Çfarë duhet të dinë femrat e shekullit 21?

Çfarë duhet të dinë femrat në shekullin që ka lënë pas prapambetjen, por që s’ka shpëtuar akoma mirë prej saj

Këshilla 

1. E shkuara harrohet, pavarësisht sa e vështirë ka qenë

Bota nuk është mjedisi më i mirë ku secili do të donte të jetonte. Po ashtu as njerëzit nuk janë perfektë dhe shpesh bëjnë gabime të mëdha kundrejt njëri-tjetrit. Për më tepër femrat kanë një histori të gjatë keqtrajtimi, që i ka penguar për shumë kohë të ecin përpara. Megjithatë jemi në shekullin e 21 dhe jeta po qarkullon shumë shpejt. Të kapesh pas së shkuarës është një nga gabimet më të shpeshta dhe më të mëdha. Koha është shëruesja më e mirë e gjithçkaje.

2. Vullneti përcakton fatin

Mos prisni që të keni sukses që herën e parë, përkundrazi më të suksesshëm janë ata që kanë dështuar disa herë radhazi, por nuk kanë reshtur së provuari. Nëse keni një vullnet të dobët, do ta keni shumë të vështirë të përcaktoni një fat të mirë për veten. Jepini mendjes suaj energji pozitive dhe vendosni vetë për të ardhmen tuaj.

3. Shpreheni dashurinë

Është pak e çuditshme që çështje kaq të ndjeshme si puna e atyre të zemrës, i lihen në dorë një mashkulli. Kjo, sepse meshkujt janë provuar se nuk para marrin shumë erë nga dashuria, madje edhe në çastin kur ajo i godet, ata bëhen më të hutuar sesa janë. Këshilla për femrat e shekullit të 21 është që t’i marrin vetë në dorë këto çështje dhe të mos ngurrojnë ta shprehin dashurinë kundrejt një mashkulli.

4. Dashuria dhe respekti për veten është kyçi i pavarësisë

Cila është ëndrra e femrave të këtij shekulli? Një makinë, një punë dhe një partner besnik? Epo këto nuk vijnë vetë! Për këtë arsye duhet ta mendoni seriozisht faktin që dashuria dhe respekti për veten janë ato që do t’ju ngjisin lart në qiellin e pavarësisë. Për disa vende të zhvilluara, liria e femrave tingëllon një çështje e konsoliduar, por për shumë vende të tjera ajo mbetet një sfidë. Duajeni dhe respektojeni veten, pastaj do ta keni më të lehtë për pjesën tjetër.

5. Jini optimiste

Sipas një teorie mbi ligjin e tërheqjes, njerëzit i ngacmojnë vetë ngjarjet, qoftë të mira, qoftë të këqija. Kështu që përpiquni të mendoni sa më pozitivisht, në mënyrë që të keni eksperienca të mrekullueshme. Energjia e mirë nuk duhet t’ju mungojë, fundja jeni në gjendje ta ndryshoni fatin e gjërave që ju rrethojnë. Gjithçka nis nga mendimi, filloni që sot t’i mendoni gjërat me syrin pozitiv.

6. Mos i lejoni të tjerët t’ju përulin sepse jeni femër

E çfarë pastaj që i përkisni gjinisë femërore? A nuk do të thotë kjo që jeni 50 përqindëshi tjetër që ka populluar botën? Pra, jeni të barabartë me seksin mashkullor. Njeriu mund të bëhet gjithçka që dëshiron, mos i lejoni të tjerët t’ju largojnë nga dëshirat dhe ëndrrat prej faktit të thjeshtë të gjinisë suaj. Përpiquni sa më shumë të mundeni t’i ktheni synimet tuaja në realitet dhe deri sa të keni arritur aty ku dëshironi, mos dëgjoni askënd që thotë të kundërtën.

7. Jeni më të forta sesa mendoni

A nuk i bien njeriut hallet që duhet t’i përballojë? Nëse keni një problem të madh, atëherë dijeni se ju është dhënë sepse ju mund të jeni të vetmet nga njerëzit që ju rrethojnë që mund ta përballoni. Guximi dhe durimi duhet të jenë dy tipare që nuk mund t’i mungojnë rrugës suaj të gjatë dhe të bukur të përmbushjes së vetvetes.

8. Bukuria nuk qëndron te pamja e jashtme

Tërheqja e shoqërisë kundrejt bukurisë është një klishe që kërkon shumë kohë, në mos shekuj të zbehet. E vërteta është se jeta është më e vështirë për femrat që nuk janë shumë të pashme. Por problemi nuk qëndron te mungesa e bukurisë, por te vlera që kulturat i japin asaj. Magjia e një personi qëndron në karakterin e tij, në ato veti që nuk do të shuhen me kalimin e kohës. Duke qenë se kjo nuk është në dorë të atij që keqtrajtohet, e vetmja gjë që mund të bëni është të ndaloni së shqetësuari për pamjen e jashtme.

9. Të mirat u vijnë atyre që rrezikojnë

Ne kemi lindur me ndjenjën e ndërmarrjes së rrezikut, por edhe të frikës ndaj rrezikut. Një njeri i suksesshëm është ai që e lë mënjanë frikën e humbjes së gjërave, por u përkushtohet metodave për të arritur aty ku dëshiron. Ideja që femrat janë të dobëta dhe nuk mund t’i përballojnë situatat e pakëndshme, është e gabuar. Në fakt mund të jetë e kundërta, në momente të caktuara femrat janë më të guximshme se meshkujt.

10. Mos ngurroni të shprehni mendimin tuaj

Çdo njeri është i bekuar të ketë një mendje, që është burim mendimesh dhe idesh. Të përshtatësh idetë e të tjerëve, vetëm prej faktit që je e frikësuar të shprehësh mendimin tënd, nuk është ajo që do të donit të bënit në jetë. Mirë ose keq, shpreheni atë që mendoni, do të gjeni patjetër dikë që ta vlerësojë. Kini parasysh se jo gjithnjë shumica ka të drejtë.

11. Martohuni vetëm për dashuri

Kurdoherë martesa ka qenë një bashkim që ka marrë pak nga të gjitha arsyet. Megjithatë mbani mend që keni vetëm një jetë dhe mënyra më e mirë për ta jetuar atë është përmes dashurisë. Kalojeni jetën me njeriun që doni, bëni fëmijë me të dhe ditët tuaja do të bëhen më të gjata dhe vdekja do të duket akoma më e largët.

Autor te 19 Tetor 2013. Ndryshe. You can follow any responses to this entry through the RSS 2.0. You can leave a response or trackback to this entry