Struktura e re, në çdo komunë do të ketë nga një postë policie

Deklarata

Drejtori i Policisë së Elbasanit rrëfen disa nga ndryshimet që do të kryhen në polici

drejtori i policise ne elbasan neritan nallbatiMe strukturën e re të policisë, në çdo komunë do të ketë nga një postë policie. Kjo bëhet e ditur nga drejtori i Drejtorisë së Policisë Elbasan, Neritan Nallbati, i cili ka deklaruar gjithashtu se do të shikohet me vëmendje puna e çdo sektori në vazhdim dhe ata që nuk kanë realizuar punën e tyre apo janë të inkriminuar, do të largohen nga Policia e Shtetit. “Në bazë të ristrukturimit të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit do të miratohet struktura e re. Me miratimin e saj kemi krijime të sektorëve të tjerë të veçantë dhe shkrirje të disa sektorëve të tjerë. Në këtë kuadër ne na del për detyrë të bëjmë një analizë të thellë të çështjeve të burimeve njerëzore të mënyrës së pranimit, karrierës dhe rezultatet. Nga kjo analizë do të dalin ngarkesat dhe problematikat që ka pasur në drejtim të shërbimit. Për ata njerëz që janë marrë në mënyrë të paligjshme apo rezultojnë prova bindëse që janë të inkriminuar do të largohen. Po në kuadër të ristrukturimit do të bëhet analizë për të vendosur në këto pozicione njerëzit më të devotshëm dhe më profesionalë në Drejtorinë e Policisë Elbasan”, shpjegoi kreu i Policisë së Elbasanit.

Komunat

Ndërkohë, Nallbati tha se tashmë do të ketë një prezencë më të madhe të Policisë së Shtetit edhe në komuna. “Me strukturën e re do të krijohet nga një postë policie në çdo komunë dhe do të ketë shërbim edhe në mbrëmje që banorët e asaj komune të mos udhëtojnë drejt komisariatit nëse kanë një problem që kërkojnë ndërhyrjen e policisë, por të kontaktojnë direkt inspektorin e zonës. Ndjekja në vijimësi dhe vendosja si prioritet i krimit të hapur do të ketë një vëmendje të shtuar”, shtoi ndër të tjera Nallbati, duke theksuar se Elbasani ka veçanërisht disa tendenca që kanë shqetësuar komunitetin si vjedhja e banesave, prerja e linjave elektrike, dëmtimi e shkatërrimi i pyjeve, lojërat e fatit. Në kuadër të operacionit kundër lojërave të paligjshme të fatit, Nallbati deklaroi se nuk do të ketë asnjë subjekt pa leje që do të veprojë në Elbasan në vazhdim. “Ju bëj thirrje publike të gjithë poseduesve që ta kenë të qartë një herë e mirë që biznes me lojëra fati në mënyrë të kundërligjshme nuk do të ketë në Qarkun e Elbasanit. Puna jonë do të vazhdojë dhe madje do të shtrihet edhe në komuna. Do të jetë punë e vazhdueshme për të cilën strukturat e policisë do të punojnë në mënyrë të përhershme”, tha ai. B. Nergjoni

 

Autor te 19 Tetor 2013. Aktualitet. You can follow any responses to this entry through the RSS 2.0. You can leave a response or trackback to this entry