LEONARD BODURI


Leonard BoduriAta që ranë nga “gomari” më 23 qershor nuk kanë mundur të gëlltisin shuplakën e fortë të sovranit dhe janë duke përhapur në erë panik dhe pesimizëm për të ardhmen ekonomiko-financiare të vendit. Menjëherë pasi partia kryesore e opozitës së re zhvilloi me emergjencë dhe pa pikë përgjegjësie publike farsën e parë për garën e brendshme për kreun e saj, deputetët e opozitës kanë filluar të tundin në ajër me vetëkënaqësi dhe me kërcënim dordolecin e krizës së mundshme ekonomike që mund të prekë vendin. Teoria e tokës së djegur duket se po udhëheq veprimet e opozitarëve të rinj në strategjinë e tyre për të rifituar mbështetjen e sovranit. Kaq shumë u ka mbetur peng deputetëve të opozitës humbja e 23 qershorit, sa që akuzojnë me mllef shqiptarët pse u gënjyen dhe nuk u dhanë mandatin e tretë që do t’u sillte përparim të madh vendit. Gjynah në fakt, se në drejtimin e tyre edhe për pak dhe po ia kalonim Gjermanisë në maj të këtij viti, por për tre muaj duket se ka ndodhur kiameti. Skenari aq i dëshiruar në parashikimet e opozitës është ai i shembullit të Papandreut, në drejtimin e të cilit gjendja ekonomike e Greqisë arriti në gjendje falimentimi të shtetit. Ish-mazhoranca, nga ana e saj, nuk mund të ndihet përgjegjëse për çorbën financiare që ka gatuar për 8 vjet rresht me duart e saj, por detyra e saj është të sulmojë me të gjitha mjetet mazhorancën e re për 15 ditët e saj të para të papërgjegjshme në qeverisje.


Natyrisht opozita e re dhe ndonjë deputet “i thjeshtë” i saj diçka duhet të dijë më shumë se të gjithë ne për gjendjen e financave të vendit dhe të ketë gisht për këtë situatë të krijuar, por nuk është koha për të gjetur fajtorin. Tashmë është koha që vëmendja të përqendrohet tek ekonomia. Është koha që reformat në fushën fiskale përveç ndryshimeve në letër të kenë në krah të tyre një aleat të madh, publikun. Mirëpo si mund të jetë pjesë e reformave fiskale publiku i gjerë? A nuk duhet të jenë organet qeverisëse përgjegjëse për mbledhjen e tatimeve dhe taksave në mënyrë të drejtë dhe korrekte? Ç’na duhet ne, publikut demek, të përfshihemi në një punë për të cilën nuk paguhemi, apo u dashka të “certifikohemi” të gjithë si taksidarë për të përmirësuar situatën financiare dhe buxhetore? Në fakt suksesi apo dështimi i qeverisë ka të bëjë kryesisht me përmirësimin e gjendjes ekonomike të vendit dhe të treguesve kryesorë makroekonomikë. Vendi ynë përballet me një sërë problemesh administrimi shtetëror, por një nga faktorët kryesorë të përmirësimit të tij do të fillonte me reduktimin e evazionit fiskal. Nuk është e nevojshme të bëjmë populizëm dhe moral të kotë, por mund të iniciojmë një ide për zbatimin e një modeli fiskal, ku familjet shqiptare do të jenë të interesuara të përfshihen në këtë model.


Qeveria e re nuk ka për detyrë vetëm të merret me rregullimet estetike të sallave dhe perdeve të godinës kryeministrore, por pikësëpari duhet të merret me përmirësimin e treguesve ekonomikë dhe fiskalë. Nëse ecuria e ekonomisë dhe rritjes së saj varet si nga faktorë të kontrollueshëm ashtu edhe nga faktorë ta pakontrollueshëm, për sa u përket treguesve fiskalë, ata janë përgjegjësi e drejtpërdrejtë e qeverisë. Deri më tani, një nga çështjet më shqetësuese për biznesin ka qenë diferencimi në aplikimin e tatimeve dhe taksave, duke i vënë shpeshherë bizneset në kushte të pabarabarta konkurrence. Nga ana tjetër, ky preferencialitet i lartë në vjeljen e taksave ka stimuluar fshehjen e të ardhurave të tatueshme, për shkak të padrejtësisë së perceptuar dhe pasigurisë për të ardhmen. Natyrisht pajisja e bizneseve me kasa fiskale është konsideruar një reformë e rëndësishme, por rezultatet e saj janë larg pritshmërive. Besoj se nuk do të konsiderohem si marsian, nëse do të pohoj se në pjesën më të madhe të shërbimeve që përfitojmë çdo ditë në minimarkete, në karburante, në kafenetë dhe restorantet, fatura fiskale na ofrohet me përtesë ose kur e kërkojmë, duke përjashtuar këtu vetëm disa rrjete shërbimesh apo supermarketesh kryesisht të administruara nga kompani prestigjioze. Pajisja me faturë tatimore në shumë pika prodhimi apo shërbimi mund të konsiderohet luks i tepruar. Nga ana jonë (e konsumatorit) nuk shohim ndonjë arsye të fortë për të kërkuar me insistim faturën tatimore, kur nuk kemi asnjë interes për të mbajtur disa copa letre në dorë me shpresën për t’i hedhur sa më shpejt në një kosh plehrash. Nëse në këto fatura do të kishim të mundur të përfitonim një rimbursim sado të vogël, puna do të ishte ndryshe.


Një nga mënyrat më efektive të aplikuara për të përmirësuar treguesit fiskalë është rimbursimi i pjesshëm i TVSH-së në bazë familjare. Në disa vende aplikohet me sukses rimbursimi i plotë ose i pjesshëm i TVSH-së, duke reduktuar ndjeshëm evazionin fiskal dhe duke rritur konsumin në tregun e brendshëm. Prioritet mund të jetë rimbursimi i TVSH-së me një nivel më të lartë për familjet me të ardhura më të ulëta, duke qenë lehtësisht i matshëm konsumi i tyre. E parë në planin afatgjatë, një reformë e tillë në sistemin fiskal do të rrisë natyrshëm të ardhurat buxhetore, si dhe do të ndikojë për mirë në ndjeshmërinë qytetare për peshën e shtetit dhe sjelljen ndaj dukurisë së korrupsionit. Reduktimi i evazionit fiskal do të ketë ndikim të lartë në vëmendjen e publikut, në mënyrën se si do të menaxhohen fondet publike. Nuk mund të ecet pambarimisht me moton ne bëjmë sikur paguajmë taksat dhe shtetarët bëjnë sikur na shërbejnë. Pritshmëria e publikut ndaj kësaj qeverisje të re është shumë e lartë, por përfshirja e plotë e publikut në suksesin e saj nuk mund të ofrohet “pa interes”. Shpresojmë që të mos zhgënjehemi këtë herë…