ELTON METAJ
Një ish-ministër socialist, vetëm pak javë pas largimit nga pushteti në verën e vitit 2005, rrëfente jo pa shaka ndjesitë që kishte pasur gjatë kohës së gjatë të qëndrimit në detyrë. Mes shumë detajeve, vlente perceptimi i krijuar, në momente të veçanta, se gjithçka ishte ndërtuar për të: Godina ishte ndërtuar për ministrin; zyra ishte mobiluar për ministrin; kolltuku ishte zgjedhur për ministrin dhe automjeti që e priste jashtë ishte prodhuar për ministrin. Në fakt nuk ishte kështu, por ky moment perceptimi vlente për të kuptuar distancën e madhe me realitetin që mund të sjellë qëndrimi për një kohë të gjatë në zyrën e ministrit. Edhe ish-shefi i financave shqiptare, Ridvan Bode, mund t’i ketë pasur këto ndjesi. Gjatë tetë viteve të Bodes në zyrën e ministrit, shumë zhvillime kanë prekur ekonominë vendase, disa të orientuara nga qeveria dhe disa të tjera të importuara. Në përfundim të menaxhimit afatgjatë të financave, Bode flet sot për një ekonomi që i rezistoi krizës botërore dhe për një dëshirë të Edi Ramës për të nxirë realitetin.
Mund të ketë këndvështrime të ndryshme mbi mënyrën se si kryeministri apo ministri i Financave po i trajtojnë vështirësitë e buxhetit të shtetit. Ndoshta alarmi i tepërt mund të ndikojë në klimën e biznesit, që mbetet shumë i ndjeshëm në raport me atë që thotë dhe bën qeveria. Megjithatë, fjalët e rënda apo të thëna pa shumë lustër, që mund të dalin nga goja e Edi Ramës, Shkëlqim Canit apo Arben Ahmetajt, nuk e shtojnë apo pakësojnë një detyrim që shteti duhet t’u paguajë sipërmarrjeve. Një borxh që për qeverinë aktuale i kalon gjysmë miliard dollarët dhe pavarësisht debatit për shifrën e saktë, mbetet i lartë. Për efektin zinxhir të këtij borxhi, ku janë përfshirë sipërmarrjet, bankat dhe konsumatorët, është thënë e shkruar shumë. Ajo që nuk është pranuar nga qeveria deri pak muaj më parë ka qenë borxhi ndaj biznesit.
Deri dy-tre vite më parë, zyrtarët e qeverisë mohonin kategorikisht ekzistencën e borxhit, pavarësisht se biznesi ankohej. Ilir Zhilla dhe Nikolin Jaka, drejtuesit e dhomave kryesore të tregtisë e industrisë, mund të kenë dhënë me dhjetëra intervista për këtë qëllim, por askush nuk i dëgjoi. Më pas, për të evituar fjalën e rëndë “borxh”, Ministria e Financave preferonte fjalën “detyrim i pashlyer”. Sërish biznesi ankohej. Ilir Zhilla e Nikolin Jaka vazhdonin të flisnin në konferenca shtypi e studio televizive, por askush nuk u premtoi konkretisht se do të merrnin paratë për punët e kryera. Situata e borxheve vazhdonte të rritej, ndonëse nga mazhoranca e atëhershme shtoheshin zërat se do të ishte mirë të teprohej me borxhin publik për të paguar bizneset. Edhe borxhi u rrit, por biznesi nuk u pagua. Ilir Zhilla e Nikolin Jaka vazhduan të flisnin dhe ndoshta të përsërisnin veten. Borxhi ndaj biznesit mbeti aty, ndërsa Ridvan Bode u largua nga zyra e ministrit të Financave, duke fotokopjuar tabelat për borxhin publik. Shifrat zyrtare nuk ishin edhe aq tragjike dhe ish-ministri mund të krenohej se ekonomia i rezistoi krizës. Megjithatë jo të gjitha sipërmarrjet i rezistuan vonesës në pagimin e detyrimeve nga qeveria; jo të gjithë punëtorët ruajtën vendin e punës; jo të gjithë të punësuarit u paguan në kohë; jo të gjitha kreditë u kthyen në banka; jo të gjitha organet tatimore mblodhën të ardhurat që prisnin. Në themel të këtij zinxhiri ishte borxhi i pashlyer për investime dhe shërbime që ishin kryer.
Në këto kushte biznesi mbërriti i sfilitur në mbyllje të vitit 2013. Ai gjithnjë e më tepër i ngjante atij boksierit, të cilit pas grushteve të forta, po i afrohej momenti i rrëzimit në tapet. Ndërkohë vazhdonte të ecte me ngadalësi dhe hapa të çrregullt. Vetëm këtë ecje, ish-ministri i Financave e shikon qartë. Për të parë të tjerat, pra trupin e kërrusur dhe fytyrën e gjakosur të ekonomisë, do të duhet ndoshta pak kohë më tepër.