Juristët, ambiente me qira për të ndjekur Shkollën e Avokatisë

saimir vishaVendimi i Berishës para largimit nuk gjen zbatim në terren. Visha: Shkolla do të jetë lëvizëse

Herion Mesi

Për herë të parë në këto 20 vite, të gjithë juristët që pretendojnë të bëhen avokatë do t’u duhet të marrin ambiente me qira për të ndjekur Shkollën e Avokatisë. Kjo, për shkak se vendimi i qeverisë “Berisha” pak javë nga dorëzimi i pushtetit, nuk është i zbatueshëm, të paktën për këtë vit akademik. Deri në zgjidhjen e këtij problemi, Shkolla e Avokatisë që pritet të hapet për herë të parë në vendin tonë, në datën 4 nëntor, do të jetë një shkollë lëvizëse, ku ambientet do të merren me qira. “Ekziston një mendim nga Këshilli Kombëtar, që është hedhur edhe nga kryesia, që fillimi i Shkollës Kombëtare të jetë shkollë lëvizëse, në ambiente me qira, deri në ndërtimin e një shkolle me të vërtete kombëtare për avokatinë. Shikohet i pamundur ndërtimi i Shkollës Kombëtare te Fusha e Aviacionit, ku qeveria e ikur na ka falur 25 mijë metra katrorë, gjë që ka krijuar shumë pikëpyetje”, u shpreh dje për “Top Channel”, kryetari i Shoqatës së Avokatëve Penalistë, Saimir Visha. Në mbledhjen e 7 gushtit të këtij viti, një nga vendimet e qeverisë në ikje “Berisha”, ishte edhe ai i kalimit të një trualli prej 25 mijë metrash katrorë, për ndërtimin e Shkollës Kombëtare të Avokatisë. Toka ndodhet pranë hangarëve të helikopterëve, tek ish-Fusha e Aviacionit në Laprakë. Por kjo sipërfaqe kaq e madhe për një shkollë me 500 studentë, ka ngritur pikëpyetjet nëse i gjithë trualli do të jetë vetëm shkollë apo bashkangjitur me të do të ketë ndërtime të tjera për qëllime biznesi. Kjo, edhe për faktin se në planet rregulluese të Tiranës, në këtë zonë është folur për një qendër tregtare dhe jo shkollë avokatie. “Shkolla Kombëtare e Avokatisë fillon për herë të parë në datën 4 nëntor dhe shtrihet për një afat 9-mujor. Jemi vënë në dijeni, që qeveria që ka ikur, në fund të gushtit 2013, na paska dhuruar një sipërfaqe prej 25 mijë metrash katrorë për ndërtimin e një shkolle. Një sipërfaqe e tillë ka krijuar dyshime dhe aq më tepër që nga Zyra e Regjistrimit të Pasurisë nuk po regjistrohet”, u shpreh më tej dje Visha.

Vendimi i Berishës

Në vendimin e Këshillit të Ministrave të datës 7 gusht, thuhet se kalohet në përgjegjësi administrimi nga Ministria e Mbrojtjes, te Ministria e Drejtësisë dhe Dhoma Kombëtare, pasuria e paluajtshme me sipërfaqe 25 mijë metra katrorë. Kjo sipërfaqe njihet si prona me numër 64, me emërtimin “Ish-Fusha e Aviacionit”, ndërkohë që në vendim thuhet se Ministrisë dhe Dhomës së Avokatisë u ndalohet të ndryshojnë destinacionin e pronës, ta tjetërsojnë atë apo t’ua japin në përdorim të tretëve. Ligji për profesionin e avokatit në Republikën e Shqipërisë, ndryshimet e të cilit kanë hyrë në fuqi ditët e fundit, në lidhje me licencimin e avokatëve, parashikon rregulla të reja. Ndryshe nga procedura e deritanishme, në bashkëpunim me Dhomën Kombëtare të Avokatisë, avokatët nuk do të marrin licencë të menjëhershme sapo të mbarojnë Fakultetin Juridik, por do t’i nënshtrohen trajnimit fillestar. Kjo shkollë do të jetë e njëjtë si Shkolla e Magjistraturës, të cilës do t’i nënshtrohen të gjithë kandidatët për avokatë dhe më pas, pas përfundimit të kësaj shkolle dhe certifikimit nga Dhoma Kombëtare e Avokatisë, ata do t’i nënshtrohen zhvillimit të konkursit dhe marrjes së licencës për ushtrimin e profesionit. Gjithashtu në këtë ligj, parashikohet se avokatët që janë të pajisur me licencë të ushtrimit të profesionit, në mënyrë të detyrueshme, të ndjekin trajnimet e vazhdueshme, mbi zhvillimet e reja të legjislacionit, që do të organizohen nga Shkolla e Avokatisë. Një nga kurrikulat që do të ndiqet në Shkollën e Avokatisë do të jenë edhe të drejtat e njeriut, e lidhur ngushtë me jurisprudencën e Gjykatës Europiane të të Drejtave të Njeriut.

 

Komiteti i Disiplinës

Mund të ndërmarrë masa ndëshkimore deri në heqje licence ndaj avokatëve që bëhen shkak për zvarritjen e proceseve gjyqësore apo që kanë kryer shkelje të tjera gjatë ushtrimit të detyrës

 

Financimet

Financimet për Shkollën e Avokaturës do të sigurohen nga vetë Dhoma Kombëtare dhe kandidatët që aspirojnë për avokatë

Mësimi

Mësimi në ambientet që do të merren me qira do të zhvillohet dy herë në javë, ku rreth 500 juristë, pas pajisjes me këtë certifikatë, do të mund t’i nënshtrohen provimit të avokaturës për të përfituar titullin avokat

Autor te 6 Tetor 2013. Ekonomi. You can follow any responses to this entry through the RSS 2.0. You can leave a response or trackback to this entry
  • F.Goxhaj

    saliu e uren avukatine,ndaj do ta pengoje shkollen esaj.