më e madhe e shkollave të inspektuara nuk disponojnë mjedise të brendshme, të përshtatshme për zhvillimin e lëndës së edukimit fizik, ndërsa mjediset e jashtme sportive jo në të gjitha rastet janë të rregulluara dhe të përshtatshme për zhvillimin normal të procesit mësimor. Gjithashtu është evidentuar se dhomat e zhveshjes për djemtë dhe vajzat jo gjithmonë janë të përshtatshme
Ngrohja
Shkollat, në 57 për qind të rasteve, kanë siguruar ngrohjen e mjediseve të brendshme me dru zjarri dhe me energji elektrike duke iu dhënë prioritet klasave të ciklit të ulët ndërsa në shkollat e tjera kanë marrë masa për sigurimin e ngrohjes së mjediseve.
Bibliotekat
Bibliotekat e shkollave të inspektuara janë funksionale por në to rezultojnë pak tituj librash për të plotësuar nevojat e nxënësve dhe shkollës
Tualetet
Tualetet e shkollave përgjithësisht janë në nivele të pranueshme higjiene, por jo në të gjitha rastet janë funksionale dhe të mjaftueshme krahasuar kjo me numrin e nxënësve
Lushnjë, 80 për qind e shkollave duhen mbyllur
Drejtoria e Higjienës kërkon marrjen e masave të menjëhershme nga pushteti vendor
Të hënën pritet të nisë viti i ri akademik, por shkollat në Rrethin e Lushnjës nuk janë gati të presin nxënësit. Rreth 80 për qind e tyre, sipas Drejtorisë së Higjienës, duhet të mbyllen.
Një prej tyre është shkolla në fshatin Thanasaj të Komunës së Dushkut, e cila është në gjendje të mjerueshme. Muret dhe dyshemeja e saj janë të çara, mungon ndriçimi dhe shkolla nuk ka as tualet. Situata pritet të jetë edhe më e rëndë në stinën e dimrit, kur i ftohti dhe shiu depërtojnë në ambientet ku nxënësit e këtij fshati janë të detyruar të zhvillojnë mësimin. Drejtuesit dhe mësuesit e kësaj shkolle thonë se në të nuk është vënë dorë prej vitesh, ndonëse i është kërkuar si pushtetit lokal ashtu edhe Ministrisë së Arsimit. Për të nisur vitin e ri shkollor mësuesit i janë përveshur punës, duke e lyer dhe rregulluar me sa të mundin. “Tabelat dhe mjetet i blejmë me paratë tona, çdo gjë vetëm nëpërmjet forcave tona. Kemi suvatuar, kemi lyer, të gjitha u blenë me paratë e mësuesve”, thotë një mësuese.
“Ne si këshill pedagogjik mundohemi t’i minimizojmë këto gjëra. Ne kemi dëshirë që dita e parë e vitit mësimor të nisë sa më normalisht. Por këtu mungojnë dritat, mungon uji, dyert janë të prishura”, thotë drejtori i shkollës, Dashamir Sula. Drejtoria e Higjienës në Lushnjë, që monitoron shkollat për higjienën dhe kushtet ku do të mësojnë nxënësit, raporton se kjo shkollë nuk duhet të hapet, pasi ajo nuk plotëson parametrat për zhvillimin e orëve të mësimit.
“Shkolla e Zgjanës është në gjendje të rëndë dhe është drejt shembjes. Shkolla e Thanasajt është jashtë çdo kushti normal”, thotë Isuf Çela, nga Shërbimi i Higjienës.
Sipas Çelës duhet të mbyllen rreth 80 për qind e shkollave në Lushnjë pasi nuk plotësojnë parametrat e higjienës për zhvillimin e orës mësimore dhe kërkohet nga pushteti lokal që në këtë zonë duhen marrë masa të menjëhershme.