Fier
Për rreth tetë vite, qindra militantë të PD-së i kanë marrë rrogat, pa u paraqitur në punë
Edmond Hoxhaj
Ndërsa për vite me radhë kanë përfituar pagesën mujore duke mos u paraqitur asnjë ditë në punë, por duke shkuar një herë në disa muaj për të tërhequr paratë nga bankomati, tashmë kanë nisur të kërkojnë të gjejnë vendet e punës së tyre. Bëhet falë për të ashtuquajturit punonjësit e “bankomatit”, numri i të cilëve erdhi gjithmonë e duke u rritur gjatë tetë viteve të fundit. Në mjaft institucione, kompani e ndërmarrje shtetërore të Qarkut të Fierit kanë qenë me qindra punonjës bankomatësh, të cilët nuk e dinin se ku e kishin vendin e punës, ndonëse paguheshin rregullisht dhe merrnin edhe shpërblimet e fundvitit. Por pas ardhjes në pushtet të socialistëve dhe shkarkimit të mjaft drejtuesve të institucioneve rajonale e ndërmarrjeve të ndryshme, të cilët do të qëndrojnë në detyrë deri në emërimin e titullarëve të rinj, punonjësit e “bankomatit” kanë nisur të kërkojnë të “mbrojnë” vendin e punës. Burime të sigurta pranë disa drejtorive rajonale dhe ndërmarrjes Albpetrol kanë bërë me dije për gazetën Shqip se gjatë javëve të fundit kanë nisur të shfaqen persona të panjohur të cilët kërkojnë të shkojnë pranë vendeve të tyre të punës, edhe pse nuk e dinë se ku duhet të shërbejnë. Kjo, pasi ata nuk janë paraqitur asnjë ditë në punë gjatë këtyre viteve dhe punonjësit e tjerë janë habitur kur kanë parë persona të panjohur të cilët duhej të kishin qenë kolegët e tyre prej kohësh. Por tentativat e punonjësve të “bankomatit” për të gjetur vendet e tyre të punës, për të cilat janë paguar, por nuk kanë shërbyer kurrë, kanë sjellë situata komike tek punonjësit e tjerë, të cilët kanë qenë ata që kanë mbajtur barrën gjatë kësaj kohe. Kjo, pasi ata jo vetëm që nuk kanë qenë të specializuar për të kryer detyrën për të cilën paguheshin, por nuk dinin as sektorët ku të shkonin të punonin. Burimet theksojnë se këta persona kanë kërkuar me ngulm që të shkojnë në vendet e tyre të punës, por për shkak se ato kanë qenë të zëna, në mjaft raste kanë mbetur duarbosh. Një tjetër arsye pse këta persona kanë nisur të kërkojnë vendet e tyre të punës, është edhe justifikimi i ish-eprorëve të cilët i kanë toleruar në kundërshtim me ligjin dhe duke i shkaktuar dëm buxhetit të shtetit.
Punonjësit e “bankomatëve” janë denoncuar shpeshherë nga media, si ajo pjesë e militantëve të Partisë Demokratike të cilët paguheshin duke mos u paraqitur në punë. Madje në një rast ka pasur denoncim në Prokurorinë e Fierit për dhjetëra punonjës “bankomati”, të cilët paguheshin nga kompania e vetme shtetërore naftënxjerrëse Albpetrol, edhe pse nuk kishin shkuar asnjë ditë në punë. Para tre viteve, Prokuroria e Fierit nisi procedim penal për këtë rast, por u pushua për mungesë provash. Bëhej fjalë për dhjetëra persona të cilët paguheshin nga kompania shtetërore Albpetrol, në një kohë kur ata nuk jetonin fare në Shqipëri, por vinin vetëm në fund të vitit për të tërhequr paratë nga bankomati. Nga burime të prokurorisë, atëherë është bërë me dije se dosja u pezullua për shkak se verifikimi i sistemit TIMS nuk mund të siguronte prova të mjaftueshme për këto abuzime me paratë. Edhe pse u konstatuan raste kur individë të caktuar kishin udhëtuar jashtë shtetit dhe kishin qëndruar atje për disa muaj, ndërkohë që paguheshin nga Albpetrol, ata nuk u penalizuan kurrë dhe vazhduan të trajtohen ekonomikisht vetëm për shkak të bindjeve të tyre politike. Nga burimet e sipërcituara mësohet se punonjësit në fjalë të “bankomateve” janë kryesisht militantë të Partisë Demokratike. Një numër i madh i tyre kanë përfituar paga për të gjithë pjesëtarët e familjes për shtatë vite me radhë nga taksapaguesit shqiptarë edhe pse nuk i kanë shërbyer asnjë ditë shtetit. Gjithashtu, ka pasur edhe nga ata që kanë përfituar paga nga disa institucione të ndryshme shtetërore në të njëjtën kohë. Burimet sqarojnë se gati gjithë kjo kategori punonjësish nuk ka qenë e specializuar për detyrën nga e cila përfitonte paratë çdo muaj pa asnjë lodhje.
Ndërkohë pritet që gjithë këto abuzime të kalohen në sitë prej drejtuesve të rinj të institucioneve shtetërore dhe të denoncohen pranë organit të akuzës. Fenomeni i punonjësve të “bankomatit” është denoncuar publikisht gjatë viteve të fundit si prej politikës ashtu edhe në media të ndryshme.