Strukturat e reja të policisë së bazës, si ndryshojnë komisariatet në Tiranë dhe rrethe

Emrat

Lëvizje te mbrojtja e dëshmitarëve dhe Interpoli

Policia e Shtetit vijon të ndryshojë drejtuesit e saj. Dje është larguar nga Drejtoria e Mbrojtjes së Dëshmitarëve, Arjan Muça. Ky i fundit ka qenë një nga drejtuesit e operacionit për arrestimin e Dritan Dajtit në vitin 2009, ku dhe mbetën të vrarë katër punonjës policie. Muça ka qenë dëshmitar në procesin “Dajti”, që vazhdon të zvarritet në Gjykatën e Krimeve të Rënda, ndërsa ka shpjeguar të gjithë planin operacional. Oficeri i policisë me grada madhore është sulmuar disa herë nga i pandehuri Dajti. Policia thotë se Arjan Muça është transferuar në Akademinë e Policisë. Mësohet se kryepolici i vendit, Artan Didi, e ka gjetur menjëherë zëvendësuesin. Ai është Agron Shojati, i cili ka qenë më parë një oficer madhor policie, ndërsa ka qenë edhe oficer kontakti në një nga vendet perëndimore.

Sipas burimeve nga Policia e Shtetit, ndryshime ka pasur edhe në Drejtorinë e Bashkëpunimit Policor Ndërkombëtar, e rikrijuar me strukturën e re. Artan Bajraktari është emëruar në këtë post të rëndësishëm, pasi ka lidhje të drejtpërdrejta me Interpolin dhe Europolin, por ka në varësi edhe oficerët e kontaktit në të gjithë botën.

Burimet nga policia pohojnë se do të ketë të tjera lëvizje në rangje të ulëta në Policinë e Shtetit, e cila është riformatuar e gjitha, duke u lëvizur pothuajse të gjithë personat.

Arjan Muça - Ka drejtuar operacionin për arrestimin e Dritan Dajtit në vitin 2009, ku humbën jetën katër oficerë të Policisë së Shtetit

 

Organigramat

Reforma “Tahiri” shtrihet deri te punonjësi më i thjeshtë i Policisë së Shtetit

Sokol Çobo

organigramaReforma “Tahiri” në Policinë e Shtetit prek edhe komisariatet në të gjithë vendin, të cilave u ndryshon struktura. Parashikohet që të shtohet numri i oficerëve që do të punojnë në këto komisariate, por edhe i agjentëve të rolit bazë, të cilët do të jenë më afër shtetasve dhe për më tepër në terren. Gazeta Shqip ka siguruar planin e Policisë së Shtetit për ndryshimet në komisariatet e Policisë së Tiranës dhe të rretheve, të cilat do të jenë të ndryshme, nisur edhe nga dendësia e popullsisë. “Pjesa më e rëndësishme e ristrukturimit të policisë duhet të jetë struktura e bazës, ajo e komisariatit të policisë e cila aktualisht është e rrudhur në numër dhe në kompetenca, çka ka sjellë një menaxhim jo eficient të territorit, marrjes së informacionit dhe për pasojë, goditjes së kriminalitetit. Komisariatet do të forcohen si në numër, ashtu edhe në kapacitetet teknike, sepse janë ato që kontrollojnë territorin, elementin keqbërës dhe policojnë të gjitha problemet e tjera të komunitetit”, pohojnë burimet nga policia. Sipas tyre, volumi i detyrave që rrjedhin nga marrëveshjet e ndryshme të lidhura me të tretët, për shkak të ligjit, t’i kalojnë Drejtorisë së Rendit Publik.

 

Rindarjet e inspektorëve

komisariati neper rrethe

Në strukturat e komisariateve, duhet bërë një rindarje e inspektorëve të policisë kriminale dhe atyre të rendit në bazë të numrit të popullsisë dhe dendësisë së kriminalitetit. Në një zonë administrative të veprojnë, përveç linjave të drejtimeve të krimeve të rënda, domosdoshmërisht dhe specialisti i krimeve të hapura, specialisti i rendit dhe agjenti i krimeve.

Në komisariatet e policisë të jenë: seksionet e krimeve të hapura (specialist, agjent) mbi bazë zone, këtu do të shtohen dhe ndihmësit e inspektorit të policisë kriminale të zonës; seksioni i rendit (patrulla e përgjithshme dhe siguria e objekteve); referenti dhe punonjësit e policisë të zonës; specialisti i rendit në zonë, të cilit dhe t’i shtohet një ndihmësspecialist për zonën. Për Policinë e Shtetit, kjo strukturë e re, nga qendra në bazë, synon të sjellë impakt në drejtim të rritjes së sigurisë në komunitet, rritjes së bashkëpunimit të komunitetit tek Policia e Shtetit, rritjes së efikasitetit në luftë kundër krimit të organizuar, trafiqeve dhe korrupsionit si dhe rritjes së sigurisë rrugore.

 

Komisariatet në Tiranë

Policia e Shtetit ka gati strukturat e reja për komisariatet e Policisë së Tiranës, të cilat janë gjashtë gjithsej. Sipas organigramës, në krye qëndron shefi i komisariatit. Ai ka në varësi të drejtpërdrejtë shefin e sallës së operative. Më pas, janë ndarë edhe strukturat e tjera, sipas të cilave do të ketë katër shefa seksione, të gjithë specialistë për krimet e rënda. Këta specialistë, pra të katërt, do të kenë në varësi të tjerë specialistë për hetimin e krimeve, sërish nga katër specialistë. Këta të fundit kanë në varësi ndihmësspecialistët, pra agjentët e terrenit. Mësohet se çdo shef seksioni do të ketë në varësi edhe katër oficerë të policisë gjyqësore, të cilët do të jenë të gjithë në terren.

Ndërkohë, sipas organigramës, shefi i Komisariatit në Tiranë do të ketë në varësi edhe referentin. Ky i fundit ka në varësi specialistët e policisë të zonave, si dhe specialistin e zbatimit të vendimeve, pra të gjithë punonjës të rolit bazë. Ndërkohë, shefi i komisariatit ka në varësi edhe shefin e seksionit për rendin, që ka edhe seksionin e patrullave të zonës. Do të planëzohen të gjitha lëvizjet e patrullave, që do kenë kontakt me agjentët dhe inspektorët e zonës.

Sipas strukturës së re, do të kemi një kthim të strukturës të para vitit 2005, ku çdo zonë kishte inspektorin, agjentin dhe ndihmësagjentin. Nga ana tjetër, zona dublohej me patrullime të vazhdueshme nga seksioni i patrullimeve. Kjo do të thotë që agjentët e policisë do të jenë më afër njerëzve dhe do të marrin informacione për çdo problem në zonë, që nga zënka më e thjeshtë, e deri te dosjet e vjetra të pazbardhura, ku do të ketë detyra të posaçme për mbledhjen e provave dhe dokumentimin e autorëve të këtyre ngjarjeve.

 

Komisariatet në rrethe

Komisariatet e rretheve do të jenë, për nga numri i punonjësve të policisë, më të vogla se komisariatet në Tiranë. Kjo për faktin se kryeqyteti ka një numër të madh banorësh dhe komisariatet, megjithëse janë gjashtë, sërish kanë shumë banorë në kompetencat e tyre. Shefi i komisariatit ka në varësi tre shefa seksionesh për krime të rënda. Këta shefa seksionesh kanë në varësi specialistë për hetimin e krimeve, pra punonjës policie të rolit të mesëm, ndërsa këta të fundit kanë në varësi ndihmësspecialistë, pra agjentë të policisë të thjeshtë. Të gjithë, janë në terren. Mësohet se çdo shef seksioni ka në varësi edhe oficerë të policisë gjyqësore, të cilët, pasi dokumentohet ngjarja dhe referohet në prokurori, marrin urdhrat e njerëzve të akuzës për zbardhjen e krimeve. Ndërkohë, në varësi të shefit të komisariatit do të jenë edhe shefi i seksionit për rendin (ka në varësi seksionin e patrullës), referentin (që ka në varësi specialistë të policisë të zonave dhe ndihmësspecialistë të zonave) dhe shefin e sallës operative.

 

Somario

Mësohet se, në bazë të strukturës së re, në një zonë do të ketë specialistë krimesh, agjentë dhe ndihmësagjentë

 

Zonat

Në një zonë administrative të veprojnë, përveç linjave të drejtimeve të krimeve të rënda, domosdoshmërisht dhe specialisti i krimeve të hapura, specialisti i rendit dhe agjenti i krimeve

 

Punonjësit

Komisariatet do të forcohen si në numër, ashtu edhe në kapacitetet teknike, sepse janë ato që kontrollojnë territorin dhe policojnë të gjitha problemet e tjera të komunitetit

 

Impakti

Synohet rritje e sigurisë dhe bashkëpunimit në komunitet, rritja e efikasitetit në luftë kundër krimit të organizuar, trafiqeve dhe korrupsionit, si dhe rritja e sigurisë rrugore

Autor te 12 Tetor 2013. Aktualitet, Kryesoret. You can follow any responses to this entry through the RSS 2.0. You can leave a response or trackback to this entry