Drejtues të rinj te Burgjet dhe Hipoteka

Ilirjan Muho pason Arben Qirjakon, Artur Zoto zë vendin e Gazmend Dibrës

Artur Zoto

Artur Zoto

Dy prej institucioneve më të rëndësishme në varësi të Ministrisë së Drejtësisë, ndryshojnë drejtues, në kuadër të reformave të ndërmarra nga mazhoranca e re. Ilirjan Muho, ish-anëtar i KQZ-së, është emëruar drejtor i Përgjithshëm i Hipotekës, duke pasuar në këtë post Arben Qirjakon. Ndërkohë, Artur Zoto, oficer karriere në Policinë e Shtetit, është emëruar Drejtor i Përgjithshëm i Burgjeve, institucion i drejtuar deri dje nga Gazmend Dibra, i cili ka refuzuar të japë dorëheqjen. Dibra ka qenë më parë në krye të Aviacionit Civil, ndërsa në zgjedhjet e fundit parlamentare ka qenë kandidat i Partisë Demokratike për deputet në Qarkun e Tiranës.

 

Muho kryeregjistrues

Ish-anëtari i LSI-së në KQZ, i shkarkuar nga mazhoranca e kaluar nga detyra, pas shumë debatesh, është emëruar drejtor i Përgjithshëm i Hipotekave. Ministria e Drejtësisë ka publikuar edhe CV-në e tij, sipas së cilës, Muho ka lindur në Fier dhe ka mbaruar studimet e larta për Drejtësi. Në vitet 1990-2000 ka punuar në organet e drejtësisë si hetues dhe prokuror. Në vitet 2000-2003 ka punuar si drejtues i Prokurorisë së Rrethit Fier. Më pas, ai është shkarkuar nga detyra nga ish-presidenti Alfred Moisiu, me propozim të ish-kryeprokurorit Theodhori Sollaku. Në vitet 2005-2009 ka punuar si avokat. Në vitin 2009 është emëruar zv.drejtor i Përgjithshëm i Agjencisë Kombëtare të Kthimit dhe Kompensimit të Pronave dhe njëherazi, mbante detyrën e drejtorit të Drejtorisë së Kompensimit të Pronës. Në vitin 2010 është emëruar zv.ministër i Punëve Publike dhe Transportit, ndërsa në vitin 2011 ka ushtruar funksionin e Sekretarit të Përgjithshëm në Ministrinë e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës dhe më pas, është emëruar Anëtar i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. Dy ditë më parë, Kuvendi i Shqipërisë votoi për shkarkimin e tij nga anëtar i KQZ-së. Ilirjan Muho u zëvendësua në KQZ nga Klement Zguri, pas vendimit të 1 prillit të LSI-së për të prishur koalicionin me PD-në dhe për t’u bashkuar me Partinë Socialiste.

 

Zoto kryegardian

Ndërkohë, dje është emëruar edhe Drejtori i Përgjithshëm i Burgjeve. Në krye të këtij institucioni, aq shumë të denoncuar nga mazhoranca aktuale ku ishte në opozitë për lirime të dënuarish gjatë fushatave elektorale, do të ulet Artur Zoto. Ky i fundit është 39 vjeç dhe ka lindur në Përmet. Nga viti 1993-1996 ka kryer studimet pranë Akademisë së Policisë dhe në vitin 2005 nis studimet pasuniversitare në fushën e Kriminologjisë në Universitetin Leiçester, në Mbretërinë e Bashkuar. Ndërsa në vitet 2009-2010 merr titullin MA për Sigurinë Globale, për studimet “Master” me kohë të plotë, përfunduar me rezultatin “Merit” në Universitetin e Sheffield-it në Mbretërinë e Bashkuar. Ai është vlerësuar me Certifikatë Mirënjohjeje nga misioni PAMECA. Sipas CV-së së tij, të publikuar nga Ministria e Drejtësisë, gjatë viteve 2006- 2013 ka punuar si koordinator Kombëtar i Luftës kundër Kultivimit të Bimëve Narkotike; specialist për Hetimin e Aseteve Kriminale; specialist në sektorin e Planifikimit Strategjik; shef i Sektorit Kundër Trafikimit; specialist në Sektorin kundër Lëndëve Narkotike, pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit. Ndërsa në vitet 2005-2006, ka qenë anëtar i grupit të punës për zhvillimin e strategjisë 7-vjeçare të Policisë së Shtetit, atashuar pranë misionit PAMECA. Gjatë viteve 2003- 2005 ka mbajtur detyrën e shefit të Komisariatit Nr.3 në Drejtorinë e Policisë së Qarkut Tiranë dhe nga 2001- 2003 ka shërbyer si specialist në Sektorin për Hetimet e Veçanta, atashuar në Prokurorinë e Përgjithshme, Drejtoria kundër Krimit të Organizuar. Gjatë viteve 1996-2001 ka mbajtur detyrën e specialistit në Sektorin kundër Terrorizmit; në Sektorin Kundër Lëndëve Narkotike dhe kundër Krimeve në Drejtorinë e Policisë së Qarkut Tiranë dhe Fier.

 

Shkarkohet Dibra

Pas rotacionit të pushtetit, drejtori i Përgjithshëm i Burgjeve, Gazmend Dibra, sipas burimeve nga Ministria e Drejtësisë, nuk ka preferuar të japë dorëheqjen. Ai ka qenë kandidat për deputet dhe për rrjedhojë duhet të dorëhiqej, duke qenë se përfaqësonte një parti politike. Por, Dibra ka qëndruar në detyrë deri në momentin që është vendosur shkarkimi i tij, me urdhër të ministrit Naço, duke preferuar që më pas të ndjekë edhe rrugët ligjore. Gjatë kohës që ka qenë drejtor i Burgjeve, Dibra është akuzuar nga mazhoranca aktuale se ka liruar dhjetëra të burgosur, që janë përfshirë në fushata zgjedhore. Madje, ai është akuzuar se ka influencuar rreth 5000 të burgosurit që të votojnë partinë demokratike në zgjedhjet e fundit. Rezultatet e zgjedhjeve në burgje kanë qenë gjithmonë në favor të PD-së dhe ka pasur edhe akuza se këto vota janë manipuluar. Më parë, Dibra ka pasur përplasje edhe me ish-ministrin e Drejtësisë, Ilir Rusmali, ndërsa gjatë kohës që drejtonte Aviacionin Civil u akuzua për favorizime të kompanive ajrore. S.Ç

 

Prezantimi

Shtylla emërohet sekretare e Përgjithshme e Kuvendit

Një ditë pas shkarkimit nga Kuvendi i Shqipërisë, ish-anëtarja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Albana Shtylla, u emërua në postin e sekretares së përgjithshme të Kuvendit. Prezantimi i Albana Shtyllës në detyrën e saj të re u bë nga vetë kreu i Kuvendit, Ilir Meta. Gjatë prezantimit, Kryetari i Kuvendit shprehu besimin në kapacitetet e saj të plota për të forcuar profesionalizmin, integritetin dhe efikasitetin e punës së personelit të Kuvendit. Nga ana e saj, sekretarja e Përgjithshme, Albana Shtylla, vuri theksin tek ofrimi i një shërbimi sa më cilësor në Kuvendin e Shqipërisë. “Kjo do të thotë që të gjithë së bashku duhet të punojmë për ofrimin e një shërbimi sa më cilësor. E theksoj këtë ofrimin e një shërbimi sa më cilësor të Kuvendit në arritjen e atyre produkteve të cilat janë të prekshme për gjithë shoqërinë shqiptare, pra të ligjeve sa më të mira. Në çdo hap tonin të kishim transparencë. Pra transparencë për sa u përket financave dhe gjithë veprimtarisë që kryhet nga njësia bazë e Kuvendit deri në veprimtaritë më të larta”, përfundoi Shtylla. Albana Shtylla së bashku me dy kolegët e saj të opozitës në KQZ, Denar Biba dhe Jani Jani, dhanë dorëheqjen nga KQZ-ja, pas vendimit të mazhorancës së kaluar për zëvendësimin e anëtarit të propozuar nga LSI-ja, Ilirjan Muho.

 

Lëvizjet 

Emërohet drejtori i ri i Autoritetit Shëndetësor Rajonal

Arkiva – Ledia Dushi pritet të emërohet si drejtoreshë e Arkivit të Shtetit. Më parë Dushi ka punuar si këshilltare në Bashkinë e Tiranës, në kohën e mandatit të Edi Ramës si kryetar bashkie.

Kreu i Autoritetit Shëndetësor Rajonal do të jetë Edmond Stojku.

Dje përfaqësues të Ministrisë së Shëndetësisë kanë bërë prezantimin zyrtar të mjekut Stojku, i cili qëndron në postin e kreut të ASHR-së, si anëtar i forcës politikë, Lëvizja socialiste për Integrim. Më parë, drejtuesi aktual i ASHR-së ka punuar si drejtor i politikave shëndetësore në Ministrinë e Shëndetësisë gjatë mandatit të ministrit Nard Ndoka, por edhe kur në drejtimin Ministrisë së Shëndetësisë Petrit Vasili.

Kreu i Autoritetit Shëndetësor Rajonal ka në varësi mjekët dhe personelin shëndetësor të cilët punojnë në shkolla, në qendra që ofrojnë shërbim shëndetësor shtetëror për qytetin e Tiranës.

Ndërkohë që në institucione të tjera në varësi të Ministrisë së Shëndetësisë pritet të prezantohen drejtues të tjerë.

Sytë dhe vëmendja aktualisht janë përqendruar te Fondi i Madh i Sigurimeve, ish-instituti i Sigurimeve të Kujdesit Shëndetësor që pritet të reformohet thellësisht dhe që do të mbajë emrin SHKSH, Shërbimi Kombëtar Shëndetësor.

Autoriteti Shëndetësor Rajonal i është dhënë Lëvizjes Socialiste për Integrim, një institucion nën varësinë e Ministrisë së Shëndetësisë, si pjesë e “paketës” bashkëqeverisëse mes PS-së dhe LSI-së.

Autor te 5 Tetor 2013. Aktualitet, Kryesoret. You can follow any responses to this entry through the RSS 2.0. You can leave a response or trackback to this entry