Olimpizmi zgjedh kreun pa polemika. Objektivi i ri: Rivendosja e marrëdhënieve me shtetin
Ermal Kuka
Viron Bezhani është zgjedhur presidenti i ri i Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar, në Asamblenë e 17 të Përgjithshme Zgjedhore të këtij institucioni. Në kundërshtim me ngjarjet e shëmtuara që kanë shoqëruar Asambletë e këtij institucioni në të kaluarën, këtë radhë zgjedhjet kanë kaluar në mënyrë shumë paqësore dhe me klimë mirëkuptimi, diçka e veçantë në fakt po të mendohet se gjatë viteve të fundit, KOKSH ka pranuar aderime të dyzuara për Federata të ndryshme sportive, që ka sjellë edhe konflikte të hapura. Caktimi i Bezhanit në postin më të lartë të KOKSH ka qenë edhe sinjali i parë i një ribashkimi me ministrinë që mbulon sportin në vendin tonë, pasi presidenti i ri bëri të qartë menjëherë se detyra e tij e parë ishte rikrijimi i marrëdhënieve mes KOKSH dhe shtetit, që në vitet e fundit kanë qenë thuajse joekzistuese.
Presidenti
Në zgjedhjet për president të KOKSH, ku në drejtim në vitet e fundit me udhëzim të Komitetit Olimpik Ndërkombëtar ishte Ela Tase, kandidatët ishin tre, por para garës, gjatë fjalimit të prezantimit, u tërhoq Martin Biba, i cili njëkohësisht akuzoi KE-në se kishte shkelur statusin. Kështu, rivalë në këtë garë mbeten dy kandidatët që në mandatin e kaluar kanë qenë pjesë e Komitetit Ekzekutiv të këtij institucioni, Genc Boga (kryetar i Komisionit Juridik), si dhe Viron Bezhani (kryetar i Komisionit Teknik). Zgjedhja e olimpizmit shqiptar ra mbi këtë të fundit, me një fitore të thellë, 48 vota ndaj 21 të kandidatit rival. Por pas zgjedhjes së tij, Bezhani bëri të qartë menjëherë se do të kërkonte bashkëpunimin e të gjithë atyre që dëshironin të kontribuonin për rritjen e nivelit të sportit shqiptar. “Kjo është fitorja e të gjithëve, e të gjithë Komitetit Olimpik. Detyra jonë kryesore është që të bashkohemi të gjithë bashkë, për të ecur përpara, që të marrim maksimumin nga sporti”, ishin fjalët e ish-presidentit të Federatës Shqiptare të Mundjes dhe shefit të delegacionit shqiptar në Londër 2012. “Duhet të bëjmë të mundur që të funksionojë sa më mirë trekëndëshi Federatë-KOKSH-Ministri”, ishte premtimi i tij për këtë mandat. Duhet kujtuar se ndonëse me një statut të miratuar nga Komiteti Olimpik Ndërkombëtar, KOKSH nuk është mandatuar nga ministri përkatës për Sportin në mandatin e fundit, ndërsa nuk figuron as i regjistruar në gjykatë. Zgjidhja e këtij ngërçi në marrëdhëniet me shtetin do të jetë edhe detyra e parë e Bezhanit. Ndërkohë, pas një gare shumë të ngushtë, zëvendëspresident i KOKSH u zgjodh Gjergj Ruli, i cili fitoi në garën përballë Vojo Malo.
Komiteti Ekzekutiv
Nëse Flobens Dilaveri u zgjodh pa rivalitet si kandidaturë e vetme për postin e Mbajtësit të Thesarit, një garë mjaft e ndezur ishte ajo për postet e 8 anëtarëve të Komitetit Ekzekutiv nga 18 kandidatura të paraqitura. Në fund, janë rikonfirmuar në detyrë Ela Tase (e cila ishte pjesë e KE-së para se të merrte postin e presidentes pas largimit të Agim Fagut), Gëzim Panariti, Majlinda Pilinci dhe Skënder Anxhaku, ndërsa emrat e rinj në KE janë Agron Cuka, Erald Dervishi, Gjergj Leqejza dhe Ilir Gusho. Duhet theksuar se në Asamble nuk morën pjesë Federata Shqiptare e Futbollit, Federata e Alpinizmit dhe Federata e Dansit Sportiv. Ndërkohë, u zyrtarizua edhe anëtari i ri i KOKSH, Federata e Rafting, një sport i ri që po fiton mjaft popullaritet në vendin tonë.
Kandidatët për president
Viron Bezhani 48 vota
Genc Boga 21
Martin Biba u tërhoq
Vota të pavlefshme 2
Kandidatët për Zv./President
Gjergj Ruli 37 vota
Vojo Malo 34
Kandidat për Mbajtës të Thesarit
Flobens Dilaveri 57 vota
Vota të pavlefshme 14
Kandidatët për Komitetin Ekzekutiv
Ela Tase 59 vota
Agron Cuka 41
Gjergj Leqejza 37
Ilir Gusho 35
Gëzim Panariti 33
Erald Dervishi 32
Skënder Anxhaku 31
Majlinda Pilinci 30
—
Labo Çapo 29
Erzen Breçani 28
Stefan Rrufa 26
Elez Gjoza 25
Vladimir Gjonaj 23
Agim Çiraku 22
Hyrmete Gjetaj 20
Alketa Çaushi 17
Linda Spaho 5
Genti Malko 3