SHTRATI SHQIPTAR I JENIÇERËVE NË NJË ROMAN TË JASON GOODWIN

BAJRAM PEÇI

pema e jenicereveNga nevoja për të zbuluar një krim, pas të cilit fshihet një komplot kundër Portës së Lartë, buron tërë përmbajtja e romanit. Në tri teqe gjenden tri kufoma. Pritej që në një tjetër teqe të ishte e katërta. Rreth gjetjes së saj, që do ishte një teqe e ngritur në vendin e triumfit më të madh të jeniçerëve, pushtimit të Kostandinopojës, merr jetë e zhvillohet romani “Pema e Jeniçerëve”, të cilën Shtëpia Botuese Saras e ka hedhur këto ditë në tregun e librit, të përshtatur në shqip nga Fari Laçka. Romani është një trill historik, përmes të cilit i jep lexuesit mundësinë të njohë një prej shkrimtarëve britanikë bashkëkohorë më të pëlqyer, Jason Goodwin. Autori është një historian i njohur anglez që ka shkruar në radhën e librave të tij edhe Historinë e Perandorisë Osmane. “Pema e Jeniçerëve”, në gjininë e prozës letrare fiction, është romani i tij i parë, i botuar në vitin 2006, me të cilin befasoi lexuesin në rreth 40 gjuhë të botës ku u botua dhe për të cilin Amerika i dha çmimin “Edgar Award”, për romanin më të mirë të vitit. Nga linjat, ku ndërthuret romani, veçojmë:

Qytetin. Historia tregohet në qytetin më të madh të botës, Stambollin, qytetin e kuq të Bizantit – Kostandinopojën. Përpara lexuesit zbulohet Stambolli, njëherësh me shpalosjen e gjendjes së Turqisë. Stambolli i fillimshekullit XIX, qyteti i pashoq, i hapet lexuesit mes së kaluarës dhe së ardhmes, mes Azisë dhe Europës. Ndërsa personazhet, ndonëse janë kryesisht të stisur, por të marrë ngjashmërisht me njerëzit e vërtetë të oborrit, vendet e përmendura janë të njëmendët. Autori, i cili i njeh mirë tërë skutat e metropolit, në roman na e sjell qytetin perandorak në gjithë ngjyrat e tij, në lindje e në perëndimin e diellit, “…shkëlqimi i të cilit u jepte majave të çative, minareve, kubeve dhe qiparisit një ngjyrë të praruar”. Ngjarjet në roman na e sjellin Stambollin edhe natën. Përmenden dhe bëhen pjesë e zhvillimeve, Kulla e Zjarrit, Kulla e Gallatës, Kulla e Gjenovezëve, Kalaja e Shtatë Kullave, Kulla e Jeniçerëve, Kulla Bejazit dhe kulla e famshme e Kerkoportës (porta e vogël), përmes së cilës u pushtua më 1453 Kostandinopoja. “…në qoshen ku bashkoheshin muret e mëdha e të vjetra të ndërtuara në kohën e Perandorit Teodosius me mure më të vogla pas Pallatit të Çezarëve, ishte një portë e vogël. Një Zot e di se para sa vitesh e kishin bllokuar atë portë. Ishte shumë e vogël. Mezi kalonin edhe dy vetë, – por misteret e të madhit Zot janë të pafund. E kishin hapur kur kishte filluar rrethimi, për të bërë sulme të shpejta. Një grup sapo ishte kthyer nga një sulm i tillë dhe sado e pabesueshme që të duket, ushtari i fundit harroi të mbyllte portën pas tij. Ishte pikërisht zbulimi i asaj porte të vogël që lëkundej mbi menteshat e saj, ajo çarje e ngushtë në mbi dymbëdhjetë kilometrat e atij muri gjigant dhe murit të brendshëm – ajo mungesë vëmendjeje e çastit në atë histori njëmijëvjeçare, që i dha rrethimit drejtim tjetër. Rreth pesëdhjetë jeniçerë kaluan përmes saj dhe u gjendën midis mureve të dyfishta”. Nga kjo “portë e vogël”, autori e përcjell lexuesin të njihet me portat e tjera të shumta të Stambollit, si Porta Topkapi, Porta Ortakapi, Porta e Zogjve në Harem, Porta Perandorake, Portiku i Xhamisë Blu. Ndërmjet këtyre portave kalojnë njëra pas tjetrës ngjarjet e romanit, të cilat në libër vijnë përmes një përshkrimi të vrullshëm disaditor të ngjarjeve. Ato zhvillohen me rrëmbim dhe brenda një kohe të shkurtër, ku ndodhin vrasje e komplote e në zhvillim e sipër, ravijëzohen e përcaktohen karaktere e fate njerëzish, zbulohen e dalin në shesh fakte të rëndësishme historike dhe procese të fshehta. Personazhet e romanit lëvizin në lagjet Davut, Jedikule, Beshiktash, Ortakoj, të Fanarit, të Pazarit të Madh e të Rrugës së Praruar. Përtej këtyre lagjeve europiane, disa qindra metra më tutje detit Marmara tretet e humbet në bregun aziatik të Bosforit, pamja e Yskudarit, ku përmes grumbujve të reve dhe brymës së hollë, shfaqet e kuqja e tjegullave të banesave të lagjes së përtejme të Stambollit. Më se të mjaftueshme për të të futur në magjinë e këtij qyteti të lashtë.

Eunukun Jashim. Subjekti i romanit afron me zhanrin policor dhe ka tërë tiparet e karakterin investigues. Të gjitha këto, me mjeshtëri janë ndërthurur nga autori brenda një sfondi historik e shoqëror të gjysmës së parë të shekullit XIX. Libri ka në qendër të tij Jashimin, një djalosh i ri, i fortë dhe i pashëm, një eunuk në oborrin e sulltanit, që vepron brenda sarajeve e çdo skute të fshehtë të hapësirave të Topkapisë. Duke qenë njeri i brendshëm dhe i besueshëm i Sulltan Mahmudit II, si për tërë meshkujt që kishin të drejtën e futjes në harem, ai ishte përjashtuar nga ndjenja e kënaqësisë seksuale. Atij i ishte hequr aftësia gjinore e prodhimit dhe i ishin kultivuar vlera të tjera fizike e mendore, të cilat autori i ka tërë kohën në vëmendje për t’i nxjerrë në pah. Te Jashini nuk funksionojnë ngacmimet e joshjet seksuale të ruses Eugjeni, ai nuk e njeh tensionin e libidos, s’ka asnjë ndjesi ndaj aromës femërore, ndonëse gra të bukura i kalonin para syve çdo ditë kur futej në harem, ndonjëherë dhe krejt të zhveshura. Fytyra dhe shpatullat e gjëra të Jashimit, grave të haremit, stambolleshave dhe grave të diplomatëve europianë u ngjallin besim dhe lakmi, por brenda këtij burri nuk ndodhej mashkulli. Asnjë dridhje, asnjë fërgëllimë nuk lëvizte në rrjetin e gjymtuar të nervave seksuale të vdekura. Po pse vallë e ka sjellë të tillë autori? Sepse vetëm i tillë protagonisti do kish mundësinë të futej në vendqëndrimin femëror të sarajeve perandorake, hapësirat e së cilës prej shekujsh mbroheshin e ruheshin nga ligje të rrepta të mendësisë feudale.

Jeniçerët dhe shqiptarët. Ndonëse fiction, subjekti i romanit, ka tërë përmasat e besueshme të një ngjarjeje të vërtetë. Jashimi, ky Robert Langdon në versionin lindor, bashkëbisedon me kryekomandantin e trupave dhe e dëgjon atë duke i thënë se “para dhjetë vjetësh njerëzit nuk e bënin dysh fjalën e sulltanit. Të gjithë ndiheshin të kërcënuar nga jeniçerët. Po sot, ku merret vesh? Ti kujton se stambollinjtë do t’i presin ushtarët e mi me krahë hapur? Për fat të keq duhet të të them edhe diçka tjetër. Ajo që ndodhi dhjetë vjet më parë nuk ishte punë dite. U deshën muaj, madje mund të themi vite për të përgatitur fitoren mbi hordhinë jeniçere”. Bëhet fjalë për ngjarjen historike të 16 qershorit të vitit 1826, që përbën thelbin e trillit të romanit “Pema e Jeniçerëve”. Në këtë datë, shumica e elitës së trupave ushtarake të Oxhakut të Jeniçerëve, me urdhër të sulltan Mahmudit II, u shfaros në sheshin e Et Maidanit. Oxhaku i jeniçerëve në shekujt XVII e XVIII sundohej nga shqiptarët. Shumica e reparteve jeniçere, por në veçanti ajo e Stambollit, e këtyre trupave speciale që kishin tmerruar Europën, ishin me origjinë shqiptare. Pasi kishin luftuar e derdhur gjak për zgjerimin e perandorisë së tre kontinenteve, superfuqisë së kohës, ata ishin bërë tashmë kërcënim për Portën e Lartë dhe po i kallnin datën vetë Perandorisë Osmane. Nga shqiptari jeniçer, Halil Patrona, më 1730-n, merr rrugë historia njëqindvjeçare e përmbysjes së kazanëve, çka nënkuptonte vrasjet, rrëzimin e vendosjen në fron, përpos se prej jeniçerëve shqiptarë, të sulltanëve turq. Kur jeniçerët përmbysnin kazanët e gjellës, do të thoshte se ishin të uritur jo për më shumë ushqim, por për gjak. Nga ideatori shpirtëror i Oxhakut të Jeniçerëve, Haxhi Veli Bektashi, jeniçerët i përkisnin sektit bektashi, me objektet e tyre të kultit, teqetë. Autori në roman intrigon thurjen e një komploti 10 vjet më vonë nga jeniçerët, në bashkëpunim me haremin, kundër sulltanit. Në të vërtetë, jeniçerët e shpëtuar, si shqiptarë që ishin, shumica përfunduan në Shqipëri, ku ruajtën veçoritë islame të tarikatit bektashi, por autori ka zgjedhur në roman si vendqëndrim të tyre edhe Stambollin me teqetë bektashiane të qytetit. Shqiptarët jeniçerë, si protagonistë shfaqen herë pas here, sepse, siç thotë autori, “…ata nuk u zhdukën. Ata ekzistonin tek kujtesa, gjuha dhe besimi. Jetonin si ide”. Jeniçerët, teqetë bektashiane dhe shqiptarët, janë bashkudhëtare të përhershme të situatave të romanit “Pema e Jeniçerëve”, të cilat autori, si shkrimtar që di të shprehë me mjeshtëri kalimin nga një zhvillim në tjetrin, i ndërthur në situata me sulltanin, në harem, në ambasadën ruse dhe me ambasadorin polak, mik e bashkëpunëtor i Jashinit. Goodwin i fut personazhet në procese sa të ndërlikuara aq dhe të këndshme. Ndër ta spikasin të tjerë shqiptarë, si Ali shqiptari, veziri Daut shqiptari dhe Mustafa shqiptari, i cili i thotë Jashimit se “…lufta nuk ka shumë rëndësi për një njeri. Një shqiptar s’e ka fare problem. Pyesni grekët”.

Oborri perandorak dhe haremi. Heroi i romanit, Jashimi, rrëmbehet në vepra të cilat i bën i nxitur më tepër nga intuita, si dhe nga pak detaje të shfaqura në teqetë e krimit dhe harem. Ai, së bashku me kryekomandantin e trupave e të tjerë personazhe të romanit, janë në roje të pushtetit të familjes osmane. Te krerët e perandorisë, që nga sulltani, bie në sy njëfarë tronditje e brendshme, kur vihen në dijeni të një komploti, e gatshme të shpërthejë në histeri. Kjo tronditje ndihet edhe në harem, atmosferën e së cilës autori e jep përmes përshkrimit të jetës private në dhomat femërore e të fizionomisë njerëzore të grave të haremit. Pjesë e haremit dhe pallatit janë dhe eunukët, të cilët, nën drejtimin e Kislar Agës, ishin të vendosur ta kthenin kohën pas, të rikthenin jeniçerët në pushtet, kohën e të cilëve e kujtonin me mallëngjim. “Stambolli pa jeniçerët është i mërzitshëm”, thonë ata. Me jeniçerët, në Stamboll merrnin kuptim vera, gratë dhe këngët. Në gojën e heroit, autori shpreh në kapitullin e fundit të romanit, bindjen se “duhet t’ia nisim nga e para. T’u vëmë fshesën këtyre vjetërsirave, këtyre befshave, sulltanëve, eunukëve dhe pëshpërimave në errësirë. Kemi vuajtur nën një autokraci, që nuk ka fuqi as të bëjë atë që do vetë. Kjo perandori ka nevojë për një qeveri të qëndrueshme. Ajo duhet të udhëhiqet nga njerëz që dinë të drejtojnë”.

Pema dhe simboli i saj. Në sheshin që ndodhej ndërmjet Kishës së Shën Sofias dhe Xhamisë Blu, dikur hipodromi i lashtë i Kostandinopojës, ndodhej rrapi shekullor, pema e famshme ku jeniçerët varnin viktimat e tyre. Rrapi që shpalosej madhështor, ishte qendra e botës jeniçere; aty freskoheshin në hijen e degëve; aty komplotohej e zbrazeshin mëritë, në degët e saj përkundeshin kufomat e varura të vezirëve, ministrave e zyrtarëve të oborrit. Pema ishte simboli i jeniçerëve. Pikërisht, në trungun e saj, Jashimi gjeti një letër me vargje, kuptimin e misterin e të cilave orvatet gjatë gjithë romanit të zbërthejë: Pa e ditur/ dhe duke mos e ditur se nuk dinë gjë/ata përhapen/largohu; Pa e ditur dhe duke mos e ditur se nuk dinë gjë/ata kërkojnë/mësoji.

Goodwin shënon në roman mjaft të dhëna me karakter historik e gjeografik. Për këtë, ai është ndihmuar nga njohja e drejtpërdrejtë me Stambollin dhe e historisë së botës islame. Vetë romani, “Pema e Jeniçerëve”, dëshmon për mbresat e thella që ka lënë qyteti mbi shpirtin e tij, i cili e frymëzoi për këtë krijim-trillim të këndshëm dhe që e nxiti, pas suksesit të “Pema e Jeniçerëve”, të vazhdojë serinë e rrëfimeve me Jashimin protagonist në dy vepra të tjera, “Guri i Gjarprit” dhe “Karta Belini”

Autor te 26 Tetor 2013. Kulturë. You can follow any responses to this entry through the RSS 2.0. You can leave a response or trackback to this entry