Fier
I arrestuari Petrit Beqiri pretendon se kjo është një sajesë, për shkak të një konflikti pronësie
Fqinja e policit ka deklaruar pranë SHKB-së se ai e ngacmonte, me qëllim që t’i jepnin tokën
Konflikti për një copë tokë dyshohet se ka çuar një punonjës policie deri aty sa të ngacmonte seksualisht gruan e fqinjit, por kjo i ka kushtuar shumë, pasi është arrestuar nga kolegët e tij të Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm. Bëhet fjalë për një ngjarje të ndodhur në një fshat të Fierit, ku fqinja ka denoncuar oficerin për ngacmim seksual, pavarësisht se ai nuk ka pranuar ta ketë kryer një veprim të tillë, duke paraqitur pretendimet e tij. Burimet policore bënë të ditur se pavarësisht pretendimeve, punonjësi i policisë, Petrit Beqiri, 51 vjeç, banor i fshatit Mbrostar-Ura i Rrethit të Fierit është vënë në pranga mesditën e djeshme, duke u bazuar në një urdhër-ndalimi të lëshuar nga prokuroria. Lajmi është bërë i ditur për gazetën nga burime të Policisë së Shtetit, të cilat pohuan se ndalimi i efektivit Petrit Beqiri është kryer për veprat penale të shpërdorimit të detyrës dhe ngacmimeve seksuale.
Burime të Ministrisë së Brendshme bënë të ditur se Petrit Beqiri, i cili ishte me detyrë komandant i patrullës së policisë që shërbente në qytetin e Patosit, është vënë në pranga nga oficerët e Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm. Sipas të dhënave, ka qenë një hetim disajavor i SHKB-së, që ka siguruar provat ndaj Beqirit, të cilat i janë vënë në dispozicion Prokurorisë së Fierit. Pas analizimit të provave, organi i akuzës ka urdhëruar ndalimin e tij për veprat penale të sipërcituara. Punonjësi i policisë, Petrit Beqiri, mësohet të ketë pasur një konflikt të vazhdueshëm me fqinjët e tij në Mbrostar-Ura. Mësohet të ketë qenë pretendimi i tij për një pjesë toke të fqinjëve, që e ka shtyrë t’i shqetësojë herë pas here. Nga burime të gazetës mësohet se për katër vite me radhë, ata kanë pasur konflikt të hapur për pronësinë dhe duket se efektivi Beqiri, duke përfituar edhe nga uniforma, i ka shqetësuar herë pas here fqinjët e tij, duke u kërkuar që të largohen nga banesa. Sipas hetimeve ka rezultuar se, pasi Petriti ka krijuar konflikte të shpeshta me fqinjin, gruan dhe fëmijët e tij, së fundmi ka zgjedhur një mënyrë tjetër, me qëllim që t’i mërzisë e t’i detyrojë të ikin. Sipas burimeve të bluve, kohët e fundit, ai ka ngacmuar seksualisht edhe fqinjën e tij S.G., 43 vjeçe, me qëllim që situata për familjen e tyre të bëhej e padurueshme e të braktisnin shtëpinë. Në këto kushte, e dëmtuara ka kryer disa herë kallëzim gjatë muajve të fundit ndaj punonjësit të policisë Petrit Beqiri. Por, pasi kolegët e tij shkonin në vendngjarje dhe kryenin verifikimet përkatëse gjithçka mbetej në kuadrin e fjalëve dhe ai nuk ishte proceduar. Por, pas kallëzimit të fundit të kryer pak javë më parë, SHKB-ja duket se ka arritur të sigurojë prova që ngrenë dyshimet se 51-vjeçari ka abuzuar me detyrën e tij dhe ka ngacmuar seksualisht fqinjën. Ndërkohë, pas arrestimit, Beqiri e ka mohuar të ketë ngacmuar seksualisht fqinjën e tij, duke pohuar se gjithçka ka qenë një sajesë. Nga deklarimet e fqinjëve të tjerë është mësuar se dy familjet kanë pasur konflikte të shpeshta pronësie, por kanë theksuar se nuk kishin dëgjuar fjalë lidhur me moralin e 51-vjeçarit Beqiri.
E. Hoxhaj