Pasojat


Selami Xhepa, ish-këshilltari i Kryeministrit në vitet 2005-2009, tani dekan në Institutin Kanadez të Teknologjisë, sqaron në një intervistë për “Top Channel” se çfarë pasojash ka për ekonominë, anulimi masiv i koncesioneve të dhëna nga qeveria e mëparshme.


Selami Xhepa“Nga pikëpamja ligjore çdolloj kontrate që është e mbyllur mes dy palëve, normalisht duhet të kalojë në gjykatë, në arbitrazh dhe për rrjedhojë, nëse një vendim i tillë i politikës do të ndërmerrej do të kishte pasoja për financat e vendit. Nga ana tjetër nëse mund të ketë kontrata që janë miratuar me vendim të qeverisë së mëparshme, të cilat akoma nuk janë ekzekutuar nga Ministria e Energjisë që është autori kompetent ligjor për nënshkrimin e kontratave me investitorët privatë, atëherë kjo është një çështje që nuk do të prodhojë pasoja juridike”, tha Xhepa. Por edhe në rastin e kontratave të panënshkruara, pra atyre që ende në fazën e vendimit të qeverisë, zoti Xhepa mendon se anulimi masiv dhe i njëanshëm nuk do ishte një vendim racional. “Po ta gjykojmë në aspektin e mesazhit që kjo përcjell për klimën e investimeve në vend, mendoj që nuk është një vendim i drejtë dhe i duhur. Nëse do të bëheshin anulime të kësaj natyre, normalisht duhet që të ketë një justifikim, lidhur me argumentin se pse kontrata të tilla do të shfuqizohen në mënyrë që komuniteti i investitorëve, biznesmenët, të cilët kanë angazhuar burimet e tyre në pritje të mbylljes së procedurave, të kenë mundësi për t’u njohur me gjykimin racional të një vendimi të tillë politik. Vetëm në këtë rast do të zbutej ndoshta efekti negativ i mesazhit që përcjell një vendim i tillë politik”, thotë Xhepa. Sipas tij, zgjidhja më e mirë do të ishte rinegocimi i marrëveshjeve, për të gjitha ato koncesione, të cilat Qeveria mendon se nuk është mbrojtur interesi publik, duke përfshirë dhe ato që kanë hyrë në fuqi tashmë