Kulturë Një ruse për teatrin shqiptar

Një ruse për teatrin shqiptar

461
SHPËRNDAJE

Historia e regjisores Zina Andri/ Nga Moska në Tiranë, duke ndjekur dashurinë… Rrugëtimi i artistes, e cila ngjiti për herë të parë në skenën e teatrit “Shtëpinë e Bernarda Albës”

Kur Zinaida Andrejenko, studentja e diplomuar në universitetin “Lunaçarski” të Moskës në degën e mjeshtërisë së aktorit, udhëtoi drejt Shqipërisë, ishte e bindur se rruga e zemrës ishte ajo që duhet të zgjidhte. Vitet në Moskë, orët e gjata në teatrin rus, prirja e saj ndaj teatrit sentimental, e bënë vajzën bionde ta linte Rusinë dhe t’i thoshte “po” dashurisë së studentit shqiptar Andon Pano për të lidhur bashkë martesë e për të jetuar në Shqipëri… Ishte vetëm 24 vjeçe kur u takuan bashkë në Bashkimin Sovjetik, ku Pano kishte shkuar për specializim. Për Zinën vitet në Moskë mbetën përgjithmonë brenda saj, jo vetëm si vitet e bukura të dashurisë, por dhe si vitet që rritën tek ajo ndjesitë për teatrin. Nëse në Moskën ku mbrëmjeve ishte aq ftohtë, ajo ëndërronte të ishte aktore, kjo ëndërr do të fashitej dalëngadalë që në ditët e para të qëndrimit në Tiranë. Me të ardhur në Shqipëri, ajo filloi punë në Teatrin e Ushtrisë. Në vitin 1950, ajo hyn në Trupën e Teatrit Popullor duke u bërë një nga femrat e para regjisore, e cila përgjatë karrierës së saj realizon 20 premiera. Në arkivin e kohës mund të gjesh fjalë të pafund të shkruara nga kolegët e teatrit për Zinën, gruan që pavarësisht se humbi shumë gjëra nga jetesa e saj në Shqipëri, përfshi këtu dhe bashkëshortin, me të cilin u nda, iu përkushtua të vetmes gjë që e mbante fort në këtë qytet plot rregulla të atyre viteve, teatrin. Në vitin 1963, ajo ngjit në skenën e Teatrit një nga dramat më të njohura të Federiko Garsia Lorkës, një dramë e cila vazhdon të inspirojë regjisorët e teatrit sot, “Shtëpia e Bernarda Albës”. “Merita e regjisores në inskenimin e kësaj vepre, ndër të tjera qëndron në krijimin e atmosferës dhe në gjetjen e stilit të autorit. Rryma e fshehur e aksionit të nëndheshëm, rrezet e largëta të dritës që mezi hyjnë nëpër një dritare të vendosur thellë, në një qoshe të skenës, na bëjnë ta shikojmë me të vërtetë burg shtëpinë e Bernardës dhe të ndiejmë se sa të vështirë e të pamundur e kanë çupat e kësaj fanatikeje të tërbuar të fitojnë lirinë e dëshiruar, pa përmbysje të rendit ekzistues. Se në të vërtetë, shtëpia e Bernarda Albës është simboli i Spanjës. Mendoj se regjia ka mundur të bëjë të tingëllojë në skenë domethënien finale ideo-artistike të autorit: kryengritja e vetmuar e Adelës kundër rendit shoqëror, s’mund të kurorëzohet me fitore pa kryengritje të përgjithshme…”, thuhet në një nga shkrimet e kohës për dramën nën regjinë e Zina Andrit. Regjisorja ia kishte besuar personazhin e Bernardës, Marie Logorecit, në rolin e Magdalenës ishte Violeta Manushi, gjyshja interpretohej nga Behije Çela, Ponsia nga Marika Kallamata, në rolin e Martirios ishte aktorja Liza Vorfi. Duket se dramaturgjia spanjolle është e dashur për regjisoren e cila sapo i kishte kaluar të 30-at. Po atë vit, ajo ngjit në skenën e teatrit një tjetër vepër nga dramaturgjia spanjolle të autorit Lope De Vega, “Qeni i kopshtarit”, një komedi e ndërtuar mbi një linjë dashurore. Kritika e kohës shkruan për këtë vepër: “Guximi krijues i regjisores shihet dhe në ndarjen e roleve: Dy personazhet kryesore të komedisë Diana dhe Teodori, luhen respektivisht nga Besa Zheji dhe Naim Frashëri, aktorë të njohur të dramave të forta”. Zina Andri kishte aftësinë të futej brenda karakterit të personazheve dhe ta sinjifikonte atë me portretin e një prej aktorëve të Teatrit, duke i lidhur menjëherë aktorin dhe rolin. Ndoshta kjo i bënte shfaqjet e saj të ishin të pëlqyera, fakti që aktorët ishin aq të ngjashëm me personazhet që interpretonin. Një vit më vonë, ajo ngjit në skenën e teatrit dramën e shkrimtarit francez Emanuel Roble, “Monserra”, një vepër e cila ishte nën kornizat e teatrit të realizmit socialist, e konsideruar si një vepër e fuqishme antiimperialiste dhe antikolonialiste. Për këtë dramë, ajo përfshin aktorë të mirë të teatrit si Kadri Roshi, Sandër Prosi, Besa Zheji, Besim Lëvonja, Sulejman Pitarka etj. Ndër shfaqje të tjera të suksesshme të saj mund të përmendet “Shërbëtori i dy zotnive” dhe “Votra e huaj” e Ndrekë Lucës, e cila është dhe e vetmja pjesë shqiptare. Për shkak të gjuhës, edhe pse ajo u bë një njohëse e mirë e shqipes, Zina pati më shumë lehtësi në sjelljen në teatër të dramaturgjisë së huaj. Për më shumë se 20 vite, kjo regjisore që thirrej nga të gjithë me dashuri si “ruska”, do të ishte aktive në jetën artistike të Teatrit Kombëtar, duke ndihmuar në rritjen e tij profesionale. Zina arriti të përshtatej me kornizat e realizmit socialist në teatër, por dhe të dilte me stil prej tyre. Duke pasur parasysh pjesët që ajo vuri në skenë, lirinë që u ka dhënë personazheve dhe konceptet regjisoriale, Zina mundi të sillte një teatër të denjë për çdo skenë të botës. Të qenët e huaj nuk ka qenë gjithnjë pozitive për regjisoren. Në shtypin e kohës, gjejmë dhe kritika për mosnjohjen e mirë të shqipes, apo kujdesin që duhet të ketë ndaj dramaturgjisë kombëtare. Por… pavarësisht kritikave dhe jetës së vështirë që iu desh të bënte në Shqipërinë socialiste, Zina Andri do të kujtohet gjithmonë në historinë e Teatrit Kombëtar Shqiptar, jo vetëm si regjisorja e parë femër, por dhe si artistja e cila ngriti konceptet e para të një teatri të lirë… Ajo u largua nga teatri në vitin 1975, kur doli në pension dhe mbylli sytë përgjithmonë më 15 janar të vitit 1980. Portreti i saj është në një nga imazhet e postës shqiptare.

[callout]“Qeni i kopshtarit” nga Lope de Vega

Një regjisore e guximshme

Një problem aq tragjik siç ishte për kohën, lufta kundër ndarjes së Kastës, pushteti tiranik i së cilës bëhet pengesë për realizimin e dashurisë, trajtohet nga mjeshtri Lope de Vega në “vogëlsirat” e saj humoristike, duke na dhënë kështu komedinë e shkëlqyeshme të situatave, “Qeni i kopshtarit”. Dashuria nuk respekton rangun, nuk i nënshtrohet atij. Kjo e vërtetë e përjetshme si shprehje e konfliktit të pasqyruar në vepër, është dhe shpjegimi i vetë jetës gjatë kësaj komedie treqindepesëdhjetëvjeçare. Në qytetin e Napolit, që ndodhet nën sundimin spanjoll, jeton Diana, kontesha e Belforit, e cila njihet jo vetëm për bukurinë, por edhe për urrejtjen që ka ndaj burrave. Rivalizojnë për të markezi Rikard dhe konti Frederik, por asnjëri prej tyre nuk është i zoti ta bëjë për vete zemrën e konteshës kryelartë. Në të vërtetë “urrejtja” ndaj burrave e Dianës nuk është aq serioze, meqë ajo dashuron fshehur sekretarin e saj Teodorin, i cili duke mos marrë guximin ta shohë veten as në ëndërr me konteshën, bën dashuri me shërbëtoren Marcela. Dianës i lind xhelozia kur merr vesh këtë gjë dhe vihet para dilemës: të martohet me Teodorin nuk ia lejon rangu, të mos martohet me të, s’është e zonja, sepse e dashuron marrëzisht dhe nuk mund ta shohë se si ia merr një femër tjetër. Atëherë? “Më mirë asnjëra, as unë as Marcela!, mendon ajo. Dhe fillojnë kështu duke u lidhur e zhvilluar njëra pas tjetrës situatat humoristike virtuoze të qenit të kopshtarit, i cili vetë nuk ha, megjithëse është i uritur, por as të tjerët nuk i lë të hanë.

Regjisorja Zina Andri është hera e dytë që inskenon në Teatrin Popullor një kryevepër të komediografisë klasike botërore. Qysh nga vënia në skenë e veprës së Goldonit “Shërbëtori i dy zotërinjve”, mjetet e saj artistike janë pasuruar mjaft. Ajo e ka konceptuar spektaklin si një tërësi organike. Domethënia ideo-artistike dhe stili i autorit përputhen me afrimin që ajo i ka bërë në kohë veprës duke i drejtuar aktorët në një aktrim më të përditshëm nga sa mund ta përligjë, në dukje periudha e zhvillimi i ngjarjes. Guximi krijues i regjisores shihet dhe në ndarjen e roleve: Dy personazhet kryesore të komedisë, Diana dhe Teodori, luhen respektivisht nga Besa Zheji dhe Naim Frashëri, aktorë të njohur të dramave të forta. (Megjithëse Frashëri dikur pat shkëlqyer në episodin komik të Mahmutit te “Halili dhe Hajria”). Diana e Besa Zheji e dominon skenën me prezencën e saj: është e shkathët dhe tërheqëse, ajo e ka ndërtuar figurën duke theksuar më tepër anën egocentrike të Dianës me një ritëm që fillon qysh në skenën e parë në gradën më të lartë të vlimit, por shpresat tona për të qeshur me situatat e saj, avullohen shpejt, sepse shqetësimi i përhershëm i konteshës, i justifikuar nga rrethanat, e çon aktoren në një nervozizëm të rëndë, i cili ndoshta vjen nga një keqkuptim. Ndryshimi i shpeshtë i gjendjes shpirtërore të Dianës nuk rrjedh nga xhelozia dhe karakteri i saj kapriçioz, por këto të fundit janë pasqyrim i pengesave të panumërta që vështirësojnë realizimin e dashurisë së saj: pengesa brenda vetes, për të mundur fodullëkun klasor dhe jashtë saj, konvencionet shoqërore, sepse siç e shohim në aktin e tretë, ku pengesat kapërcehen, Diana nuk është më as kapriçioze e as xheloze. Sidoqoftë aktorja ka për të bërë shumë akoma: në drejtim të të folurit skenik, sidomos për të pastruar disa kantilena të mbetura nga e kaluara…

Nuk mund të regjistrohet si plus i spektaklit fakti se, dy figurat më të goditura artistikisht nga ana e interpretimit janë çifti i shërbëtorëve Tristani i Lazër Filipit dhe Marcela e Margarita Xhepës. Spostimi nga ana e regjisë i nyjave humoristike të spektaklit prej duetit Diana – Teodor, vetëm te dredhitë e Tristanit, besoj se ka ardhur nga moskuptimi i situatave qendrore komike, të cilat padyshim janë skenat e Dianës me Teodorin. Lazër Filipi, si të thuash, luan tri role në këtë shfaqje: Tristanin, Tregtarin grek dhe Vrasësin. Me një lehtësi dhe mençuri të atillë i zgjidh problemet dhe kombinon dredhitë e veta Tristani-Lazër, saqë është e vështirë të mendohet një shërbëtor më i përsosur për Teodorin. Pa dashur, aspak të bëhet i mërzitshëm me praninë e tij, ai ndodhet kudo për të ndihmuar dashnorët e zhdukur si kamfori kur e do nevoja, duke lënë veshët e tij të mprehtë në vendin e ngjarjes për të mos humbur asgjë nga ato që flitet. Humor, shkathtësi dhe elegancë janë tri vetitë kryesore të Filipit në këtë spektakël. Mbas Ofelisë, Kleas dhe Melës, aktorja Margarita Xhepa na dha një figurë të re (dhe sa të ndryshme!) në personazhin e Marcelës. Vërejmë se gama e kësaj aktoreje po zgjerohet e pasurohet nga roli në rol. Mjeshtëria artistike dhe forca e saj e brendshme janë rritur shumë. Kthesat e shpeshta komike në marrëdhëniet me Teodorin i ka zgjidhur me lehtësi, por edhe me temperament. Ajo është plot lirizëm dhe hir kur orvatet ta bëjë xheloz dashnorin e saj, i cili e ka braktisur dhe sidomos në skenën e pajtimit në aktin e dytë kur bëhet ndërmjetës Tristani, aktorja është me të vërtetë virtuoze: mbërrin që edhe një fjalë ta ndajë në dysh si mendim: me gjysmën refuzon pajtimin, me gjysmën tjetër e pranon. Përkthimi i komedisë nga S.Broja në përgjithësi, lë përshtypje të mira, por po të ishte bërë në vargje, siç është origjinali, ndoshta Lope De Vega do të kishte tingëlluar edhe më mirë.

Shkrim i botuar në vitin 1963.[/callout]

 

Aktorja e njohur Margarita Xhepa kujton tre rolet që i besoi regjisorja Andri

Kur interpretoja Mashenkën ruse

“Aktorja Margarita Xhepa na dha një figurë të re (dhe sa të ndryshme) në personazhin e Marçelës. Vërejmë se gama e kësaj aktoreje po zgjerohet e pasurohet nga roli në rol. Mjeshtëria artistike dhe forca e saj e brendshme janë rritur shumë. Kthesat e shpeshta komike në marrëdhëniet me Teodorin i ka zgjedhur me lehtësi, por edhe me temperament. Ajo është plot lirizëm dhe hir kur orvatet ta bëjë xheloz dashnorin e saj, i cili e ka braktisur dhe sidomos në skenën e pajtimit në aktin e dytë kur bëhet ndërmjetës Tristiani, aktorja është me të vërtetë virtuoze…”. Kështu shkruan në vitin 1963 regjisori Mihal Luharasi për rolin e Marçelës, interpretuar nga aktorja Margarita Xhepa në komedinë “Qeni i kopshtarit” me regji të Zina Andrit. Një rol që edhe pse kanë kaluar më shumë se 50 vjet vazhdon të mbetet i dashur në kujtesën e aktores. “Roli i Marçelës ka qenë roli im i parë në një nga veprat me regji të Zina Andrit. Ishte një rol i bukur, por që e bëri më të bukur e interesant ndihmesa që vetë regjisorja i dha këtij roli. Ajo ndihmonte me këshillat e saj, për të krijuar një karakter sa më të këndshëm…”, thotë aktorja Margarita Xhepa vite më pas. Për të, regjisorja ruse Zina Andri, ishte një fat për teatrin dhe dramaturgjinë shqiptare. “Ajo është një regjisore që do të mbetet në kujtimet dhe jetën time artistike e paharruar. Ishte tepër e talentuar. Fakti që kishte mbaruar për teatër në një nga shkollat më të mira ruse, e bënte atë të ishte një ndërthurje e përkryer mes aktores dhe regjisores duke i bashkuar bukur të dyja këto aftësi në realizimin e një vepre. Ishte fati ynë që ajo erdhi në Shqipëri”, thotë Xhepa. Me regjisoren Andri aktorja do të interpretonte tre role. Pas Marçelës që do ta bënte figurën e saj më të dashur për spektatorin dhe kritikën, Xhepa do të interpretonte rolin e Majlindës në veprën e dramaturgut Xhemal Broja. Një rol që i ishte besuar dhe ishte interpretuar fillimisht nga aktorja Besa Imami. “Besa u sëmur gjatë kohës që do të vihej shfaqja dhe u shtrua për pak kohë në spital, kështu që unë zëvendësova interpretimin e saj në rolin e Majlindës. Ishte një rol që e kisha me shumë dëshirë. Kur i thashë Zinës që doja ta interpretoja këtë rol, ajo më dha shumë mbështetje duke më thënë: ‘Shumë bukur bravo, ti mund ta bësh!’. Gjatë gjithë provave ajo më ndihmoi që ta krijoja siç duhet këtë personazh i cili u prit mirë nga publiku”, kujton Xhepa. Roli i tretë në një regji të Andrit ishte ai i Mashenkës, një vajze të re ruse, një rol tepër i dashur për regjisoren i cili i kujtonte kohët në Rusi. “Zina thoshte se unë dhe ky personazh ishim aq të ngjashme. Unë i ngjasoja aq shumë Mashenkës dhe me fytyrën time të bardhë ngjaja si një ruse. Më kujtohet një gërshet që kisha si Mashenka. Për të unë isha një gërshetim i aktores me personazhin. E doja shumë atë rol, të cilin Zina më ndihmoi ta realizoja ashtu siç duhet. Zina jepte këshilla të çmuara që për mua si aktore e re atëherë, do më vlenin shumë në karrierën e mëvonshme”, kujton Xhepa. Për të, Zina Andri ishte një artiste e dashur, e cila me punën e saj mjeshtërore do të mbetet gjatë në kujtesë. “Unë e kujtoj me mall dhe me respektin më të madh këtë grua të talentuar që i dha aq shumë teatri shqiptar”, thotë Xhepa.