Politikat e bankave mëmë, ulet kreditimi dhe blerja e letrave me vlerë


banka e shqiperiseIkin nga Shqipëria 230 milionë euro. Banka e Shqipërisë ka raportuar të dhëna mbi vendosjen e parave të lira nga bankat që operojnë në vend ku vërehet se gjatë tremujorit të tretë të këtij viti këto institucione financiare kanë transferuar rreth 32 miliardë lekë jashtë vendit. Në të njëjtën kohë kredia për ekonominë ra me 84 milionë euro, ndërkohë që bankat nuk po blejnë më as letra me vlerë. Po sipas raportit të BSH-së, totali i aktiveve të sistemit bankar u rrit me 2.6%, apo rreth 31 miliardë lekë në tremujorin e tretë në raport me tremujorin e mëparshëm. Sistemi ka përshpejtuar rritjen, e cila ishte më e larta që nga tremujori i katërt 2012. Me bazë vjetore, aktivet u shtuan me gati 4%. Por ky zgjerim është reflektuar në vendosjen e tyre në bankat e huaja. Theksohet se zëri “Depozita në banka, institucione krediti dhe institucione të tjera financiare” ka shënuar një rritje të ndjeshme me 34%, apo 32 miliardë lekë (230 milionë euro) vetëm në tremujorin e tretë në raport me atë të mëparshmin, pas një periudhe prej tremujorësh radhazi, kur ky tregues kishte shënuar vetëm rënie dhe bankat ishin orientuar disi te bonot e thesarit të qeverisë shqiptare. Por fenomeni i largimit të parave në bankat e huaja, ndonëse nisi në vitin 2011 u ndje më së shumti gjatë vitit të shkuar, kohë kur banka “Raiffeisen” në ndjekje të strategjisë së bankës mëmë reduktoi ekspozimin në tregun shqiptar, përmes tkurrjes së kredisë dhe rënies së pjesëmarrjes në blerjen e letrave me vlerë të qeverisë.


Në fund të tremujorit të tretë, pesha e zërit “Depozita në banka, institucione krediti dhe institucione të tjera financiare”, arriti në 10.4%, nga rreth 5% në tremujorin e parë të 2011-s. Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Ardian Fullani, e intensifikoi së fundmi tonin ndaj bankave perëndimore lidhur me politikën që po ndjekin me degët e tyre. Guvernatori Fullani i mëshoi shumë rëndësisë, kujtojmë këtu fjalën e tij, gjatë takimit vjetor të Bankës Botërore dhe FMN-së në Uashington, në tetor të 2013-s në vijimësi të financimit të ekonomive të Europës Lindore nga sistemi bankar dhe tregjet financiare ndërkombëtare. Ai shprehu shqetësimin e tij për politikat e grupeve bankare ndërkombëtare, të cilat kanë ulur gatishmërinë e investimit në ekonomitë e rajonit, duke theksuar se bashkëpunimi më i ngushtë midis politikëbërësve dhe rregullatorëve europianë e lokalë do të prodhonte zgjidhje më të mira për të gjitha palët e interesuara. Kjo politikë e bankave në Shqipëri është reflektuar menjëherë dhe te zëri i “veprimeve të letrave me vlerë”, zë i cili mbeti në vlerën rreth 288 miliardë lekë, ndryshe nga dy tremujorët e mëparshëm të vitit. Në rënie me rreth 2 miliardë lekë, ka qenë dhe zëri i “Bonove të thesarit”. Kreditimi i sektorit privat dhe individëve po ashtu ka zënë një peshë mjaft të vogël gjatë këtij viti, duke pësuar rënie të vazhdueshme e cila justifikohet dhe me rritjen e kredive të këqija. Fshirja e bilanceve të bankave në vend, rezultoi dhe me humbje për këtë sektor gjatë tremujorit të vitit 2013, fenomen i cili nuk ishte regjistruar që prej vitit 1998. B.S