Aktualitet Policia rrethon ndërtesën në Vlorë, gati për shpërthim

Policia rrethon ndërtesën në Vlorë, gati për shpërthim

150
SHPËRNDAJE

Operacioni

Në ditën e dytë të punimeve nga forcat xheniere për rrëzimin e godinës shtatëkatëshe në Vlorë, punëtorët kanë punuar për hapjen e birave për vënien e dinamitit. Puna ka nisur ditën e martë dhe ka vazhduar deri mbrëmjen e së mërkurës. Po ashtu shumë forca policore kanë rrethuar godinën ditën e djeshme në mëngjes dhe vazhdojnë ta mbajnë të rrethuar për të mos kaluar asnjë qytetar brenda godinës ku po kryhen punime. Në ndihmë të policisë së rendit të Vlorës, në rrugën kryesore që të çon në Ujin e Ftohtë, qëndrojnë të instaluara dy furgonë të FNSH-së së Fierit, të cilët janë në gatishmëri për ndonjë event nga pronarët e godinës, po ashtu punonjës së INUK-ut. Ndërkohë godina ndodhet përgjatë rrugës Skelë–Uji i Ftohtë dhe ka nisur ndërtimin rreth viteve 2000. Sipas informacioneve konfidenciale, objekti shtatëkatësh është me leje ndërtimi të rinovuar, që është marrë në vitin 2000 nga Bashkia e Vlorës. Ndërkohë, në këtë territor, para se të ndërtohej godina, e cila është projektuar për hotel, ka qenë një lokal i cili shërbente para viteve ‘90 si bar “Aulona” dhe ishte një ndërtesë njëkatëshe dhe kur u privatizua lokali në vitet 1992, është privatizuar nga ish-punonjës, të cilët kanë punuar në këtë lokal. Më vonë, pas vitit të mbrapshtë të ’97-s, ky lokal u ble nga një qytetar i Vlorës, i cili më pas e prishi dhe ndërtoi godinën, por kurrë nuk u vu në dispozicion, pasi nuk u përfundua prej më shumë se 15 vitesh dhe tashmë është drejt rrëzimit nga shpërthimi me dinamit.

Për shembjen e kësaj godine, nuk ka asnjë informacion zyrtar, as nga policia e rendit, policia ndërtimore e Vlorës, si dhe as nga INUT, i cili mban përgjegjësinë për këtë aksion. Dje nuk u publikua informacion për bllokimin e rrugës dhe zonës, ndërsa në këtë zonë ka pasur dhjetëra punonjës të policisë. Ndërkohë, burime jokonfidenciale, bëjnë me dije se në prishjen e objektit do të jetë i pranishëm Kryeministri dhe deputeti i zonës, Edi Rama, ndaj edhe objekti vazhdon të qëndrojë ende në këmbë. M.Marsi