Ish-ministri demokrat i Financave, Ridvan Bode deklaroi se Fondi Monetar Ndërkombëtar dhe Qeveria shqiptare janë përfshirë në një kompromis të heshtur, për të transmetuar në publik situatën e një krize, sipas tij jo reale.
“Për herë të parë, ministri i Financave dhe shefi i Misionit të Fondit janë në një unison, sepse secili kërkon të nxjerrë përfitimet maksimale të kësaj situate. Fondi është i interesuar për një marrëveshje dhe për fat të keq, ministri i Financave deklaroi një ditë më parë, se është i interesuar ta rrisë borxhin publik për ta çuar në parametrat 70 apo 73 për qind”, tha Bode.
Zoti Bode thotë se kjo marrëveshje, sipas tij për interesa të ngushta, është e dëmshme për vendin dhe e çon ekonominë në drejtim të panjohur.
“Sigurisht tani secili ka interesin e tij dhe unë mendoj që një ditë më parë kanë dalë të dy me përfitim, por vendi merr një orientim dhe drejtim të papërcaktuar”, thotë Bode.
Ish-kryefinancieri i djathtë listoi një sërë argumentesh, që siç thotë, rrëzojnë pretendimet e Qeverisë dhe FMN-së fillimisht për borxhin e prapambetur 55 miliardë lekësh, që shteti ka ndaj privatëve.
“Ministri i Financave deklaroi publikisht se përbën borxh mospagimi i detyrimeve që institucionet buxhetore i krijojnë CEZ-it apo KESH-it, në pushtetin qendror dhe në pushtetin vendor në shuma marramendëse. Unë them që kjo është jo korrekte. Detyrimet e pretenduara të firmave për të rimbursuar TVSH-në, thotë 150 milionë dollarë, 300 pretendonin në vitin 2005. Po kështu të justifikohej tejkalimi i shpenzimeve nga disa ministri, të cilat shpejt e shpejt janë ulur dhe kërkojnë të rrisin copën për stomakun e tyre dhe kjo mendoj që nuk është korrekte dhe nuk është në detyrën dhe misionin e ministrit të Financave”, tha ish-ministri.
Bode thotë se ka vetëm një zë ku Qeveria ka detyrime të prapambetura, që është ai i investimeve publike, por shifra është shumë më e ulët nga pretendimi i FMN dhe Ministrisë së Financave.
“Kjo vlerë është 11 miliardë lekë. Edhe sikur të gjithën këtë ta fusin në borxh të fshehur, kjo do të thoshte më pak se 0.7 për qind deficit buxhetor, 0.7 për qind rritje të borxhit publik. Nga 62, po shkon 63, por nuk mund të deklarohet 73 për qind”, tha Bode.
Një ditë më parë Fondi Monetar dhe Ministria e Financave deklaruan se borxhi publik i vendit ka arritur në mbi 70 për qind e Prodhimit Kombëtar, për shkak të ecurisë së dobët të të ardhurave dhe krijimit të detyrimeve të fshehta të Qeverisë.
28 shtator 2013 (gazeta-Shqip.com)