Emërimet, Isaraj, zv.ministër i Drejtësisë, Deda, prefekt i Lezhës

Nivelet e dyta

Sonila Qato, ish-kandidatja për deputete e PS-së, drejtoreshë e AKKP-së

Fatjona Mejdini

Arben IsarajKëshilli i Ministrave vijoi dje emërimet në disa poste kyçe të ekzekutivit shqiptar. Ajo që ra në sy në vendimet e mbrëmjes së djeshme, ishte emërimi i disa ish-deputetëve të Partisë Socialiste në poste të rëndësishme në ekzekutiv. Ish-deputeti socialist i legjislaturës së kaluar, Arben Isaraj, u emërua zëvendësministër i Drejtësisë. Po kështu, kolegu i tij deputet në legjislaturën që lamë pas, Ndrec Deda, mori postin e prefektit të Lezhës, ndërsa ish-deputeti i legjislaturës 2005-2009, Besnik Dervishi, u emërua si prefekt i Qarkut të Vlorës. Nga ana tjetër, kandidatura të PS-së morën dje dhe pozicione të rëndësishme në ekzekutiv. Ish-kandidatja e PS-së për deputete në Tiranë, Sonila Qato, ish-punonjëse e Tiranës, u emërua dje në detyrën e drejtoreshës së përgjithshme të Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave. Një tjetër emërim ishte edhe ai i Afrim Bakajt, si drejtor i përgjithshëm i Autoritetit Kombëtar të Ushqimit. Ish-kreu i ndërtimorëve të Durrësit, Afrim Bakaj, është njëkohësisht anëtar i Asamblesë së Partisë Socialiste. Po kështu, në mbledhjen e Këshillit të Ministrave u përcaktuan fushat e përgjegjësisë shtetërore për Ministrinë e Punëve të Jashtme, Ministrinë e Punëve të Brendshme, Ministrinë e Integrimit Europian, Ministrinë e Zhvillimit Urban dhe Turizmit, Ministrinë e Mjedisit, Ministrinë e Shëndetësisë, Ministrinë e Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujërave, si dhe për Ministrinë e Shtetit për Inovacionin dhe Administratën Publike.

Ish-deputetëve

Pavarësisht faktit se kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, la një pjesë të grupit parlamentar jashtë listave të sigurta për deputet, ka vendosur “t’i shpërblejë” ata me poste të rëndësishme në ekzekutiv. Kështu dje, ish-deputetët socialistë Arben Isaraj, Ndrec Deda dhe Besnik Dervishi morën poste të rëndësishme në ekzekutiv. “Qeveria vendosi emërim në detyrë të z. Arben Isaraj, zëvendësministër i Drejtësisë. Lirimin nga detyra të prefektit të Qarkut të Lezhës, z. Pal Dajçi, dhe emërimin në këtë detyrë të z. Ndrec Deda. Lirimin nga detyra të prefektit të Qarkut të Vlorës, z. Eduart Veçani, dhe emërimin në këtë detyrë të z. Besnik Dervishi”, theksohet në vendimin e Këshillit të Ministrave të marrë mbrëmjen e djeshme. Ndërkaq, ende në qeverinë Rama kanë mbetur dhe rreth pesë vende të tjera vakante për zëvendësministra, në një kohë kur 12 prefektët e qarqeve janë emëruar.

Agjencitë

Një emërim të rëndësishëm qeveria Rama ia besoi Sonila Qatos, kandidate në listën jo fituese të PS-së për Tiranën dhe ish-punonjëse e Bashkisë së Tiranës. “Qeveria vendosi emërimin e znj. Sonila Qato në detyrën e drejtoreshës së përgjithshme të Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave”, theksohet në vendimin e qeverisë, në një kohë kur ish-kreu i kësaj agjencie ishte shkarkuar me vendim qeverie dy javë më parë. Ndërkaq, anëtari i Asamblesë së PS-së, Afrim Bakaj, u emërua dje në krye të Autoritetit Kombëtar të Ushqimit. “Qeveria vendosi dje lirimin nga detyra të drejtorit të përgjithshëm të Autoritetit Kombëtar të Ushqimit, z. Artan Gjergji, dhe emërimin në këtë detyrë të z. Afrim Bakaj”, theksohet në vendimin e qeverisë.

 

Zv.ministri

 

Anëtari i Kryesisë së PS-së, Arben Isaraj, ka qenë për dy legjislatura deputet i Qarkut Vlorë. Në listën e 23 qershorit nuk u vendos si kandidat. Jurist me profesion, ai ka qenë pedagog për disa vite

 

Prefektët

Ndrec Deda ka qenë ish-drejtor i policisë bashkiake të Tiranës dhe më pas deputet i Qarkut Lezhë në legjislaturën 2009-2013. Besnik Dervishi, ministër në qeverinë Nano, ka qenë deputet në vitet 2005-2009

 

AKKP

 

Drejtoresha e Agjencisë së rëndësishme të Pronave ka qenë drejtoreshë e Urbanistikës në Bashkinë e Tiranës, ndërsa në zgjedhjet e 23 qershorit ishte kandidate e PS-së në Qarkun e Tiranës

 

Autor te 10 Tetor 2013. Aktualitet. You can follow any responses to this entry through the RSS 2.0. You can leave a response or trackback to this entry