Hakmarrja: Durrës, atentat shoferit të autobusit

Një person me motor plagos rëndë 44-vjeçarin, ciflat gërvishtin edhe një pasagjere

Dyshohet se krimi lidhet me një ngjarje të dy viteve më parë, kur Albert Gjeçi u akuzua për një plagosje

Vali Qyrfyçi 

ATENTAT ne autobusPlagosja e rëndë e dy viteve më parë e një personi dyshohet të jetë motivi i një atentati që ndodhi dje në Durrës. Të paktën kjo është një nga pistat ku është fokusuar hetimi mbi atentatin e organizuar ndaj një drejtuesi autobusi dje në mëngjes, ku kanë mbetur të plagosur objekti i sulmit, por ka marrë gërvishtje edhe një mjeke, e cila ndodhej në mjetin transportues të punëtorëve.

Atentati

Burimet policore të Durrësit thanë se shoferi 44-vjeçar, Albert Gjeçi ka mbetur i plagosur rëndë gjatë një atentati me automatik drejt autobusit me targa AA 134 DS, që po transportonte punëtoret e fabrikës “Filanto”. Në vendngjarje mësohet se një person ende i paidentifikuar, që lëvizte me motor dhe me fytyrë të mbuluar me kaskë, ka qëlluar me breshëri automatiku mbi autobus, duke plagosur rëndë drejtuesin e saj. Ngjarja ndodhi rreth orës 07:00 në rrugën e re te zona e ish-Kënetës në Durrës. I plagosuri është dërguar në spitalin e Durrësit, ku i është nënshtruar një ndërhyrjeje kirurgjikale dhe ende është në rrezik për jetën. Në autobus ka mbetur e gërvishtur edhe një grua, ndërsa të gjitha punonjëset kanë pësuar tronditje të fortë nga situata e kaluar. Grupi hetimor që ka mbërritur në vendin e ngjarjes ka kryer veprimet e para dhe vijon punën për identifikimin e autorit dhe zbardhjen e motiveve të ngjarjes, duke nisur hetimin nga konfliktet e mundshme të të plagosurit me persona të tjerë.

Hetimet

Dyshimet e para janë ngritur mbi një krim kundër personit të konsumuar nga i plagosuri. Më 12 mars të këtij viti, Gjykata e Durrësit e ka shpallur atë fajtor për veprën penale të plagosjes së rëndë me dashje dhe dënuar me 3 vjet burgim, po në aplikim të kërkesës për gjykim të shkurtuar, ai u dënua përfundimisht me 2 vjet burgim. Gjykata vendosi që “vuajtja e dënimit t’i llogaritet nga data e arrestimit datë 11.10.2011, ora 20:30 dhe aplikimin e nenit 59 të Kodit Penal për pjesën e mbetur të pavuajtur të dënimit, duke urdhëruar pezullimin e ekzekutimit të tij dhe vënien e të pandehurit në provë për një periudhë kohe prej 3 vjetësh”. Gjithashtu, ndaj tij u shua edhe masa e sigurimit personal “Garanci pasurore” dhe shuma prej 500 mijë lekësh të reja t’i kthehet të pandehurit.

Plagosja

Në orët e para të 11 tetorit të vitit 2011, rreth orës 02:10, nga patrulla e policisë, pas një telefonate të bërë në sallën operative, u gjet në gjendje të rëndë shëndetësore shtetasi Luan Zaimi, i cili u dërgua në Spitalin e Durrësit dhe më pas në Spitalin Ushtarak Tiranë, në gjendje të rëndë shëndetësore. Nga veprimet hetimore mbi këtë ngjarje, rezultoi se shtetasi Luan Zaimi ka qenë i punësuar si roje private në një lokal në afërsi të hyrjes nr. 3 të Portit Durrës, ku ndodhet një parkim në të cilin parkonte autobusin që drejtonte shtetasi Albert Gjeçi. Gjeçi ka pasur dyshime, se i dëmtuari Luan Zaimi i vidhte naftën e autobusit të tij. Për këtë arsye, ai ka folur me pronarin e tij, pronar i një fabrike konfeksionesh, dhe ditën e ngjarjes ka kërkuar të dëmtuarin Luan Zaimi. Rreth orës 01:00 ai ka shkuar në vendin ku kishte parkuar autobusin dhe e ka gjetur atë në afërsi të mjetit të tij me një biçikletë në dorë. Ai është konfliktuar me të dhe në grindje e sipër e ka gjuajtur. Sipas tij, i dëmtuari është rrëzuar në tokë dhe më pas është larguar me biçikletë. Më pas i dëmtuari Luan Zaimi është gjetur në gjendje shumë të rëndë shëndetësore, në afërsi të Torrës Veneciane. Ndërkaq, policia ka shtrirë hetimet edhe në aktivitetin e mëparshëm të viktimës, ku dyshohet se bashkë me vëllain, kanë qenë të përfshirë në një tjetër veprimtari kriminale. Gjeçi ka dy fëmijë, një djalë dhe një vajzë ndërsa gruaja i kishte vdekur përpara disa viteve. Durrësi që prej fundit të muajit gusht është përfshirë nga disa ngjarje të rënda, vrasje dhe plagosje dhe që të gjitha ngjajnë me vrasjet me pagesë. Duket se ata që kanë pasur hesape për të larë e kanë shfrytëzuar maksimalisht periudhën paszgjedhore.

Autor te 19 Shtator 2013. Aktualitet, Kryesoret. You can follow any responses to this entry through the RSS 2.0. You can leave a response or trackback to this entry