PROBLEMET E KOMPENSIMIT PËR LEGALIZIMET

AGIM BERISHA

Agim BerishaReforma e legalizimit të ndërtimeve informale nuk është reformë agrare, që bën rishpërndarjen e tokave. Ajo është një reformë e diktuar nga një realitet i ri i krijuar nga migrimi i brendshëm, ku shteti përmes saj pranon dhe fajësinë e vet, në mosadministrimin e territorit dhe përmes formalizimit kërkon t’i jepet fund informalitetit, si fenomen e procedurë. Në këtë megareformë legalizimi i objekteve informale kuptohet si faza kryesore e këtij procesi, por jo, kjo është vetëm maja e ajsbergut. Ajo ka “brenda” kompensimin, urbanizimin, integrimin dhe zhvillimin e zonave me ndërtime informale, si dhe do të evidentonte një adresim të saktë të bizneseve e qytetarëve përmes konstatimit në terren të vendndodhjes dhe përditësimit në harta, si dhe elemente të tjera shumë të rëndësishme, efektet post legalizim. Formalizimi i objektit, “formalizon” dhe një sërë aktivitetesh informalë, si taksën e pronës, formalizon një dyqan apo biznes, “formalizon” punën e “zezë”, “formalizon” pagesën e dritave, të ujit etj. Është një “goldenreformë”, që ka brenda edhe elementë që shpesh përjashtojnë njëra-tjetrën, të bësh pronar njërin duke i marrë pronën tjetrit.

Në këtë reformë pronarët janë ata që kanë në dorë vazhdimin e procesit të legalizimit. Mjafton vetëm një hapje procesi gjyqësor që të pezullohet procesi deri në përfundimin e gjyqit, prandaj pronarët duhet të vlerësohen maksimalisht për pranimin me fisnikëri të këtij procesi, duke u“përkulur” të gjithë para tyre për këtë akt, e dhënia e asaj që u takon është një detyrim minimal ndaj tyre. KOMPENSIMI është hallka më e vështirë e procesit me të gjithë elementët që mbart, por edhe si procedurë, jo vetëm sepse ka brenda një faturë shumë të madhe financiare për kompensim, por edhe për rrugën që ndiqet. Pjesa më e vështirë është fatura e kompensimit, një detyrim i marrë përsipër nga qeveria, por që do krijohej nga të ardhurat e mbledhura, të 80% të vlerës së faturës që paguan qytetari për parcelën ndërtimore. E theksoj, kjo faturë është shumë e madhe dhe për t’u plotësuar, patjetër, do të prekë edhe fonde të tjera. Po të mendosh që shteti ka dhe fatura të tjera për të paguar si borxhe, dëmshpërblime e kompensime etj. Taksapaguesit shqiptar do t’i duhen edhe disa dhjetëra vite të tjera për të shlyer këto detyrime, pa qenë fajtor ndaj tyre, prandaj kompensimi kërkon kujdes ligjor e teknik dhe jo “zemërgjerësi” në kurriz të të tërëve, siç thotë populli “mat shtatë herë e pri një herë”. E rëndësishme në një ligj është të hysh në logjikën e tij, ashtu si në një problem matematike. Unë po citoj disa elemente të rëndësishme.

Kryesore në këtë reformë duhej të ishte elementi dhe faktori kohë. Ky element mbart brenda edhe “skadencën” e saj dhe do të mbyllte përfundimisht informalitetin duke u quajtur viti zero për të, pa të drejtë përsëritjeje dhe amnistie të dytë, si dhe do të kushtëzonte pjesëmarrjen aktive të të gjithë “informalëve” në këtë proces, përmes shlyerjes së detyrimeve të përcaktuara me ligj brenda këtij afati, ose, në rast të kundërt, rikthimin e pronës te pronari, apo kalimin e parcelës me qira nga pronari i ligjshëm, te poseduesi i ndërtimit informal, sipas “dëshirës” së pronarit. Ky faktor, do të ishte një detyrim edhe për ALUIZNI-n, specialistët e saj, për moszvarritjen pafundësisht të procesit, ku qytetarët tregojnë me emra, për “detyrimet” shtesë që u kërkojnë, për çdo fazë të procesit, secili për “linjën” që mbulon. Mungesa e këtij faktori “stimulon” korrupsionin. Edhe unë, para ca kohësh, përmes një shkrimi-intervistë për ALUIZNI-n, mendova të hap një “katarsis”, duke nxjerrë anët e errëta, por që bëhen ditën për diell, të zvarritjes së pafund të procesit të legalizimeve, jetikë për vendin. Unë nuk fola për të fituar, por ngrita zërin kundër një fenomeni shkatërrues, detyrim qytetar, pavarësisht me kohën që koincidoi. Fola sepse jam dhe e ndiej veten të lirë, e jo peng i kujt. Ky nuk ishte i pari, të tillë kisha bërë edhe në vitin 2012, e më parë, në gazeta të tjera me emër, por vlerësimi e trajtimi që i bënin gazetat ishte i ndryshëm. Natyrisht në këtë, nuk u mora me historitë pafund, për të qeshur, e për të qarë, të cilat i tregojnë vetë punonjësit e ALUIZNI-t me detaje nëpër kafene. Histori të dhimbshme e të frikshme për një administratë që mbahet me paratë e taksapaguesve… Unë nuk u mora me to, sepse ata që u djeg miza pas veshit do të zgjoheshin, por u mora vetëm me procesin, duke peshuar shifrat dhe kohën, përmes një analize ekonomike, sociale dhe humane të tij, nisur nga një eksperiencë tërësisht profesionale, por me indicie nga ankesat e qytetarëve. Për këtë analizova tre elementë proceduralë, që janë shkallët nga kalon i tërë procesi deri në mbyllje, që detyrimisht duhet të kishin afatin kohor të përcaktuar, e jo të zvarriten me vite… Kur del VKM-ja, do të thotë që objekti është kualifikuar deri në fazën e dhënies së faturave, (marrë statusi juridik i parcelës, konfirmimi nëse ka studim urbanistik apo element të tjerë të përcaktuar në ligj që përjashtojnë nga procesi i legalizimit), kur jepen faturat, në momentin që qytetari bën pagesat i duhet dhënë leja e legalizimit, kur qytetari merr lejen e legalizimit, menjëherë bashkë me lejen dërgohet shkresa në hipotekë. Gjatë këtyre viteve janë dhënë mesatarisht 3000 leje/vit. Po të nisesh nga një veprim i thjeshtë aritmetikor, nga nr.total 270 000 vetëdeklarime të pjesëtosh me nr. e lejeve, 3000 leje legalizimi në vit, del një shifër 90, që është numri i viteve kur duhet të mbarojë procesi i legalizimeve… Nisur nga gjithë këto, unë fola jo si engjëll, por shqip. Fola edhe ngaqë unë jam për ekonomi liberale që buron nga iniciativa e lirë, por jo nga korrupsioni liberal, që do të thotë nuk duhet ndëshkuar procesi për zvarritjen, por duhet ndëshkuar korrupsioni, së bashku me “kamikazët” e këtij fenomeni, të cilët çuditërisht janë të paprekshëm nga çdo ndryshim, qoftë edhe politik.

Unifikim i hartave të punës, mes tre institucioneve AKKP-së, ZRPP-së dhe aluizni-t, sepse secila punon me hartën e “vet”. AKKP-ja është autoriteti që i propozon qeverisë hartën e çmimeve të ndarë në zona të caktuara, që është elementi më i rëndësishëm i kompensimeve. Bëhet fjalë për kompensim qindra milionë euro. Zonat e çmimeve ndahen me një vijë e hollë imagjinare pa përmasa. Nga një mospërputhje e saktë, siç veprohet sot nga punonjësit e ALUIZNI-t, mes hartës së AKKP-së dhe asaj të ALUIZNI-t, nga një gabim edhe me mm apo cm, në ndarjen e zonave të çmimeve, të kësaj vije imagjinare, gabimi është me dhjetëra milionë lekë, p.sh. Bathorja me Institutin Kamzë, që u përkasin zonave të ndryshme administrative, çmimi ndryshon me 20 mijë lekë të reja për m2, e jo vetëm, por nga 300 m2, qytetari përfiton 500 m2, me çmim favorizues, apo zona të Bashkisë Tiranë ku çmimi nga kjo vijë imagjinare ndryshon deri në 100 mijë lekë të reja… ZVRPP-ja lëshon dokumentin bazë nga fillon procesi i legalizimit, madje e bën të besueshëm atë. Për mua u kuptua gabim qëllimi i kësaj reforme të re “pronësie” shumëdimensionale. Ajo vërtet do të bënte revolucion në pronësi, sepse merrte përsipër tjetërsimin e pronave dhe krijimin e pronarëve të rinj, nga realiteti i krijuar, por kjo nuk do të bënte, pavarësisht nga ndonjë mangësi që ka ZRPP-ja, revolucion në hipoteka (ZRPP). Nëse ndërhyhet në hipoteka, të cilat unë i konsideroj, banka ku qytetarët depozitojnë pronat e tyre, më duket bëhet fjalë për 2 milionë pasuri, të cilat edhe duhet t’i mbrojë e të përgjigjet për to, përmes abdetimit, atëherë do të krijonim një rrëmujë të paparë, nga e cila nuk dilet dot. Çfarë dua të them me këtë. Meqenëse procesi fillon nga hipoteka, atëherë të gjitha pronat që qytetarët i kanë regjistruar në hipotekë sipas hartës që u ka dhënë vetë hipoteka, duhej të merren si pika referimi dhe të mirëqena në formë dhe përmbajtje, sipas të dhënave numerike dhe hartografike. Fotografimi ajror do të bënte “inventarizimin” momental të të gjitha objekteve të ndërtuara në vendin tonë për t’i shërbyer procesit të formalizimit të tyre dhe do përcaktonte atë që quhet viti zero për ndërtimet informale.

Kompensimi në vetvete kërkon të bësh dallimin e pronarëve të ligjshëm që u është tjetërsuar prona nga njerëz “të panjohur”, nga pronarët që u është zënë prona po nga trashëgimtarë. Mendoj se ALUIZNI-t iu dhanë atribute, apo i mori vetë, më shumë se i takonin, deri në atë, që dhënia e fondeve për kompensim varej nga “zemërgjerësia” e tij. Lënia evazive e gjërave, apo siç thuhet edhe kështu edhe ashtu, është precedent për korrupsion kudo, por te pronat të cilat janë të prirura për konflikte kjo është e patolerueshme. Ja çfarë dua të them:

Një pronar ka me dokument pronësie edhe parcelën edhe objektin, është lindur dhe rritur në atë truall apo pronë. Afër tij ka ndërtuar një tjetër, pa i cenuar as rrethimin e parcelës, as objektin e tij. ALUIZNI merr nga ZVRPP-ja përkatëse, sipas kërkesës së saj, konfirmimin e statusit juridik, të parcelës ku ka ndërtimin informal qytetari, të vetëdeklaruar. Këtë konfirmim të shoqëruar me hartën treguese, të ZRPP-së, ALUIZNI e mbivendos, apo përputh te harta e saj e dalë nga fotografimi ajror. Meqenëse hartat janë të formateve e “shkollave” të ndryshme, duhen mbivendosur me teorinë e llastikut, siç quhet teknikisht, duke u nisur nga disa pika referimi, ku zgjedhja e pikave varet nga specialisti që kryen këtë përputhje. Nga kjo “përputhje”, një pjesë e pasurisë në të cilën është bërë ndërtimi informal i vetëdeklaruar, bie brenda pronës së qytetarit me dokument pronësie, por që nuk e “lidh” gjë me ALUIZNI-n, por Aluizni e bën të varur ndaj tij, duke e kompensuar pa asnjë kërkesë dhe duke i zvogëluar pronën.

Dy vëllezër komshinj kanë ndërtuar secili në truallin e vet, që e zotërojnë me dokument pronësie. Nga përputhja e hartës së ZRPP-së me atë të ALUIZNI-t, pasuritë e vëllezërve insertohen te njëra-tjetra. Atëherë detyrohesh të bësh kalim pronësie e kompensim për metrat e insertuara. E blejnë me “dy lekë” e kompensohen me çmim tregu…

Djali, shpesh edhe vajza, bën një ndërtim ngjitur me shtëpinë e babait ku është lindur e rritur dhe këtë ndërtim e vetëdeklaron për legalizim. Pronës së bashku me ndërtimin informal i bëhet kalim pronësie e kompensim, ku djali shpesh merr gjithë sipërfaqen e parcelës, duke i lënë shtëpisë së vjetër vetëm daljen. Pra i biri e merr me çmim simbolik dhe i ati kompensohet me çmim tregu…

Një prej trashëgimtarëve, brenda pronës së përbashkët bën një ndërtim informal. Meqenëse nuk e zgjidh dot problemin me bashkëpronarët, atëherë kjo përgjegjësi, i ngarkohet shtetit. Ai e përfiton pronën me çmim simbolik dhe bashkëpronarët kompensohen me çmim tregu duke zbritur një vlerë po simbolike 1/10 apo 1/100 që i takon këtij… Për mua ai të legalizohet, ky është dhe qëllimi i kësaj reforme dhe i vetë qytetarit, kurse atë pjesë të parcelës që i takon ta marrë sipas trashëgimisë.

Dy vëllezër zotërojnë me dokument pronësie një objekt të përbashkët, njëri katin e parë tjetri katin e dytë, si dhe nga një parcelë secili në anë të ndryshme, të dy bëjnë nga një shtesë në anë të kundërta te pronat e vëllait dhe e vetëdeklarojnë. Tani bëhet dhe kalim pronësie dhe kompensim. Ata legalizojnë objektin me çmim favorizues dhe për sipërfaqet e zëna kompensohen me çmim tregu. Kështu ata shpërblehen për këtë “kontribut” të dhënë, përfitojnë më shumë nga legalizimi…

Ka shumë pronarë të ndërtimeve informale që kanë blerë nga pronarë të ligjshëm parcelën ndërtimore me kontratë parablerje te noterët, disa të tjerë me letra dore po nga pronarët e ligjshëm që para 10-15 vitesh, por që pronarët e ligjshëm nuk ua bëjnë shitjen me hipotekë, siç duket janë “instruktuar” mirë, sepse tani është rritur çmimi i truallit disa herë që nga koha e shitjes, por kërkojnë t’ua blejë shteti përmes kompensimit. Këtë e kam konstatuar po thuajse në të gjitha zonat informale, që nga Kodra e Priftit, Unaza e Re, e deri në Paskuqan e Bathore. Unë gjatë punës time kam takuar shumë pronarë “informalë”, që kanë ndërtim të vetëdeklaruar, që kanë blerë nga 1-4 mijë M2 parcelë me letra të tilla. Po marr mesataren 10pronarë x 2000M2 =20 mijë M2 x 20 mijë lekë/M2 (çmim minimal në Tiranë), japin një vlerë kompensimi 400 milionë lekë të reja. Ndërsa të gjitha së bashku që unë citova më lart, me një “kujdes” të trajtimit të tyre shteti “kursen” qindra milionë euro për kompensim.

Miratimi i vijave të verdha për të gjitha zonat e vendit qytet e fshat, sipas hartës së unifikuar, të përditësuar, meqenëse kudo po jepen leje ndërtimi edhe për pallate. Vetëm nga kategorizimi brenda apo jashtë vijave të verdha, çmimi ndryshon me miliona lekë për m2 jashtë 300 m2. Paskuqani e Bathorja e kanë të papërcaktuar vijën e verdhë, kur aty ndërtohen pallate. Po kështu, zona e Rradhimës e shumë të tjera. Probleme ka Lezha, Berati e disa të tjera, që brenda qytetit kanë zona jashtë vijave të verdha, që reflektohet dhe në çmimin e legalizimit.

Duhet të jetë më i bindshëm dhe më i përgjegjshëm, klasifikimi i objektit ////////////////////funksion biznesi apo i kombinuar duke parë si përcaktues ngritjen në lartësi, madje edhe ky në raport me përqindjen biznes/banim, me prioritet sipërfaqja më e madhe. Këtu bëhet “loja” më e madhe, gjatë llogaritjes së faturës, apo siç kanë një shprehje “leku madh”, që mund të fitohet. P.sh., një qytetar ndërton një hotel 3-4 apo më shumë kate, sidomos në zonën bregdetare, e jo vetëm, sipër deklaron një dhomë, madje qoftë dhe një kat që e ka banim. Ky fakt ul pagesën 10 apo më shumë herë. Këto duhej të ishin para për kompensimin e pronarëve. Për mua formula empirike, që aplikohet sot nuk është e saktë dhe më kryesorja i mungon logjika matematike dhe ekonomike.

Unë nuk jam dakord me mënyrën e legalizimit të pallateve, me apartamente për shitje, si banesa private, pavarësisht nga mënyra e deklarimit për banim vetjak, por që syri i një profesionisti e dallon funksionin e saj. Po të krahasosh detyrimet që paguhen për një pallat me leje me një pa leje, vëren ndëshkimin që u bëhet ndërtuesve korrekt, kur i avantazhuar duhet të ndihet biznesi formal. Çdo ndërtues kur kontrakton me pronarin e truallit për ndërtimin e një pallati me disa apartamente, kontrata përcakton që pronari i truallit përfiton nga ky ndërtim deri në 40% të m2 të ndërtimit total, pa llogaritur detyrimet tatimore, apo detyrimet për marrjen e lejes së ndërtimit, kurse ai që ka një pallat pa leje, jo vetëm nuk paguan detyrime tatimore, por nuk pranon të paguajë as vlerën e truallit me çmim tregu që është disa herë më i lirë se çmimi i shitjes, e që nuk është as 10% e vlerës që paguan ndërtuesi “formal”, por kërkon ta marrë “falë” me çmim favorizues. Me këtë “kujdes”, shteti i “fiton” për kompensime, dhjetëra milionë euro.

Në zonën e Durrësit është përcaktuar nga AKKP- “fashoja” që përcakton distancën 200 ml nga vija bregdetare që nuk ka çmime të përcaktuara, që do të thotë se brenda kësaj distance nuk ka objekte për legalizim. Për çudi gjatë gjithë vijës tjetër bregdetare kjo nuk është bërë, madje nuk është respektuar as kjo pjesë e vijës për ndërtimet informale. Këto që unë theksoj nuk janë aq të frikshme sa duken. Ato janë gjëra shumë të thjeshta kur trajtohen me logjikën e ligjit dhe shteti “fiton” qindra milionë euro për kompensimin e pronarëve të ligjshëm.

Autor te 23 Tetor 2013. Opinion. You can follow any responses to this entry through the RSS 2.0. You can leave a response or trackback to this entry
  • ARBER RADOMI

    Agim Berisha , ky ” TIRONC AUTOKTON ” KAMELEON , qe ashtu si bojen e flokeve ,ndrron partite , kujtonte dikur , se iu a hidhte demokrateve te nje rrugice plot tiranas e dibrane te vjeter, afer Profarmes , me ” devocionin ” ekstremist e publicitar qe bente me flamuret e PD , te cilet rrethonin shtepine e tij nga te kater anet , Perkohesisht , pati nje fare suksesi , nisur dhe nga shfrytezimi i faktit , qe mbante te njejtin mbiemer me Dr. Berishen ( me te cilin vec mbiemrit kurre s’ka pasur asgje te perbashket) dhe keshtu e kapi vendin e drejtorit te ALUIZNI-t te Tiranes , por s’e mbajti gjate per te gjitha ato arsye , qe si ai , i dijne mire edhe te tjeret … Tani , jep edhe mend , ku mundet , po s’ia pranon kush , e aq me pak , veshtire t’iu a hedhe socialisteve , ose me sakte ” specialisteve ” , te cilet ,te keqperdorurit , dijne shume mire ti trajtojne , duke i hedhur ne plehra , per te cilat , tani , qe e ndaluan me ligj importin e tyre , kane shume nevoje impiantet e ngritura per riciklim , qe pa plehra rrezikojne falimentin !!!…

    • maria

      Mooooooos prape ky surrat …..ky trap asnjehere ska ditur dhe kuptuar cbente ne kohen kur ishte kamikazi i Sabes dhe Tos olldashit qe jau mbushi trecerek kubin e eurove qe pretendonin ata ….po beri edhe ndonje lek per vete e per prokuroret qe e tororisen ca kohe neper prokurori e ja moren ca para….ky ishte turpi i aluiznit me mbledhjet e mengjesit cdo dite ….qe sthoshte asgje …por si i semure nga deliri i madheshtise qe ishte kujtonte se ishte i mencuar ….pika qeverive qe mban halabake te tille
      ata qe kane njohur ne ate kohe shprehen se ska nje te dyte ne Shqiperi per medioker dhe injorante …..se kuptoj ssi rri e shkruan ….pika pika pika