Për periudhën janar-shtator, sistemi mbyll llogaritë me 1.3 miliardë lekë humbje
Gjergj Erebara
Sistemi bankar shqiptar mbylli tremujorin e parë me humbje në më shumë se një dekadë në periudhën korrik-shtator të këtij viti, si pasojë e procesit të pastrimit të bilanceve nga kreditë e këqija dhe mbulimit të humbjeve nga këto kredi me kapital themeltar. Statistikat e publikuara nga Banka e Shqipërisë tregojnë se kthimi nga kapitali i vet për sistemin bankar qe minus 1,7 për qind në fund të shtatorit, gjë që tregon për humbje modeste prej rreth 9 milionë eurosh. Në të njëjtën periudhë, kreditë e humbura u rritën nga 9.2 për qind të totalit të portofolit në qershor, në 11.2 për qind në fund të shtatorit.
Pastrim bilancesh
Gjatë muajve të verës, bankat shqiptare kanë hequr nga bilancet e veta një pjesë të kredive, duke i kaluar ato nga kategoria “të dyshimta” te kategoria “të humbura”. Kjo gjë ka bërë që fitimet operative të periudhës të përdoren për mbulimin e humbjeve nga këto kredi të këqija. Banka e Shqipërisë lavdëroi procesin e pastrimit të bilanceve nga bankat në fjalimin e Guvernatorit Ardian Fullani javën e kaluar. “Ky është një proces i shëndoshë që në fund do të sjellë çlirimin e kapaciteteve kredituese të bankave”, tha Fullani.
Hera e fundit kur sistemi bankar shqiptar ka qenë me humbje është viti i largët 1998, kur u pastruan bilancet nga kreditë e këqija të dhëna në vitet ‘92-‘97 nga bankat që në atë kohë qenë shtetërore. Njëra prej këtyre bankave, Banka Tregtare Agrare, u shpall e falimentuar në fillim të vitit 1998. Pas kësaj kohe, bankat kanë pasur fitime të bollshme. Deri në vitin 2009, bankat patën norma fitimi mbi 20 për qind të kapitalit themeltar, e barasvlefshme kjo me afro 90 milionë dollarë në vit. Gjërat filluan të përkeqësohen pas vitit 2009, kur normat e fitimit ranë në nivele të ulëta. Për vitin 2011, normat e fitimit qenë 0.8 për qind ndërsa më 2012 ishin 3.8 për qind të kapitalit themeltar. Kreditë e këqija kanë qenë shkaku kryesor i këtyre humbjeve.
Të ardhurat në rënie
Përveç kredive në rritje, bankat kanë parë edhe rënie të të ardhurave të veta nga interesat, kryesisht si pasojë e uljes drastike të interesave të bonove të thesarit. Bankat kanë reaguar ndaj kësaj përmes uljes së normave të interesave për depozitat, por ky reagim sjell efekt me vonesë për shkak të kontratave ekzistuese për depozita me afat. Për periudhën nëntëmujore të këtij viti, të ardhurat nga interesat kanë rënë me 22 për qind ndërsa shpenzimet për interesa kanë rënë me 19 për qind. Të ardhurat neto nga interesat kanë rënë me 17 për qind. Bankat kanë reduktuar edhe shpenzimet e veprimtarisë së vet, pra shpenzimet operative, por jo mjaftueshëm shpejt.
Boks poshte grafikut
Hera e fundit kur sistemi bankar shqiptar ka qenë me humbje është viti i largët 1998, kur u pastruan bilancet nga kreditë e këqija.
Deri në vitin 2009, bankat patën norma fitimi mbi 20 për qind të kapitalit themeltar, e barazvlefshme kjo me afro 90 milionë dollarë në vit. Gjërat filluan të përkeqësohen pas vitit 2009, kur normat e fitimit ranë në nivele të ulëta. Për vitin 2011 normat e fitimit qenë 0.8 për qind, ndërsa më 2012 ishin 3.8 për qind të kapitalit themeltar. Kreditë e këqija kanë qenë shkaku kryesor i këtyre humbjeve