Kastraveci shqiptar me helme, Bujqësia: Po bëjmë verifikime

Laboratori i Malit të Zi ndaloi importin pas analizave, pasi ka nivel të lartë pesticidesh

Të dhëna

Rasti - Sipas Ministrisë së Bujqësisë ky është rast i kufizuar i Shqipërisë, dhe në sasi të vogël por inspektimet dhe kontrollet në treg vazhdojnë

Produkti - Autoriteti Kombëtar i Ushqimit është duke bërë analizat e nevojshme qoftë nga sasia e produktit me destinacion eksportin, qoftë produktin e tregut

Pesticidi - Prania e fungicidit spiroxamine e gjetur në kastravecin shqiptar ishte mbi nivelin e lejuar sipas laboratorit të huaj, kjo në bazë të normativës së BE-së

kastravecNjë sasi kastravecësh prodhuar në Shqipëri janë ndaluar nga autoritetet e Malit të Zi për shkak të mbidozës së pesticideve, helmeve gjetur në këtë produkt. Sasia e helmit, gjetur në kastravecët shqiptarë është mbi normat e lejuara të Bashkimit Europian. Për këtë shkak, Mali i Zi ka pezulluar importin e produkteve të eksportit shqiptar. Vendimi nga autoritetet e Malit të Zi është marrë pas përgjigjes së rezultatit të analizave nga laboratori i posaçëm. Specialistët kanë dalë në përfundim se kastraveci i importuar së fundmi nga Shqipëria, përmban spiroxamine, mbi normativë.

Sipas mediave të huaja, Mali i Zi ka ndaluar importin e prodhimeve bujqësore shqiptare, jo vetëm të kastravecit.

Shkak për këtë është bërë sasia e madhe e pesticideve me të cilat janë gjetur disa nga produktet bujqësore të cilat janë prodhuar në vendin tonë. Sipas Ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural të Malit të Zi, është bërë bllokimi i një sasie të konsiderueshme të kastravecit, që është importuar nga Shqipëria. Ministria e Bujqësisë e Malit të Zi e ka nxjerrë këtë vendim pas analizave të bëra nga laboratorët e specializuar të kësaj ministrie, të cilët kanë konstatuar nivel të lartë të pesticideve në produktet bujqësore. Ky vendim erdhi pasi në Mal të Zi është vënë në zbatim programi i monitorimit të ndotësve dhe pesticideve në ushqimin bimor dhe shtazor për vitin 2013.

Sipas laboratorit të analizave, përfundimet tregojnë se në një kilogram kastravec është gjetur një substancë aktive e quajtur spiroxamine, me një sasi prej 0,094 mg për kg që e kalon normën e përcaktuar nga legjislacioni i BE-së.

Në vijim të lajmit të publikuar, lidhur me ndalimin e ngarkesave me kastravec të eksportit në pikën kufitare të Hanit të Hotit, (Mali i Zi), me argumentin se niveli i preparatit spiroxamine është më i lartë se ai i lejuar, Ministria e Bujqësisë shqiptare bëri verifikimet e nevojshme.

“Nga komunikimet tona zyrtare me Malin e Zi, autoritetet malazeze u shprehën se nuk ka vend për panik dhe sensacion, pasi rasti i konstatuar me kastravecët shqiptarë është në nivele më të ulëta të spiroxamine sesa tek i njëjti produkt i ardhur nga vendet e tjera. Ky është një rast i kufizuar për Shqipërinë (dhe i pari) dhe në sasi të vogël, – na konfirmojnë autoritetet malazeze”, sqaron zyrtarisht Ministria e Bujqësisë.

Sipas njoftimit zyrtar, ministria ka nisur një grup inspektimi nga Autoriteti Kombëtar i Ushqimit për të marrë mostra të këtij produkti dhe për të bërë analizat e nevojshme pranë Institutit të Sigurisë Ushqimore dhe Veterinarisë. Njëkohësisht grupi i inspektorëve do të verifikojë në të gjitha farmacitë bujqësore praninë ose jo të fungicidit spiroxamine dhe mënyrën e përdorimit të tij.

“I gjithë produkti i kastravecëve dhe perimeve të freskëta në tregun vendas do t’i nënshtrohet analizave të imtësishme për praninë e këtij fungicidi”, sqaroi zyrtarisht Bujqësia.

Autor te 31 Tetor 2013. Kryesoret, Sociale. You can follow any responses to this entry through the RSS 2.0. You can leave a response or trackback to this entry