Kulturë Përcillet për në banesën e fundit piktori dhe skenografi Agim Zajmi

Përcillet për në banesën e fundit piktori dhe skenografi Agim Zajmi

265
SHPËRNDAJE

Agim ZajmiAgim Zajmi, piktori dhe skenografi i njohur është përcjellë dje për në banesën e fundit. Në nder të tij, në Universitetin e Arteve, u mbajtën homazhe nga familjarë e kolegë. Zajmi, i cili është konsideruar si “mjeshtri i skenografisë”, u nda nga jeta ditën e diel në moshën 77-vjeçare pas një sëmundjeje të rëndë. Emrin e tij e mbajnë skenografitë e pjesëve të njohura të teatrit shqiptar. Ai studioi Pikturë dhe Skenografi në San Petersburg, Rusi, ku u diplomua më 1961-shin. Pas diplomimit fillon punën si skenograf në Teatrin e Operës dhe Baletit, por më vonë punon kryesisht në Teatrin Kombëtar të Tiranës. Herë pas here realizon skenografi në teatrot e Kosovës dhe Shkupit. Duke filluar nga viti 1978 ishte profesor në Akademinë e Arteve të Tiranës. Ka ekspozuar veprat e tij në pikturë në Francë, Itali, Angli, Greqi, Turqi, Austri, Egjipt etj. Një pjesë e këtyre veprave ruhen në koleksionin e Galerisë Kombëtare të Arteve në Tiranë, si dhe koleksione private në vende të ndryshme të botës. Aktualisht disa nga veprat e tij janë të ekspozuara në sallën e pritjes (për delegacionet e huaja) në Kryeministrinë e Shqipërisë. Si skenograf ka marrë pjesë në shumë festivale ndërkombëtare të teatrit. Është fitues i shumë çmimeve kombëtare në pikturë dhe skenografi. Në vitin 1975, iu dha titulli “Artist i Merituar” dhe më 1991-shin u nderua me titullin “Piktor i popullit”, ndërsa më 1995-n iu dha titulli “Profesor”. Zajmi ka qenë profesor në Akademinë e Arteve. Ishte president i Shoqatës Mbarëkombëtare të Artistëve Figurativë me qendër në Tiranë.