Prof. dr. Ermelinda Meski: Profesionalizmi dhe përgjegjshmëria, sfida e vërtetë për progres


Ermelinda MeksiNë nisje të betejës buxhetore të qeverisë së re, si dhe pas rekomandimeve të Fondit Monetar Ndërkombëtar mbi financat publike, ish-ministrja e Ekonomisë, eksperte e financave dhe anëtare e Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë, prof. dr. Ermelinda Meksi u përgjigjet disa pyetjeve mbi ekonominë e aktuale dhe të ardhshme shqiptare.


 


Në përfundim të vizitës dhe vlerësimeve të Fondit Monetar Ndërkombëtar, si dhe pas konferencës së organizuar nga Banka e Shqipërisë dhe universiteti “Oxford”, si është cilësuar aktualisht ekonomia shqiptare?


Përfaqësuesi i FMN-së, Nadeem Ilahi, në prezantimin e tij, në konferencën e organizuar nga BSH dhe “Oxford”, të titulluar “Politikat aktuale dhe sfidat në Shqipëri”, nga pozitat e këtij institucioni konfirmoi situatën problematike të ekonomisë shqiptare, që prej kohësh e kam trajtuar në prononcimet dhe shkrimet e mia publike, duke kapërcyer parashikimet më pesimiste të deritanishme për nivelin e borxhit publik. Konkretisht, ai theksoi se:


1. Rritja ekonomike ka rënë ndjeshëm në 5 vitet e fundit. 2. Deficiti dhe borxhi i lartë janë një rrezik në rritje për stabilitetin makroekonomik dhe rritjen e ekonomisë shqiptare. 3. Deficiti i lartë buxhetor ka rritur borxhin publik, i cili në vitin 2013 mund të arrijë në nivelin 70% të PPB-së, ndërsa në vitin 2018 pritet të tejkalojë 80% të PPB. 4. Politika monetare ka pasur sukses në ruajtjen e stabilitetit të çmimeve, por nuk ka sjellë rritjen e kredisë. 5. Kreditë e këqija kanë ndikuar në rënien e kredisë dhe investimeve.


Panorama e tij për nivelin e borxhit publik tejkalonte në shifra alarmante edhe parashikimet e mia më pesimiste për 2013-n. Ky tregues ishte programuar nga qeveria e mëparshme në nivelin 62,4% të PPB-së, kurse si 7-mujor, ky tregues arriti 63,3% të PPB. Në bazë të ecurisë së situatës aktuale vlerësoj se fundviti mund të mbyllet me një borxh prej rreth 68%, por ky borxh, në fakt, mund të arrijë në 71% nëse përfshihen detyrimet e papaguara të shtetit ndaj palëve të treta, biznesit, kompanive të ndërtimit, etj., që qeveria e re ka shpallur se do ta paguajë. Kjo përbën thelbin e politikave që duhen ndjekur për të ruajtur stabilitetin makroekonomik të vendit si kusht i rëndësishëm për të siguruar ambientin e duhur për rritjen dhe zhvillimin ekonomik, duke inkurajuar aktivitetin e biznesit privat vendas dhe të huaj.


Prandaj, mbi sa më sipër, i adresova z. Ilahi këto pyetje:


Në cilin skenar e mbështesni parashikimin tuaj që borxhi publik në vitin 2013 do të arrijë 70% të PPB-së, kurse në vitin 2018 ky borxh do të tejkalojë 80% të PPB? A mundet ekonomia jonë të përballojë nivele të tilla borxhi?


Përgjigjja e përfaqësuesit të FMN-së ishte:


“Ky parashikim do të ishte në rast se do të vazhdohet politika e deritanishme buxhetore”.


Mesazhi është i qartë, nuk mund të ndiqen edhe në të ardhmen politikat e deritanishme, ku nëse nuk ndiqen praktikat e duhura dhe reformat strukturore, borxhi publik do të vazhdojë të rritet duke ndikuar negativisht në rritjen ekonomike. Prandaj nevojitet zbatimi i një modeli tjetër për zhvillimin ekonomik, që ishte dhe objekt i konferencës së organizuar nga BSH dhe universiteti i “Oxford”-it.


Për këtë, përfaqësuesi i FMN-së por edhe Kryeministri Rama dhe diskutantë të tjerë, trajtuan nevojën e një axhende reformash strukturore që të synojnë më së pari përmirësimin e konkurrueshmërisë së ekonomisë sonë.


 


Si e vlerësoni ju gjendjen aktuale të buxhetit të shtetit?


Shifrat tregojnë se treguesit e buxhetit janë përkeqësuar me shpejtësi. Rënia e të ardhurave u shfaq me shpejtësi në muajt e fushatës elektorale, por pas zgjedhjeve, u thellua përkeqësimi i arkës së shtetit. Të dhënat e fundit nga Ministria e Financave tregojnë se në muajin gusht, të ardhurat janë 35 milionë dollarë ose rreth 12 për qind më pak se gushti i vitit të kaluar. Kurse krahasuar me planin, të ardhurat gjatë muajit gusht ishin 48 milionë dollarë më pak, ndërsa si 8-mujor, të ardhurave në buxhet u mungojnë 163 milionë dollarë nga shuma që ishte parashikuar të mblidhej, ose 84 milionë kundrejt vitit të kaluar. Me gjithë ndërprerjen e çdo investimi të ri publik, sërish shpenzimet e tjera të buxhetit kanë vazhduar të rriten, duke bërë që deficiti buxhetor të kërcejë në 54 miliardë lekë. Për tre muajt e mbetur të vitit, qeverisë së re i mbeten më pak se 6 miliardë lekë hapësirë deficiti buxhetor, ose rreth 9 herë më pak se sa ai që ka konsumuar në 8 muajt e parë të vitit qeveria e ikur.


Jemi në një situatë kur të ardhurat e realizuara si 8-mujor në vlerën e 210,5 miliardë lekëve nuk arrijnë të mbulojnë shpenzimet korrente prej 217 miliardë lekësh. Kjo situatë është vërtet kritike dhe do të thotë se mungesa prej 6 miliardë lekësh do të përballohet me borxh, të cilit, duke i shtuar edhe ripagesat e principalit të borxhit të marrë më parë prej 7.6 miliardë lekësh përbëjnë 14 miliardë lekë borxh për shpenzime jo produktive, pa konsideruar ndërkohë që të gjitha investimet publike janë mbuluar tërësisht me borxh. Ndërkohë Ministri i Financave theksoi se janë edhe rreth 9 miliardë lekë fatura të papaguara nga Thesari.


Tashmë qeveria e re, edhe pas konsultimeve me FMN-në, do të synojë më shumë qëndrueshmëri në treguesit fiskalë, duke pasur parasysh nivelin e borxhit, deficitit buxhetor dhe tregtar, kreditë me probleme, përmirësimin e klimës së biznesit etj…


 


Cili është rreziku që mund të vijë nga fakti që qeveria e mëparshme pothuajse e ka konsumuar limitin për huamarrjen dhe a ka pasur paralajmërime më parë për këtë rrezik?


Ka pasur paralajmërime të ekonomistëve pas aprovimit të buxhetit 2013 dhe sidomos heqjes së kufirit të borxhit, ku është konsideruar se rritja e parashikuar ishte jo realiste dhe që të ardhurat nuk do të realizoheshin. Edhe unë kam qenë një nga këta zëra, ashtu sikurse ka pasur edhe kundërshti, që më shumë stimulonin përplasjen se sa zgjidhjen.


Kur flisni për rrezikun, pyetja e përmban përgjigjen, kur tashmë në 8 muaj është konsumuar rreth 90% e deficitit vjetor, pra 54.4 nga 47 miliardë që ishte plani 8-mujor, kurse huamarrja e brendshme arriti në 43 miliardë lekë nga 35.5 miliardë që ishte plani, të huamarrjes vjetore të brendshme në tregun e bonove të thesarit, duke e tejkaluar atë rreth 106%. Kujtoj se të ardhurat e privatizimit të hidrocentraleve, 15,7 miliardë lekë, shtesë kjo që nuk ishte parashikuar në deficitin e programuar prej rreth 49 miliardë lekësh, e kanë rritur deficitin aktual në rreth 60 miliardë.


Kjo situatë, që stimulohet politikisht edhe nga fushata elektorale, sipas literaturës ekonomike karakterizohet nga “tendenca për të destabilizuar ekonominë nga ulja e taksave dhe rritja e shpenzimeve qeveritare para zgjedhjeve, që detyron rritjen e taksave dhe uljen e shpenzimeve pas zgjedhjeve”.


 


A mendoni se ka hapësirë qeveria e re të marrë masa për uljen e deficitit dhe borxhit publik si u rekomandua dhe nga FMN?


Megjithëse qeveria e re gjen një situatë ekonomike të vështirë dhe financat publike në një gjendje kritike, sigurisht ka rrugëzgjidhje, por ato nuk do të jenë të lehta dhe do të kërkojnë kohën e duhur. Detyra e parë është rishikimi i buxhetit nëpërmjet një analize dhe terapie të saktë me qëllim stopimin e rënies dhe frenimin e shpenzimeve.


Gjetja e rrugëzgjidhjeve kërkon guxim dhe dije, sepse ekonomia si çdo shkencë ka ligjësitë e veta, që po nuk u respektuan, të ndëshkojnë me krizë.


Megjithëse zgjidhjet e problemeve nuk mund të arrihen menjëherë, masat për stabilizimin e financave publike duhet të jenë të menjëhershme, pasi vonesa rrit koston e tyre. Dhe me këtë kam parasysh nevojën emergjente të rishikimit të buxhetit, për të rivendosur disiplinën buxhetore. Mendoj se do të duhet kohë për të rivendosur borxhin publik në nivelin e tij të vitit 2009.


Për këtë FMN rekomandon që: “Axhenda e reformave në radhë të parë duhet të synojë përmbysjen e trendit të borxhit publik, nëpërmjet një plani të besueshëm afatmesëm për konsolidimin fiskal”.


Më tej, sfida për modelin e zhvillimit të ekonomisë do të kërkojë përpjekje për të adoptuar teoritë moderne të rritjes në ekonominë shqiptare. Ku në të ardhmen ekonomia duhet të rritet më shumë se rritja e investimeve, të cilat do të vështirësohen për shkak të nivelit të lartë të borxhit, me qëllim përqendrimin tek faktori i rritjes së produktivitetit. Kjo do të thotë që në vendimmarrjet ekonomike të udhëhiqemi nga efektiviteti më shumë se populizmi.


Qeveria do të detyrohet të marrë përsëri borxh, tre muajt e mbetur nuk mund të bëjnë mrekulli në mbledhjen e të ardhurave. Mirëqeverisja dhe miradministrimi i financave publike kërkon profesionalizëm dhe përgjegjshmëri për t’iu përgjigjur sfidave të vështira të ekonomisë sonë.


Prandaj, edhe axhenda e reformave që kërkon marrjen e shumë masave nga qeveria e re e kryeministrit Rama, do të ketë sukses duke u mbështetur në radhë të parë te profesionalizmi i administratës publike që mbetet sfida e vërtetë në ecjen tonë përpara.


 


Pas kësaj situate që na parashtruat mbi borxhin, pritet që ai të thellohet më tej gjatë këtij viti?


E përmenda më lart se në kushtet aktuale buxhetore, mendoj se qeveria do detyrohet të marrë borxh. Prandaj ajo duhet të përgatisë sa më parë buxhetin e rishikuar të vitit 2013 për të rivendosur disiplinën fiskale në periudhën e mbetur të vitit. Mosrealizimet e të ardhurave si 8-mujor vetëm nga tatimet e doganat, rreth 17 miliardë lekë, plus mosrealizimi i të ardhurave në periudhën që mbetet nga parashikimi jo realist i tyre në buxhetin e 2013-s, do të detyrojë shkurtimin e shpenzimeve dhe marrjen e rreth 20 miliardë lekëve borxh nga qeveria për të mbyllur vitin 2013.


 


Cilat janë sfidat kryesore të qeverisë së re në fushën e financave publike? A do të ndihmonte një marrëveshje me FMN për marrjen e ndonjë kredie të butë prej saj dhe si e shihni ju një marrëdhënie të qeverisë me FMN-së?


Përmenda më lart, por edhe FMN e rekomandon, së pari – disiplina dhe konsolidimi fiskal. Kjo kërkon absolutisht një konsensus profesional në nivel kombëtar.


Prandaj duhet të zhvillohen analiza të sakta në funksion të: 1. Ndaljes së rënies së rritjes ekonomike 2. Kontroll të borxhit dhe strategji afatmesme e uljes së tij 3. Të nxitet rritja nëpërmjet reformave strukturore që të adresohen investimet efektive publike dhe veçanërisht ato private, duke rritur konkurrueshmërinë. 4. Reformimi imediat i skemës së pensioneve, si një sistem që prodhon vazhdimisht deficit me anë të sigurimeve shoqërore. 5. Një reformë gjithëpërfshirëse tatimore dhe përmirësimi i administratës tatimore është thelbësore. 6. Adresimi i pagesave të detyrimeve të prapambetura ndaj biznesit dhe reformim i menaxhimit të financave publike, për të parandaluar përsëritjen e këtij problemi.


Marrëveshja me FMN-në për të marrë kredi të butë, sigurisht që do të shoqërohej edhe me kushte nga ana e saj për qeverinë shqiptare, siç është përvoja ndërkombëtare me këtë institucion të rëndësishëm. Nëse do të lexojmë me kujdes qëndrimin e FMN-së vitin e kaluar, një propozim i tyre ka qenë rritja e taksave, që mund të përsëritet apo rishikim në ulje të shpenzimeve buxhetore pasi situata ekonomike shqiptare nuk lë shumë hapësira manovrimi.


FMN ka prioritet ruajtjen e stabilitetit makroekonomik dhe jo zhvillimin, ndërsa zgjidhjen e shoh te politikat e zhvillimit që do të ndjekë qeveria. Në këto kushte marrëdhënien me FMN-në do ta shihja si një marrëdhënie partneriteti që do të harmonizonte në dobi të vendit politikat për ruajtjen e stabilitetit makro me ato të zhvillimit të ekonomisë që të mundësohet bashkëpunimi me institucionet ndërkombëtare si FMN apo BB, për kredi të buta nga njëra anë dhe fondet grant të BE-së nga ana tjetër, pas marrjes së statusit të vendit kandidat.


 


Si e vlerësoni ecurinë e kreditimit? Pse me gjithë uljen e normës bazë të interesit nga BSH-ja nuk reflektohet rënie e interesit të kredisë? A do të kenë efektin e pritshëm masat e BSH për nxitjen e kredive?


Vlerësojmë se ky mostransmetim i politikës monetare në uljen e normave të interesit të kredive dhe eventualisht në rritjen e synuar të kredisë së ekonomisë reflekton kryesisht dy faktorë të ndërlidhur me njëri-tjetrin. Së pari, duke konsideruar një nivel të lartë të kredive me probleme (prej rreth 23.8 për qind në fund të korrikut), bankat perceptojnë prime të larta risku në vlerësimin që ata kanë për kreditorët privatë, që përkthehen në normën e interesit të kredive që bankat ofrojnë për kredimarrësist privatë. Normat e larta të interesit të kredisë të ofruara nga sistemi bankar i shtohen pasigurisë dhe hezitimit për kredi nga vetë biznesi dhe eventualisht arrihet në një kërkesë të ulët për kredi nga sektori privat. Së dyti, një faktor tjetër që vlerësojmë se ka dhënë impakt frenues për rritjen e kredisë drejt sektorit privat, specifike kjo për gjysmën e parë të 2013-s, është një kërkesë e rritur ndjeshëm e qeverisë për të tërhequr financime nga sektori bankar nëpërmjet huamarrjes së brendshme, e cila gjatë gjysmës së parë të vitit 2013 ishte rreth 72 për qind më e lartë se e njëjta periudhë e një viti më parë. Kjo rritje e kërkesës së qeverisë për financim ka tërhequr pjesën më të madhe të likuiditetit të disponueshëm nga sistemi bankar dhe ka ezauruar pjesën më të madhe të nevojave të sistemit bankar për të zgjeruar aktivitetin kreditues duke minimizuar nevojën e këtij të fundit për ta zgjeruar aktivitetin kreditues drejt sektorit privat. Prandaj ulja e huamarrjes që theksova më sipër është në premisë pozitive për rritjen e kreditimit.


Intervistoi: Enio Civici