Përse jemi ndryshe?

Sociologji/ Një botim i ri mbi ato gjëra që na dallojnë prej të tjerëve

“Si e bekon nëna një pushtues dhe një çlirimtar”

FATOS BAXHAKU

fatos_baxhakuAi e thotë vetë. Rrugën e tij të kërkimit dhe të jetës e kanë parapërcaktuar shkëmbinjtë e kalasë së Krujës, që ndodhen afër Prezës, vendlindjes së tij. Të kuq e të zinj ata i kanë kujtuar që në adoleshencë një lloj përzierje tragjike mes gjakrash të ndryshëm: gjaku i kuq i mbrojtësve, dhe gjaku, i përfytyruar i zi, i pushtuesve. “Çfarë bekimi u kanë dhënë nënat e mbrojtësve djemve të tyre dhe si i kanë bekuar nënat e tyre ushtarët pushtues?”, kështu ka pyetur veten në të ritë e tij adoleshenti prezak, tani profesor i njohur i sociologjisë në UT, Zyhdi Dervishi.

Nuk ka veçse pak ditë që është botuar libri i tij i pesëmbëdhjetë. (Nëpër degëzime të kulturës shqiptare; Emal; Tiranë 2013; 445 faqe; 800 Lekë). Titulli, si të gjithë titujt në vetvete, nuk thotë ndonjë gjë të madhe. Porse mjafton një shfletim i parë, e më pas sidomos një i dytë e i tretë, që të kuptosh që kemi të bëjmë me një nga ato libra që dalin pa bujë e pa zhurmë, porse që të bëjnë ta vesh mendjen në veprim. Nuk është aspak një libër që u drejtohet vetëm studentëve apo opinionit të sociologëve shqiptarë. Është vërtet një libër që i hyn në punë çdonjërit prej nesh i cili ende e ka ruajtur aftësinë të pyesë përse, përse ne dallojmë nga të tjerë popuj, të afërt e të largët?

 

“Llambushkat” e një fëmije

Në fillim duhet ta nisim me autorin. Jo thjesht për kërshëri. Duhet ta nisim prej këndej, sepse vetëm kështu do ta kuptojmë përse ai sot është një kërkues në terren, i mirëfilltë, kurioz, i thjeshtë, i qartë, skrupuloz, i ndershëm. Më mirë se ai vetë nuk mund ta thotë askush zanafillën e një kërshërie që na sjell këto botime. “Nuk kam qenë asnjëherë i përkëdheluri i fatit – shkruan ai në hyrje të librit – përkundrazi. Kam qenë vetëm 8 vjeç, kur babai u largua nga kjo jetë. Në vitet e regjimit socialist totalitar pothuajse të gjithë shqiptarët ishin në varfëri ekonomike. Por im atë më la trashëgim katër pasuri të veçanta: idealizmin e kulluar, dashurinë ndaj atdheut (ishte adoleshent, kur u plagos rëndë dhe i dha tokës mëmë pothuajse gjithë gjakun në luftë kundër pushtuesve nazistë), përkushtimin për punën dhe, si mësues që ishte, dashurinë e pakufishme për librin, për arsimin, për dijen. Por krahas këtyre pasurive mua më duhej të përballoja më shumë vështirësi e sfida sesa bashkëmoshatarët e mi. Si përfaqësues i familjes së babait isha i detyruar të merrja pjesë në ceremoni gëzimesh dhe hidhërimesh. Për disa vite, duke qenë fare i vogël, nuk kisha moshë për të folur në mjedise të tilla. Por këto ceremoni mjaft të ndërlikuara, gati spontanisht, më kultivuan aftësinë për të vëzhguar detaje të hollësishme në veprimet, në modelet e sjelljes e të komunikimit të njerëzve të ndryshëm, që përjetonin gjendje emocionale të skajshme, më ndihmuan të dalloj një shumësi nuancash kuptimore të fjalëve e të njësive frazeologjike, më aftësuan për të kuptuar më mirë trazimet shpirtërore të njerëzve. Vija re se në gëzime kishte shumë hare, shumë fjalë, por ato mbartnin shumë pak mençuri. Ndërsa në ceremoni mortore fjalët ishin të rralla, të mirëpeshuara. Në sfondin e zymtë të hidhërimit një fjalë e mençur shërbente jo vetëm si balsam, që u lehtësonte dhimbjen familjarëve, të afërmve të të ndjerit, por edhe si llambushkë që ndriçonte personalitetin e atij që i adresohej, si edhe të vetë artikuluesit të saj. Këto fjalë ‘llambushka’ më kanë ndihmuar në fillim për të depërtuar më thellë në thelbin e mjaft dukurive shoqërore e kulturore, kanë qenë leksionet e para që kam marrë drejtpërdrejt nga jeta për mekanizmat e rregullsive të funksionimit të shoqërisë… Për arsye ekonomike, muajve të verës detyrohesha të punoja në bujqësi. Puna ishte shumë e rëndë, por nga njerëzit e thjeshtë mora shumë mësime për jetën që nuk i mora kurrë as në bankat e shkollës dhe as në auditorët e fakultetit…”. Besoj se tashmë i kemi të qarta psetë e autorit mbi gjërat që e rrethonin dikur. Mbase është më mirë të flasim për librin,  e shkruar tash së voni.

 

Kultura dhe nënkultura

Që të jemi krejt të qartë, me termin kulturë, sociologët dhe andaj edhe Dervishi, nuk kuptojnë vetëm librin, pikturën, muzikën, baletin, atë çka ne jetë e mot e kemi kuptuar si kulturë, porse edhe mënyrën e jetesës, të sjellit, qëndrimin ndaj tjetrit, shoqërisë dhe realitetit, qëndrimin ndaj ndryshimeve, përballjen me to dhe ndryshimet që këto përballje sjellin. Pas këtij koncepti sociologjik vjen nënkultura (subculture), degëzimet e një shoqërie që varen nga faktorë, gjeografike, fetarë, politikë, ekonomikë, kulturorë të mirëfilltë e kështu me radhë.

Pjesa e parë e librit të prof. Dervishit ka të bëjë pikërisht me këtë, me nënkulturat, apo me degëzimet sikurse i pëlqen atij t’i quajë. Temat janë të shumta sikurse janë po aq të shumta pyetjet dhe përgjigjet: vendi ynë mes ndikimeve të Perëndimit dhe Lindjes, ndryshimet krahinore në ritualin e gjakmarrjes dhe nga se burojnë ato, diferencat mes jetës shekullore në male dhe në fusha dhe si kanë ndikuar ato në krijimin e mentaliteteve, mënyrave të jetesës së ndryshme, ndikimi i dialekteve në jetën tonë të përditshme. A na japin dialektet edhe një mënyrë tjetër të qëndruari ndaj gjërave? Po përkatësia fetare, pavarësisht të famshmit mirëkuptim fetar a na bën të jemi të ndryshëm brenda tërësisë sonë shqiptare? Të gjitha pyetje që rrotullohen mbi kryet e shumëkujt prej nesh tashmë disa dekadash.

Pjesa e fundit e gjysmës së parë të librit na kujton që jeta është më pak e ndërlikuar se sa e marrim shpeshherë. Ajo merret, po citojmë tekstualisht disa nëntituj: Transporti hekurudhor: vonesë më se njëshekullore; Emërtimi “qerre” – ogur për shpejtësi komunikuese të pamjaftueshme; telefona pa privatësi: përcjellës të dobët të elementeve nënkulturore. Të gjitha telashe që i hasim përditë, porse nuk i dimë se si t’i shpjegojmë, ose i marrim thjesht si fatalitete.

 

Intelektual? Çfarë do të thotë?

Dhe vërtet, cili prej nesh nuk e ka pyetur ndonjëherë veten: more, po dale pak: Çfarë do të thotë te ne intelektual xhanëm? Një që ka marrë diplomën e shkollës së lartë? Po të tillë janë shumë! Një që shkruan në gazetë? Një që bën libra? Po edhe këta… po atëherë kush? Përgjigjen mund ta merrni fare shkoqur në pjesën e dytë të librit të prof. Dervishit. Në këtë pjesë ai merret më së shumti me marrëdhëniet e mendjes së një vendi me strukturat me të cilat ai përballet, politikën, mediokritetin, sistemin e zvetënuar të gjykimit të vlerave, mungesën e respektit për atë çka brezat paraardhës kanë ndërtuar (këtë ai e cilëson shkoqur si “kompleksi ynë i Rozafës”, a më saktë ndërto ditën, rrëzo natën)… Ja pra që paska shumë gjëra që na dallojnë nga të tjerët. Por se përse mund ta merrni vesh më mirë nga ky libër i porsadalë. Është një libër që jo vetëm ia vlen të lexohet, porse duhet kundruar hera-herës sa herë debati ynë familjar apo shoqëror gjallon ndër shtëpi, kafene, cepa lagjesh apo rrugicash. Me anë të tij autori, sikurse edhe herë të tjera, ka arritur të kapërcejë një pengesë që dukej si e pamundur. Atë të marrëdhënies së barabartë mes shkencës dhe publikut, mes kërkuesit dhe njeriut të thjeshtë, mes pikëpyetjeve dhe përgjigjeve.

Autor te 21 Tetor 2013. Kulturë. You can follow any responses to this entry through the RSS 2.0. You can leave a response or trackback to this entry