Gara për drejtor arsimi, përcaktohen kriteret

Ministria e Arsimit vendos kërkesa të veçanta, kandidatët duhet të dorëzojnë dokumentet brenda 28 tetorit

Lorina Mixha

Ministria e ArsimitNjë ditë pas shkarkimit të drejtorëve të drejtorive arsimore, Ministria e Arsimit dhe e Sporteve ka bërë gati procedurat dhe ka publikuar të gjitha procedurat dhe afatet për kandidatët që kërkojnë të zgjidhen si krerë të drejtorive arsimore apo zyrave arsimore. Përveç këtyre procedurave do të ketë edhe të tjera, për të cilat do të njoftohet në vijim, por ajo që do të kërkohet me ngulm do të jetë edhe projekti madhor dhe i qartë se si këta drejtues sapo të vihen në krye të institucionit do të ndryshojnë situatën arsimore në zonën e tyre, shkollat, klasat menaxhimin e kështu me radhë. Pas shkarkimit të drejtorëve dhe dorëheqjeve të dhëna prej tyre, pritet të zhvillohet deri në fund të nëntorit sistemi i konkurrimit për krerët e rinj, vendimin përfundimtar për të cilët do ta marrë një juri personalitetesh.

Në zbatim të ligjit “Për sistemin arsimor parauniversitar” dhe “Për riorganizimin e Drejtorive Rajonale dhe Zyrave Arsimore”, Ministria e Arsimit dhe Sportit shpall konkurrimin për 1 vend të lirë, në pozicionin Drejtor në Drejtorinë Arsimore Rajonale përkatësisht: Tiranë, Durrës, Shkodër, Fier, Gjirokastër, Vlorë, Korçë, Dibër, Elbasan, Lezhë, Kukës, Berat dhe Tiranë-Qark.

Kandidatët duhet të plotësojnë kërkesat e përgjithshme për pranimin në Shërbimin Civil, në përputhje me nenin 12 të ligjit nr. 8549, datë 11.11.1999 “Statusi i nëpunësit civil”.

Kërkesat

Të ketë mbaruar arsimin e lartë në ciklin e dytë për master shkencor në mësuesi, të ketë së paku 5 vjet përvojë profesionale dhe menaxhuese, parapëlqehet përvoja në nivele të larta të administrimit arsimor dhe në fusha që ndërlidhen me punën e DAR-së. Po ashtu kërkohet të ketë kompetenca në përcaktimin dhe arritjen e objektivave strategjikë dhe operacionalë të institucionit, të ketë aftësi shumë të mira organizative dhe drejtuese. Kërkohet si pjesë e veçantë aftësi shumë e mirë e komunikimit dhe e negocimit, të ketë aftësi të mira të përdorimit të programeve kompjuterike. Njohja e gjuhëve të huaja përbën avantazh për kandidatin.

Dokumentet

Kandidati duhet të paraqesë, brenda datës 28 tetor 2013, në Ministrinë e Arsimit dhe Sportit: Kërkesën për konkurrim, CV-në, dy letra rekomandimi, fotokopje të diplomës universitare dhe asaj “Master” dhe listës së notave, fotokopje të librezës së punës. Kërkohen fotokopje të certifikatave të kualifikimit, dëshmi të gjuhëve të huaja dhe të kompjuterit (nëse ka), vërtetimin e gjendjes gjyqësore, një numër telefoni, adrese elektronike, për t’u kontaktuar si dhe adresën e plotë të vendqëndrimit.

Mosparaqitja e këtyre dokumenteve sjell skualifikim të kandidatit.

Procedura

Pas verifikimit paraprak, më datë 05 nëntor 2013 në selinë e Ministrisë së Arsimit dhe Sportit do të shpallet lista e konkurrentëve, të cilët kanë plotësuar kërkesat e paraqitura në rubrikën “Kërkesat e veçanta të kandidatit” dhe do të vazhdojnë më tej konkurrimin, si dhe data kur do zhvillohen finalet publike përballë një jurie prestigjioze. Ky njoftim, rezultatet e verifikimit paraprak, si dhe datat kur do të zhvillohen testimet, mund të gjenden në adresën e WebSite të Ministrisë së Arsimit dhe Sportit www.mash.gov.al

Ish-drejtuesit e drejtorive arsimore, por edhe drejtuesit e shkollave në vend kanë bërë shkelje të pastra të ligjit lidhur me emërimet dhe punësimet e mësuesve. Një pjesë e tyre kanë paraqitur dorëheqjen në ditët e para të ardhjes së qeverisë së re, ndërkohë që ministrja e Arsimit ka bërë shkarkimin për 12 drejtorët e drejtorive arsimore pas rezultateve të inspektimeve paraprake në të gjithë vendin nga një grup pune i ngritur posaçërisht për të bërë evidentimet lidhur me problematikat dhe emergjencat që ka sot sistemi arsimor. Janë shkarkuar ata drejtues të cilët kanë dorë në emërimet dhe shkarkimet e mësuesve në vend, qoftë me kohë të plotë, qoftë provizor.

 

Kriteret

 

• Të ketë mbaruar arsimin e lartë në ciklin e dytë për master shkencor në mësuesi

• Të ketë së paku 5 vjet përvojë profesionale dhe menaxhuese, parapëlqehet përvoja në nivele të larta të administrimit arsimor dhe në fusha që ndërlidhen me punën e DAR-së;

• Të ketë kompetenca në përcaktimin dhe arritjen e objektivave strategjikë dhe operacionalë të institucionit.

• Të ketë aftësi shumë të mira organizative dhe drejtuese.

• Të ketë aftësi shumë të mira të komunikimit dhe të negocimit.

• Të ketë aftësi të mira të përdorimit të programeve kompjuterike

• Njohja e gjuhëve të huaja përbën avantazh për kandidatin.

 

Paraqitja e dokumenteve

 

• Kërkesën për konkurrim

• CV-në

• Dy letra rekomandimi

• Fotokopje të diplomës universitare dhe asaj “Master” dhe listës së notave

• Fotokopje të librezës së punës

• Fotokopje të certifikatave të kualifikimit

• Dëshmi të gjuhëve të huaja dhe të kompjuterit (nëse ka)

• Vërtetimin e gjendjes gjyqësore

• Një numër telefoni

• Adresë elektronike, për t’u kontaktuar si dhe adresën e plotë të vendqëndrimit

Autor te 23 Tetor 2013. Kryesoret, Sociale. You can follow any responses to this entry through the RSS 2.0. You can leave a response or trackback to this entry