Humbje masive nga mosarkëtimet, 163 mln USD më pak


Dega e Thesarit Ministria e FinancaveRënia e të ardhurave u theksua në muajt e fushatës elektorale, por me humbjen e zgjedhjeve, qeveria e drejtuar nga demokratët e thelloi më tepër gropën në arkën e shtetit, ku pas qershorit, u pa se në korrik dhe tashmë në gusht, gjendja paraqitet dramatike.


Kriza financiare e qeverisë vazhdon të thellohet me ritme të shpejta. Të dhënat e fundit zyrtare nga Ministria e Financave tregojnë se në muajin gusht, qeveria mblodhi nga taksat 35 milionë dollarë më pak se gushti i vitit të kaluar.


Rënia është mbi 12 për qind. Sikurse raporton TCH, shifrat tregojnë se krahasuar me planin, të ardhurat gjatë muajit gusht ishin 48 milionë dollarë më pak, ndërsa si 8-mujor, qeverisë i mungojnë 163 milionë dollarë nga shuma që kishte parashikuar të mblidhte përmes taksave.


Të dhënat tregojnë se qeveria nuk ka arritur të mbulojë këtë rënie të fortë të të ardhurave nga taksat duke shkurtuar shpenzimet. Edhe pse ka ndalur çdo investim të ri publik, sërish shpenzimet e tjera të buxhetit kanë vazhduar të rriten duke bërë që deficiti buxhetor të kërcejë në 54 miliardë lekë.


Për katër muajt e mbetur të vitit, përfshirë edhe shtatorin, qeverisë së re i mbeten vetëm 6.5 miliardë lekë hapësirë deficiti buxhetor, 9 herë më pak se sa ai që ka konsumuar në 8 muajt e parë të vitit qeveria e ikur. Zyrtarisht, qeveria e re ende nuk e ka shpallur se çfarë do të bëjë me buxhetin. Në tetor pritet që ligji financiar i vendit të rishikohet për të rregulluar treguesit që kanë dalë nga kufijtë ligjorë.


Por se cila rrugë do të zgjidhet, ajo e shkurtimit të shpenzimeve apo rritja e borxhit, kjo mbetet ende për t’u parë. Ajo që shifrat tregojnë, është se qeveria po zhytet gjithmonë e më shumë në krizë financiare dhe treguesit e buxhetit po përkeqësohen me shpejtësi.


Tashmë qeveria e re duhet t’ia dalë duke u konsultuar më nga afër me Fondin Monetar Ndërkombëtar për të pasur më shumë qëndrueshmëri në treguesit fiskalë, veçanërisht te borxhi. Me realizimin e disa objektivave, mund të krijohen shanset për më tepër financime, jo vetëm nga Banka Botërore, por edhe nga institucione të tjera. Vetëm me krijimin e klimës së besimit, te të huajt sidomos, situata mund të marrë një kthesë pozitive.


Takimet me FMN-në priten me mjaft interes, jo vetëm për Ministrinë e Financave, por edhe me Bankën e Shqipërisë. Të dyja institucionet do të duhen të bashkëpunojnë ngushtë në koordinimin e politikave, dhe jo si deri më sot, duke “mbuluar” njëra-tjetrën për financime afatshkurtra për qëllime elektorale dhe aspak eficiente.


Për FMN-në ka rëndësi të di se çfarë mendje ka qeveria në disa drejtime dhe më pas të thotë fjalën e saj.


Kreditë me probleme, deficiti buxhetor dhe tregtar, dhe plot tregues të tjerë do të jenë në fokus të qeverisë, por pikë së pari, nevojitet përmirësimi i klimës së biznesit. Këta të fundit janë shprehur mjaft optimistë në rast se qeveria do t’i përfshijë në vendimmarrjen e hartimit të politikave fiskale, të dëgjojë rekomandimet dhe të miratojë ato paketa ku të gjitha palët bien bashkarish dakord.