Intervista
Deputeti socialist analizon ditët e para të Parlamentit dhe qeverisë së re
Pritshmëria – “Armiku ynë më i madh sot, është ajo që ishte edhe aleati ynë më i madh: Vota plebishitare e shqiptarëve. Sepse sot e tutje, pritshmëria e tyre ndaj nesh, është më e madhe se kurrë. Ne duhet të dimë që ta lexojmë akoma edhe më mirë këtë pritshmëri, për të mos i zhgënjyer ata”
PS-PD – “E majta në Shqipëri është e kundërta e të djathtës. PS bashkohet në qeverisje dhe ndahet në opozitë. PD saldohet në mazhorancë dhe thërrmohet në opozitë. Këta 23 vjet kanë qenë të mjaftueshëm për ta vërtetuar këtë”
Ylli Pata
Alfred Peza, gazetari i njohur, i cili është zgjedhur në Kuvendin e Republikës si deputet i PS-së dhe përfaqëson rrethin e Peqinit, analizon në një intervistë për “Shqip” zhvillimet e freskëta të realpolitikës pas konstituimit të Parlamentit dhe qeverisjes së re. A ka probleme brenda mazhorancës dhe cilat janë sfidat e Edi Ramës? Pikëpyetje që parlamentari Alfred Peza, u përgjigjet duke elaboruar një opinion, duke kërkuar natyrshëm nisjen e një debati racional në opinionin publik shqiptar…
Z. Peza, hyrjen tuaj rishtas në Parlamentin shqiptar e metaforizuat me nisjen e shkollës, duke sjellë edhe konsiderata për “shokët e klasës së opozitës”…, megjithëse është herët për një gjykim real, cila është përshtypja e parë e juaj për legjislativin dhe mundësitë për të qenë në lartësinë institucionale të tij?
Kur hyra për herë të parë në Parlament si deputet, m’u duk si një rikthim ndryshe në shtëpinë e vjetër. Ambienti ishte shumë i njohur për mua, qoftë si godinë, qoftë sa i përket shumicës së njerëzve dhe punës që bëhet aty. Sigurisht, me një përgjegjësi shumë të madhe mbi supe, i vetëdijshëm për obligimin që më jep vota masive e qytetarëve të zonës sime elektorale në rrethin e Peqinit, por edhe vota e shqiptarëve për PS më 23 qershor. Është herët që të flas me siguri për nivelin e përgjithshëm të ligjvënësve, krahasuar me Parlamentet e legjislaturave të tjera. Ajo që mund të them që në fillim, është se përbërja e Kuvendit, është pasqyrë besnike e stadit demokratik të vendit, standardit të zgjedhjeve dhe gradëve të lirive politike që gëzojmë aktualisht. Fakt është se e majta ka një shumicë prej 3/5 e votave në Parlament. Rezultat ky që pas rënies së komunizmit, e djathta e kishte pas zgjedhjeve të 22 marsit 1992 dhe e majta pas zgjedhjeve të 29 qershorit 1997. Të dyja rastet, janë shpërdoruar nga fituesit. Pasi nuk arritën që të bënin reforma të thella, për ta shndërruar këtë vend, në një shtet normal, me demokraci të shëndoshë dhe ekonomi të zhvilluar. Kjo është e treta e vërteta. Një rol të dorës së parë në këtë sfidë historike, ka edhe legjislativi, pjesë e të cilit tashmë jam edhe unë. Do të bëj gjithçka varet nga unë, për të dhënë kontributin tim të pakursyer.
Me nisjen e punës së qeverisë “Rama” ka dy momente që kritikohet nga opozita dhe një pjesë të analistëve, për çështjen e transparencës së punës së qeverisë dhe performancën e Ramës në Kosovë, si dhe me takimet me Presidentin maqedonas, Ivanov. Ndërkohë që nuk është analizuar vizita në Bruksel. Në fakt, për vendimet e qeverisë, kryesisht aktet dhe emërimet, duket se ka një strategji komunikimi për transparencë me “pikatore”, kryesisht sipas “këshillës së rreptë të mjekut”? Cili është gjykimi juaj edhe pse jemi ende herët?
Në Shqipëri, për arsye edhe historike, ekziston një kulturë e sjelljes publike në raport me liderët apo udhëheqësit politikë, ku njerëzit kanë prirje të bëhen me të dhunshmin përpara të sjellshmit. Me të fortin, përpara të kulturuarit. Me muskujt, përpara trurit. Me atë që të rreh apo të vret, përpara atij që nuk e bën këtë. Kjo u pa edhe gjatë fushatës së fundit elektorale, ku në zona të caktuara, një pjesë e njerëzve zgjodhën të mbështesin ata që kishin një qasje force për të marrë një mandat në mënyrë që të zgjidhin ndonjë hall personal, përpara kandidatëve që sot do ishin më pranë zgjidhjes së halleve dhe problemeve të tyre në veçanti dhe të komunitetit në përgjithësi. Pjesë e kësaj kulture, u bënë edhe pjesa më e madhe e gazetarëve dhe analistëve, të cilët gjatë fushatës për zgjedhjet e 23 qershorit, mbanin anën e Berishës përpara Ramës. Mbronin qëndrimin sërish në pushtet të Kryeministrit, përpara alternativës së rotacionit të pushtetit, siç edhe është sjellja natyrale e mediave në të gjitha vendet demokratike dhe në të gjitha kohërat. Gjatë këtyre 23 viteve, mediat janë treguar gjithnjë më të pakursyera me Fatos Nanon Kryeministër, sesa me Sali Berishën Kryeministër. Me sa duket, kjo vijë sjelljeje do të vazhdojë edhe me Edi Ramën Kryeministër. Sepse nuk ka si të shpjegohet ndryshe që ende pa filluar akoma nga puna, (Edi Rama ka qëndruar vetëm 24 orë në zyrën e tij të re deri tani) një pjesë e analistëve dhe mediave, po kërkojnë të gjejnë qimen në qull, për qeverinë e re. Sigurisht që kjo s’do të thotë se unë dal garant që Edi Rama do jetë 100% transparent siç ne gazetarët duam. Ajo që marr përsipër, është t’ju them se jam aty, si një garanci më shumë që Edi Rama, nuk do të bëjë me median dhe opinionin publik, gabimet që bëri Sali Berisha si Kryeministër, në lidhje me transparencën e komunikimit dhe standardet e informimit.
Çështja e fotos së Presidentit, të cilën ju e cilësuat si “sherr për mustaqet e Çelos”, solli qëndrime të ndryshme nga zoti Meta, duke krijuar kështu përshtypjen e një diference që mund të rritet. Si e shikoni partneritetin në koalicion?
Një pjesë e medias, nën ndikimin dhe kompleksimin nga opozita e re, por edhe për sensacion, që në momentin e krijimit të “Aleancës për Shqipërinë Europiane”, pas zgjedhjeve dhe ende pa u krijuar qeveria e re, kanë hedhur në treg teza për diferencë, çarje, thyerje e deri në teori konspirative për raportet e Ilir Metës dhe LSI-së me Edi Ramën dhe PS-në. Unë e kuptoj Lulzim Bashën që jep intervista dhe nuk e përmend emrin e Kryetarit të ri të Parlamentit. Edhe ish-kryeministrin Berisha apo dikë tjetër nga lidershipi i opozitës, që kërkojnë të mbajnë gjallë shpresat e mbështetësve të zhgënjyer keqas nga humbja e thellë e 23 qershorit. Por atë pjesë të medias që është profesionale, nuk arrij që ta kuptoj. Meta ka pasur një tjetër qëndrim nga Berisha 4 vitet e bashkëqeverisjes së kaluar, për Ditën e Çlirimit, për disa emërime në institucionet kushtetuese të vendit, për festimet e 100-vjetorit të Pavarësisë etj. Por, ato nuk i penguan që të qëndronin së bashku 4 vjet në koalicion. Në 4 vitet në vijim, unë nuk pres që LSI të ketë qëndrime të unifikuara në çdo gjë me PS, sepse përndryshe ç’kuptim do kishte që të ishim jo një, por dy parti të ndryshme politike. Por, kjo kurrë nuk më bën të mendoj se koalicioni nuk do të funksionojë mrekullisht deri më 2017. Sepse LSI dhe Ilir Meta janë një forcë në rritje, serioze dhe e përgjegjshme politike. Për sa i përket çështjes së fotografisë së Presidentit, përderisa edhe vetë figurat kryesore politike të PD-së nuk e konsiderojnë si një çështje të rëndësishme dhe serioze, nuk ka pse mediat të jenë më të shqetësuara se ato.
Kolegu juaj jo thjesht në politikë dhe në Qarkun e Elbasanit, por që herët, zoti Ben Blushi, në fjalimin e tij në Kuvend tregoi se ka një mosdakordësi në PS në lidhje me ndarjen e mandateve. Në opinion qarkullojnë zëra lidhur me një ftohje mes Ramës dhe një pjese të mirë të “elitës” së selisë rozë e cila mbeti jashtë ekzekutivit. Mendoni se kjo situatë mund të sjellë përplasje brenda partisë?
Një nga dimensionet e PS, si forca politike më e madhe dhe më demokratike në Shqipëri, është liria për të ruajtur individualitetin dhe personalitetin e drejtuesve, deputetëve dhe anëtarëve të saj. Ben Blushi është një personalitet i PS-së, i të majtës dhe politikës shqiptare dhe është krejt normale që të ketë dhe të shprehë mendimet e tij për gjithçka, përfshi dhe një çështje si kjo e ndarjes së mandatit të deputetit nga funksionet e ministrit në qeverinë e Kryeministrit Rama. Blushi dhe figura të tjera në PS, e kanë bërë këtë gjithherë. Dhe do të vazhdojnë ta bëjnë. Të shqetësuar duhet të jemi të gjithë, vetëm atëherë, nëse kjo nuk do të ndodhë më. Unë e shoh tani PS nga brenda dhe mund t’ju konfirmoj se nuk ka asnjë ftohje mes Ramës dhe asaj që ju e quani “elita” e selisë rozë që mbeti jashtë ekzekutivit. E majta në Shqipëri është e kundërta e të djathtës. PS bashkohet në qeverisje dhe ndahet në opozitë. PD saldohet në mazhorancë dhe thërrmohet në opozitë. Këta 23 vjet kanë qenë të mjaftueshëm për ta vërtetuar këtë.
5. Në Bruksel, krerët e BE-së e bënë të qartë se kërkojnë nga Rama hapa konkretë në luftën kundër korrupsionit, ndërkohë që ka një situatë johomogjene në drejtësi, ku prokuroria apo edhe KLD kanë një reputacion publik se nuk kanë vullnet politik. Sipas jush si mund të fitohet kjo luftë nëse nuk ka një përbashkim vullnetesh…
Lufta kundër korrupsionit, krimit në përgjithësi dhe atij të organizuar në veçanti, janë ndër sfidat kryesore të mazhorancës dhe e shoqërisë sonë. Ne kurrë nuk kemi për ta fituar këtë betejë, nëse nuk arrijmë të identifikojmë dhe të luftojmë në radhë të parë, shkaqet dhe të ndalojmë ushqimin e rrënjëve të tyre. Për fatin tonë të mirë në këtë rast, ne jemi një vend i vogël, me popullsi të vogël ku të gjithë i njohin të gjithë dhe pothuajse e dinë se çfarë bëjnë të gjithë. Ndaj, edhe kontrolli territorial mbi krimin dhe korrupsionin, është më i thjeshtë. Por, për këtë duhet në radhë të parë një vullnet i madh nga ana e qeverisë dhe mazhorancës që ajo përfaqëson. Politika ka ligjësitë e saj të çuditshme. Armiku ynë më i madh sot, është ajo që ishte edhe aleati ynë më i madh: Vota plebishitare e shqiptarëve. Sepse sot e tutje, pritshmëria e tyre ndaj nesh, është më e madhe se kurrë. Ne duhet të dimë që ta lexojmë akoma edhe më mirë këtë pritshmëri, për të mos i zhgënjyer ata. Sami Frashëri te “Shqipëria ç’ka qenë, ç’është dhe ç’do të bëhet” shkruan se udhëheqja bëhet me shembull personal. Nëse i pari i fshatit merr për vete një kokërr vezë, atëherë të tjerët do të marrin kotecin me gjithë pula. Shteti ynë qëndron mbi tri kolona. Nëse ekzekutivi dhe legjislativi do të qëndrojnë drejt dhe do të jenë të fortë edhe kolona e drejtësisë do të forcohet dhe drejtohet njëherë e përgjithmonë. Vetëm kështu mund të fitohet kjo luftë dhe përbashkohen vullnetet e të gjithëve. Nuk ka qytetarë të mirë apo të këqij. Por, ka sisteme dhe vullnete të mira ose të këqija. Nga këtu fillon dhe mbaron jo vetëm lufta kundër korrupsionit dhe krimit. Por, këtu fillojnë dhe mbarojnë qeverisjet e mira dhe qeverisjet e këqija, shtetet normale nga ato anormale, demokracitë funksionale nga sistemet hibride ose demokracitë e dështuara.
Z. Peza, ju sapo jeni caktuar nga grupi i PS-së në postin e nënkryetarit të Komisionit Parlamentar të Arsimit, Medias dhe Kulturës. Cili është opinioni juaj në lidhje me reformimin e medias publike në vend, rregullimin e tregut për median private dhe marrjen nga shteti të përgjegjësive për të ndikuar në trajtimin e gazetarëve, që të mos ketë abuzime dhe punë në të zezë?
Kjo është detyra e parë politike që më ngarkohet, për të cilën do angazhohem për ta realizuar me sa më shumë sukses. Programi i PS-së për një Rilindje Shqiptare dhe programi i qeverisë “Rama”, parashikon një sërë reformash të thella në fushën e veprimtarisë së komisionit parlamentar që do të drejtoj. Reforma këto që do të kenë nevojë edhe për një bazë sa më të thellë e të qëndrueshme ligjesh të reja apo rregullimesh në paketat ekzistuese. Kjo ma shton edhe më shumë ndjenjën e përgjegjësisë në përmbushje të detyrës. Mediat publike, janë ato që e kanë edhe më ulëritëse, nevojën për një reformim rrënjësor, në mënyrë që t’ia rikthejmë sa më shpejt ato, pronarit të tyre të vërtetë: Opinionit publik shqiptar. Reformimi i mediave publike do të rirregullonte balancat e shprishura keqas në tregun e mediave shqiptare. Gjë që do të rriste konkurrencën, cilësinë dhe do t’i fuste njëherë e përgjithmonë mediat në rrugën e kërkesë-ofertës së ekonomisë së tregut. Duke i larguar ato nga ndikimi i politikës së ditës dhe raportet me pushtetet okulte. Kjo reformë do të sjellë për rrjedhojë edhe rregullimin dhe vetërregullimin e marrëdhënieve të gazetarëve me tregun dhe punëdhënësit. Rritja e pandalshme e penetrimit të internetit dhe e peshës së mediave të saj, janë një tjetër sfidë. Sikundër edhe dalja e mediave të reja, që kanë shoqëruar gjithmonë periudhat pas rotacioneve të pushtetit në Shqipëri.