Situata
Të dhënat e 8-mujorit, deficiti buxhetor rritet me 130%
Në të njëjtën linjë me Kryeministrin Rama, shefi i misionit të Fondit Monetar Ndërkombëtar në Shqipëri, Nadem Ilahi, thotë se dokumentimi i këtij borxhi si pjesë e borxhit kombëtar është hapi i parë për të vazhduar më pas me marrjen e masave për uljen e tij. “Një çështje e rëndësishme, të cilën e preku edhe Kryeministri, është ajo e borxhit të padokumentuar që duhet të dokumentohet. Të dhënat t’i jepen sektorit privat dhe pasi të bëhet pjesë e borxhit kombëtar, që në fakt i tillë është, duhet të merret vendimi se si niveli i këtij borxhi duhet të ulet”, tha Ilahi. Sipas tij, FMN parashikon që borxhi publik të arrijë në 65% të PBB-së brenda vitit 2013 dhe 80% deri në 2018-n, por i pyetur nga Ermelinda Meksi, se ku bazohet në arritjen e këtyre vlerësimeve, Ilahi u shpreh se niset nga gjendja aktuale, bazuar në skenarët e deritanishëm.
Një tjetër shqetësim i shprehur nga misioni i FMN-së në Shqipëri është përkeqësimi i mbledhjeve të taksave gjatë viteve të fundit, për të cilën duhen marrë të gjitha masat që të ndryshojë.
Sakaq, sipas të dhënave të fundit zyrtare nga Ministria e Financave, deficiti buxhetor arriti në rreth 54 miliardë lekë, afro 30 miliardë lekë më shumë se viti i kaluar, ose 130 për qind më tepër. Në raport me planin, kemi gati 7 miliardë më shumë hua të marrë nga bankat për të financuar nevojat e qeverisë për para.
Totali i të ardhurave në buxhet në fund të gushtit arriti në 210 miliardë lekë, duke rënë 8.3 miliardë lekë, apo 3.8% në raport me tetëmujorin e 2012-s. Performanca e të ardhurave ka qenë negative për herë të parë që nga viti 2004 dhe të ardhurat kanë rënë në vlerë absolute, ndonëse të paktën për tremujorin e parë rritja ekonomike ka qenë pozitive në 1.7%.
Të gjitha zërat e të ardhurave në buxhet kanë shënuar rënie në raport me të njëjtën periudhë të një viti më parë, me përjashtim të tatimit mbi të ardhurat. Performancën më negative e ka shënuar TVSH-ja, që është treguesi kryesor i qarkullimit të mallrave në vend. Të ardhurat nga TVSH-ja arritën në 70 miliardë lekë, me një rënie prej 6.2 miliardë lekësh, apo 8.2% në raport me tetëmujorin 2012. TVSH-ja ka ndikuar në 70% të rënies së të ardhurave nga tatimet e doganave. TVSH-ja është zëri kryesor i të ardhurave në buxhet, me 33% të totalit të të ardhurave buxhetore. Arsyeja kryesore e kësaj performance negative lidhet me heqjen e TVSH-së për makineri e pajisje në fillim të këtij viti nga qeveria e atëhershme demokrate. Të ardhurat nga tatimi mbi fitimin zbritën me 1.4 miliardë lekë, apo 11.7% në 10.2 miliardë lekë, duke reflektuar situatën e vështirë që po kalojnë bizneset vendase, që po vuajnë pasojat e rënies së fuqisë blerëse, teksa problemet me likuiditetin sa vijnë e po thellohen, në mungesë edhe të kredisë së bankave.