Sokol Bizhga dhe Theodhori Sollaku, dy kandidatët për drejtues të byrosë

Bizhga, oficer karriere, Sollaku ish-kryeprokuror

 Sokol Çobo

policeNjë oficer karriere dhe një ish-kryeprokuror janë në garë për drejtues të Byrosë Kombëtare të Hetimit. Burime nga Ministria e Brendshme pohojnë se Sokol Bizhga, aktualisht nëndrejtor i Policisë së Shtetit për hetimin e krimeve, është kandidati kryesor për këtë post. Kandidati tjetër është një emër i njohur i drejtësisë. Ai është Theodhori Sollaku, ish-prokuror i Përgjithshëm, dhe i shkarkuar nga mazhoranca e kaluar.

Bizhga

Nëndrejtori aktual i Policisë së Shtetit, mund të jetë drejtuesi i Byrosë Kombëtare të Hetimit. Sokol Bizhga aktualisht është nëndrejtor i hetimit të krimit, dhe duke qenë se në momentin e miratimit të BKH, pozicioni i Bizhgës suprimohet, atëherë ai mund të drejtojë këtë strukturë të re, që pritet të miratohet me vendim të Këshillit të Ministrave. Ky kandidat e njeh mjaft mirë hetimin e krimeve, pasi në karrierën e tij në polici ka drejtuar një sërë komisariatesh, apo drejtorish, dhe të gjitha për hetimin e krimeve. Madje, Bizhga ka qenë edhe dëshmitar i masakrës së Qafë-Gjashtës, ku mbeti i vrarë edhe një punonjës policie. Ai ka dëshmuar në Prokurorinë dhe Gjykatën e Krimeve të Rënda, duke dhënë një ndihmesë për zbardhjen e kësaj ngjarjeje. Pas vitit 1997, Bizhga ka punuar në një sërë sektorësh, komisariatesh dhe drejtori të Policisë në qarqe, ku ka dhënë ndihmë të madhe për hetimin e ngjarjeve të rënda kriminale. Por, karriera e tij duket se u “ndërpre” për tetë vite me radhë, pasi në këtë kohë ka qenë specialist krimesh në Berat, dhe së fundmi në Policinë e Shtetit, sërish në hetimin e krimeve. Pas ardhjes të drejtuesve të rinj politikë në Ministrinë e Brendshme, Bizhga u “gradua”, duke u vendosur nëndrejtor i Policisë së Shtetit.

Sollaku

Ndërkohë, kandidati tjetër, është pikërisht Theodhori Sollaku, një emër i njohur për drejtësinë. Ish-prokurori i Përgjithshëm mund të sjellë një menaxhim të mirë të kësaj strukture, duke qenë se i njeh mjaft mirë teknikat e hetimit. Madje, mund të menaxhojë mirë edhe sulme të mundshme politike. Por, nga ana tjetër, emri i Sollakut mund të kundërshtohet nga opozita, pasi mund të cilësohet politik. Ka qenë mazhoranca e kaluar ajo që e hoqi nga drejtimi i Prokurorisë së Përgjithshme.

Me krijimin e Byrosë, pozicioni i Bizhgës si nëndrejtor i Policisë së Shtetit suprimohet

Rama

edi-rama“Me themelimin dhe fuqizimin e Byrosë Kombëtare të Hetimit, një strukturë e re që së shpejti do të vihet në jetë, do të kemi një standard tjetër në hetimin e veprave penale, duke forcuar gjithë zinxhirin institucional dhe duke pasur një hallkë të munguar për të koordinuar organet e rendit me organet e drejtësisë”

Tahiri

“Qytetarët kanë frikë të jetojnë për sigurinë dhe shëndetësinë, kanë ankthin për të bërë biznes. Krimi është i lirë, në të kundërt, nga shteti. Ja pse jemi angazhuar të kthejmë shtetin në vendin e vet dhe do themelojmë Byronë Kombëtare të Hetimit, do t’i japim tjetër ritëm krimit të organizuar”

Programi i PS

Në Byro do të funksionojnë të ndara zyra e ekspertëve të antidrogës dhe drejtimi i luftës kundër trafiqeve të qenieve njerëzore; do jetë zyra e ekspertizës së armëve, eksplozivëve, si dhe sektori i antiterrorit. Do të jetë dhe zyra e drejtimit të luftës kundër pastrimit të parave dhe korrupsionit

 

Deklarata

Naço: Byroja do të hetojë zyrtarët e lartë të administratës

Ministri i Drejtësisë, Nasip Naço, tha dje se Byroja Kombëtare e Hetimit do të jetë një strukturë që do hetojë zyrtarët e lartë të shtetit, por gjithashtu do drejtojë dhe kontrollojë zyrtarët e mesëm dhe të ulët. “Byroja Kombëtare e Hetimit do ngrihet si një nukël përgjegjës për të hetuar zyrtarët e lartë të administratës shtetërore, por sigurisht do drejtojë dhe kontrollojë për pjesën e zyrtarëve të mesëm dhe të ulët. Pra do jetë një strukturë që krahas detyrave të tjera që bën për të hetuar, do hetojë si një nukël në rastet e korrupsionit, për të cilët besoj se dhe ndërkombëtarët presin më shumë nga kjo mazhorancë”, deklaroi ministri Naço. Ai foli edhe për paketën e re për ndryshimet në sistemin e drejtësisë, duke nënvizuar se ndryshimi i kompetencës, pra hetimi i rasteve të korrupsionit që do të bëhet nga prokuroria dhe Gjykata e Krimeve të Rënda, do të japë efektet e duhura. “Pra i japim këtij institucioni mundësinë që të reagojë dhe të luftojë realisht korrupsionin”, theksoi ministri.

Naço ka folur edhe për gjykatat administrative, të cilat fillojnë punën nesër. “Ministria e Drejtësisë ka marrë të gjitha masat. Janë gjetur ambientet e përshtatshme, janë emëruar personat, kancelarët dhe pjesa e infrastrukturës së nevojshme. Emërimet e gjyqtarëve janë bërë. Ka disa vende vakante në Gjirokastër, Vlorë dhe në Korçë dhe unë jo pa qëllim i kërkova KLD-së të plotësohen këto vende vakante dhe të shikohen me prioritet në mbledhjen e ardhshme, por nuk ka asnjë pengesë që gjykata mos të fillojë punë në datën 4. Unë jam i bindur që gjykata do të fillojë që të funksionojnë që në datën 4”, përfundoi ministri.

Ministri

BKH do të hetojë zyrtarët e lartë të administratës shtetërore, por sigurisht do drejtojë dhe kontrollojë për pjesën e zyrtarëve të mesëm dhe të ulët

 

 

Autor te 3 Nëntor 2013. Aktualitet, Kryesoret. You can follow any responses to this entry through the RSS 2.0. You can leave a response or trackback to this entry
  • tersi i pojanit

    PSE NUK U PROVUAN NJEHERE KETA PERSONA?.C’MUND TE PRESESH PREJ TYRE.?
    NJERI FANATIK I NENES PARTI QE ZOT NA RUAJ SE C’MUND TE BEJE NEN URDHERAT E POLITIKES! TJETRI NUK BESOJ SE E NXJER QIMEN NGA QULLI. SI PERFUNDIM?! ??!!NGA BYRO KOMBETARE TE HETIMIT TA KETHEJNE NE BYRO POLITIKE TE HETIMIT.DHE NE E DIME SE CDO TE THOTE KJO!

    • kac

      perse nuk ka fytyra te reja ne shqiperi ? … pse mutin zgjidhen ca kriminele ne krye te hetimit te krimineleve te tjere? …