Sociale Buallica, gjedhi tradicional i Myzeqesë rrezikon zhdukjen

Buallica, gjedhi tradicional i Myzeqesë rrezikon zhdukjen

4105
SHPËRNDAJE

Para një shekulli numëroheshin me mijëra krerë në Ultësirën Perëndimore

Qumështi dhe mishi i buallicave ka më shumë proteina se ai i lopëve dhe gjysmën e sasisë së kolesterolit

Edmond Hoxhaj

BUALLICA14Dikur, në Myzeqe, ishin me mijëra dhe përdoreshin jo vetëm për qumështin dhe mishin e tyre mjaft cilësor, por edhe për transportin, pasi ishin gjedhët e vetëm të cilët mund të jetonin në zona kënetore dhe të tërhiqnin ngarkesa të mëdha nëpër moçalishte. Por, tashmë, në gjithë Ultësirën Perëndimore të Shqipërisë gjenden vetëm dhjetëra ekzemplarë të buallicave, një racë e veçantë e gjedhëve, cilësitë e së cilës njihen e vlerësohen në gjithë botën, veçanërisht për qumështin dhe djathin e bardhë pa kripë. Këta lloj gjedhësh janë konsideruar prej vitesh si specie që rrezikojnë të zhduken në vendin tonë, dhe për këtë arsye, shteti shqiptar ka nisur të subvencionojë fermerët të cilët i mbarështojnë. Në një kohë, kur Italia, një vend fqinj, veç të tjerave njihet në mbarë botën edhe për mocarelën e buallicës, djathin pa kripë të përpunuar në mënyrë artizanale, në Shqipëri kjo racë gjedhësh dikur mjaft e përhapur rrezikon të zhduket njëherë e përgjithmonë.

BUALLICA0

Prej shekujsh, fermerët dhe blegtorët e Myzeqesë por edhe të ultësirave të tjera të vendit, të cilat nuk ishin të bonifikuara dhe që në pjesën më të madhe të vitit ktheheshin në moçale, mbarështonin një racë të veçantë të gjedhëve, atë të buallicave. Kjo, pasi lopët e kishin të pamundur t’u përshtateshin kushteve të këtyre ultësirave kënetore, ndërsa për buallicat ishte habitati i tyre natyror. Ato jetojnë pikërisht në zona moçalore dhe kalojnë një pjesë të mirë të kohës në ujë. Kjo përshtatje e tyre me zonat moçalore e ato kënetore bënte që të ishin mjete të mira transporti, duke qenë se nuk i trembeshin baltës ashtu si lopët. Duke qenë se buajt janë shumë më të fuqishëm se demat ata i tërhiqnin me më shumë lehtësi ngarkesat. Ndërkohë, qumështi i buallicave është më ushqyes nga ai i lopës. Sipas specialistëve veterinarë, qumështi i buallicës përmban më shumë yndyrë, zink dhe më shumë kalcium. Por edhe pse përmban më shumë yndyrë se qumështi i gjedhëve të tjerë, në të gjendet 45% më pak kolesterol sesa qumështi i lopës. Ndërkohë, veterinerët shtojnë se qumështi i buallicës këshillohet të përdoret edhe nga personat alergjikë. Edhe mishi i kësaj race të gjedhëve ka më shumë proteina dhe më pak yndyra të këqija se ai i lopës.

Por, veç këtyre cilësive pozitive, buallica nuk mund të mbarështohet çdo vit ashtu si lopët. Për këtë arsye, gjatë viteve të sistemit komunist, pasi Ultësira Perëndimore dhe ajo e Korçës u bonifikuan dhe zonat moçalore u zhdukën, roli jetik i buallicës për fermerët e këtyre zonave nisi të zbehej. Kjo, pasi mjetet motorike i zëvendësuan aftësitë e tyre transportuese. Ndërkohë, zhvillimi i blegtorisë dhe industrisë së nënprodukteve të qumështit e mishit kërkonte rritjen e shpejtë të numrit të gjedhëve, gjë të cilën buallicat nuk e siguronin dot. Për pak dekada, numri i buallicave në Shqipëri nga mijëra arriti në disa dhjetëra. Në vitin 2004, autoritetet përkatëse shtetërore konstatuan se tashmë kjo specie rrezikonte zhdukjen dhe për këtë arsye u vendos të subvencionoheshin të gjithë ata fermerë apo blegtorë që i mbarështonin. Tashmë janë tre fermerë në Rrethin e Lushnjës, të cilët kanë vendosur ta ripërtërijnë këtë racë të gjedhëve. Ndonëse që prej vitit 2004, shteti ka subvencionuar fermerët që kanë mbarështuar buallicat, numri i tyre mbetet modest. Në Rrethin e Lushnjës, gjenden rreth 37 të tilla ndërsa në Fier asnjë. Shkak i mosinteresimit të fermerëve dhe blegtorëve për mbarështimin e buallicës është fakti se ato nuk riprodhohen çdo vit. Gjithashtu, mungesa e njohurisë së cilësive të qumështit dhe mishit të buallicës nga qytetarët ndikon që ajo të mos kërkohet në treg. Edhe në rajon, gjatë dekadave të fundit, ka pasur rënie të numrit të buallicave. Vendin e parë për mbarështimin e tyre e mban Rumania, më pas Italia e më pak Bullgaria.

 

 

Shifrat

Specialisti Çela: Lushnja ka vetëm 37 krerë buallica

Kryespecialisti pranë Drejtorisë së Bujqësisë së Rrethit të Lushnjës, Isuf Çela, ka pohuar për gazetën “Shqip” se tashmë në këtë zonë ekzistojnë vetëm 37 krerë buallica, për të cilat kujdesen tre fermerë. Ai ka shpjeguar disa nga arsyet pse dikur buallica ishte shumë e përhapur në Ultësirën Perëndimore dhe pse ajo sot rrezikon zhdukjen. “Buallica u mbijetonte kushteve kënetore të Myzeqesë, pasi është një lloj gjedhi që jeton në zona me ujë e në moçalishte. Ato përdoreshin dikur për transport pasi nuk tërhiqeshin edhe kur rrugët ishin me ujë apo baltë. Ndërkohë, edhe qumështi i tyre është i veçantë dhe pa kolesterol dhe mishi është mjaft cilësor, me shumë proteina e pa yndyrat e këqija. Për shkak të humbjes së interesit të tregut për këtë lloj gjedhi, tashmë kanë mbetur pak krerë buallica. Në Rrethin e Lushnjës kanë mbetur rreth 37 krerë, të cilat subvencionohen nga qeveria, ku jepen 500 mijë lekë të reja në vit për një buallicë të rritur dhe 20 mijë lekë për kotorrin, ose ndryshe të voglin e buallicës. Që prej 2004-s, ka nisur subvencionimi nga shteti për mbarështimin e buallicës, e cila rrezikonte atëherë të zhdukej.