Shkëlqim Cani: Situata është e rëndë. Ahmetaj: Do të ndryshojmë gjithçka në tre vjet


Pritshmëria


-7.2%: Të ardhurat – Për tetë muajt e vitit 2013, të ardhurat totale në buxhet arritën 210.5 miliardë lekë. Pra 7.2% më pak se parashikimi i buxhetit për periudhën dhe 3.8% më pak se e njëjta periudhë e një viti më parë.


+7%: Borxhi – Borxhi publik i pritshëm në fundvitin e 2013-s nuk do të jetë 64%, sa u premtua nga qeveria e mëparshme, por mbi 67%, pa përfshirë borxhin e fshehtë bashkë me të cilin arrin në fundin e 2013-s jo më pak se 71%


32 mld lekë : Pagesa të prapambetura – Fatura që presin likuidimin nga thesari janë afro 9 mld lekë. Janë edhe 6 mld lekë kërkesa për pagesa sociale, ndërsa biznesi kërkon mbi 7 mld lekë rimbursim të TVSH dhe kthimin e rreth 10 mld lekë këste të tatimit mbi fitimin të parapaguara


Shkelqim CaniMinistri i Financave, Shkëlqim Cani, deklaroi se qeveria e mëparshme e ka lënë Shqipërinë në një gjendje kritike financiare, shumë më të rëndë se ajo që tregojnë shifrat zyrtare.


“E vetmja zgjidhje që na la kjo qeveri është thyerja e kufirit të deficitit të borxhit publik, meqë paratë janë harxhuar ndjeshëm në 8 muajt e parë të vitit. Nevojiten jo më pak se 24 miliardë lekë borxh shtesë në 2013-n, ndaj borxhi publik i pritshëm nuk do të jetë 64% sa ç’ishte zotimi i qeverisë së mëparshme, por diçka mbi 67%”, deklaroi Cani.


Por, kriza është edhe më e thellë se kaq. Qeveria me FMN-në llogarisin se veç borxhit zyrtar, shteti ka edhe 50 miliardë lekë të tjera detyrime të prapambetura ndaj privatëve.


“Nëse do të përfshijmë detyrimet e prapambetura, borxhi e kalon shifrën e 70%. Është një situatë me çekuilibra të thellë makroekonomikë në një kohë kur mjedisi ekonomik është i dobët”, deklaroi përfaqësuesi i FMN-së.


Kriza e financave rëndohet nga ngadalësimi i fortë i rritjes ekonomike. Për këtë vit, Ministria e Financave dhe FMN llogarisin se prodhimi kombëtar do të rritet me 1.7-1.9 për qind.


“Presim që rritja vitin tjetër të jetë paksa më e mirë, në 2-2,3%, por edhe kjo do të varet shumë nga veprimet e qeverisë”, shtoi Nadeem Ilahi, shefi i misionit të FMN-së.


Kërcimi i borxhit në nivele kritike dhe pamundësia për ta zbutur atë përmes rritjes ekonomike, sipas FMN-së i imponon Shqipërisë masa të dhimbshme.


“Është e qartë që ka nevojë për një axhustim të ndjeshëm fiskal që kërkon rritjen e të ardhurave nga taksat. Ne kemi diskutuar me qeverinë opsionet e ndryshme se si këto të ardhura mund të rriten. Cilat taksa duhet të ndryshojnë. I morëm të gjitha taksat një nga një për të parë se çfarë mund të bëhet me normat e secilës taksë dhe se çfarë impakti kanë ato tek të ardhurat. Për atë se çfarë do të rekomandonim ne, do t’ia lëmë në dorë ministrit të përgjigjet se cila është taksa e tij e preferuar”, shtoi Ilahi.


“Kuptohet që jemi ne ata që do të vendosim për ato taksa dhe kjo nuk është një çështje që vendoset sot e mund të jepet përgjigje po sot, sepse këto taksa, siç ju thashë do të jenë pjesë e paketës së projektbuxhetit 2014 dhe ne do të mundohemi të gjejmë atë që është më optimalja”, vlerësoi Cani.


Rivënia e borxhit nën kontroll do të kërkojë sakrifica edhe në kahun e shpenzimeve, posaçërisht në skemën e pensioneve.


“Nuk e kemi vendosur ende, është një opsion i hapur, por po të flas si ekonomist, do të pyesja nëse përfshin reforma e pensioneve veç rritjes edhe diçka tjetër. Besoj se do të përfshijë edhe ndonjë gjë tjetër”, komentoi Cani.


“Qeveria është e vendosur dhe e qartë për masat ambicioze, qoftë fiskale dhe reforma strukturore, që duhet të ndërmarrim në tre vitet që vijnë me qëllimin e përbashkët rritjen ekonomike”, deklaroi Ahmetaj, ministër i Zhvillimit Ekonomik, Tregtisë dhe Sipërmarrjes.


Por, pavarësisht gjendjes kritike, të dy ministrat, si Cani, ashtu dhe Ahmetaj deklaruan se qeveria do t’u qëndrojë premtimeve elektorale.


Zoti Cani tha se prioriteti kryesor mbetet ai i shlyerjes së detyrimeve të prapambetura, për të cilat nuk përjashtoi edhe marrjen e një kredie nga FMN apo Banka Botërore.


Deklaratat


Nadeem Ilahi – “Nëse përfshijmë detyrimet e prapambetura, borxhi e kalon shifrën e 70%. Është një situatë me çekuilibra të thellë makroekonomikë në një kohë kur mjedisi ekonomik është i dobët”


Shkëlqim Cani – “E vetmja zgjidhje që na la kjo qeveri është thyerja e kufirit të deficitit të borxhit publik, meqë paratë janë harxhuar ndjeshëm në 8 muajt e parë të vitit”.


Arben Ahmetaj – “Qeveria është e vendosur dhe e qartë për masat ambicioze, qoftë fiskale dhe reforma strukturore, që duhet të ndërmarrim në tre vitet që vijnë, me qëllimin e përbashkët rritjen ekonomike”


[callout]Ndërhyrjet


Buxheti 2013 – Buxheti i vitit 2013 do të dërgohet në Kuvend për rishqyrtim, për ulje të të ardhurave me rreth 40 mld lekë, për ulje të shpenzimeve dhe rritje të deficitit buxhetor me rreth 24 mld lekë


Shlyerja e faturave – Ministri Shkëlqim Cani tha se po bëhet çdo përpjekje për të kapur kohën e humbur me mospagesë prej muajsh nga thesari dhe shpresohet të mbyllet prapambetja brenda këtij viti


Plani


Masat emergjente të qeverisë



  • Zgjerimi dhe rritja e bazës së tatimpaguesve

  • Taksa progresive për të ardhurat personale

  • Heqja e taksës së biznesit të vogël

  • Rritja e tatimfitimit (jo për biznesin e vogël)

  • Shlyerja e detyrimeve të prapambetura ndaj biznesit

  • Mbështetja e shtresave në nevojë për disa artikuj bazë ushqimorë

  • Heqja e TVSh-së për ilaçet dhe shërbimet shëndetësore

  • Rimodelimi i skemës së pensioneve

  • Monitorimi i tarifave dhe humbjeve të energjisë


[/callout]