Punonjësit e Kryqit të Kuq merrnin nga 20-50 euro për certifikatë

Dosja

Prokuroria zbardh skemën: Një qytetar u ankua se i kërkonin të paguante ryshfet

Korrupsioni-Zbardhet skema e falsifikimit të dëshmive të Kryqit të Kuq nga punonjësit e këtij institucioni, të cilët i lëshonin ato kundrejt shumave të ndryshme të parave, ndonëse të interesuarit nuk ishin të pranishëm. Për marrjen e dëshmisë së drejtimit të mjeteve, pjesëmarrja në kurse që zhvillohen për një afat kohor pranë këtij institucioni është një detyrim ligjor. Burimet nga prokuroria bëjnë me dije se mekanizmi i korrupsionit ishte mjaft i thjeshtë. Ka mjaftuar një denoncim në polici, nga një qytetar që të vihen në pranga Xharije Hoxha, Petrit Xhaja dhe Maliq Myrto, të cilët dyshohet se kanë kryer veprën penale të “falsifikimit të dokumenteve” nga personat që kanë për detyrë të lëshojnë dokumentin, në bashkëpunim me njëri-tjetrin dhe 25-vjeçarin, Alfred Hoxha. Qytetari me inicialet J.H, ka rezultuar se disa ditë përpara kallëzimit është paraqitur pranë degës së Kryqit të Kuq, Kamzë, për t’u interesuar në lidhje me procedurat dhe dokumentacionin e duhur për marrjen e dëshmisë së aftësisë, për drejtim të automjetit, ndër to edhe dëshminë e Kryqit te Kuq për dy të afërm të tij që nuk ndodheshin në Shqipëri. Kur është paraqitur te Zyrat e Kryqit të Kuq, në Kamzë, është takuar me Alfred Hoxhën, i cili është edhe ndërmjetësuesi për aferën kurruptive. Hoxha i ka thënë se personat që duhet të marrin dëshminë, duhet të jenë prezent për të ndjekur kursin, por kjo mund të bëhet edhe kundrejt shumës së parave, prej 50 euro, përveç faturës shtetërore. J.H është larguar për t’i thënë se do të kthehej nëse të afërmit binin dakord. Kallëzuesi ka qenë në dijeni të fenomenit, pasi në kohën kur ka zhvilluar kursin për marrjen e dëshmisë, Alfred Hoxha, i ka kërkuar që fillimisht të paguante vlerën prej 2.100 lekësh në bankë për llogari të Kryqit të Kuq dhe njëkohësisht i ka thënë se në rast se dëshironte që ta merrte këtë dëshmi, pa marrë pjesë në kurs, ai mund ta siguronte kundrejt një pagese prej 2.500 lekësh. J.H nuk ka pranuar dhe ka ndjekur kursin e plotë. Nga materiali kallëzues, referues, ka rezultuar që J.H ka shprehur gatishmërinë të kryerje veprime të blerjes të simuluar të dokumenteve dëshmi të Kryqit të Kuq apo dhe të simulojë një akt korruptiv me personin me emrin Alfed Hoxha, apo edhe personave të tjerë që kryejnë veprimtari të kundërligjshme objekt të hetimit. Më 22 tetor 2013, J.H, i ka dorëzuar Hoxhës dokumentet vetëm për njërin nga personat që kishte folur, pasi për personin e dytë nuk kishte kartën e identitetit. Hoxha ka rënë dakord duke i marrë kartën e identitetit dhe më konkretisht shtetases me inicialet A.H, fotografinë e personit, mandatin e pagesës, ndërsa për grupin e gjakut e ka shënuar pa marrë të dhëna të sakta. Për shërbimin ai ka marrë 25 euro. Më pas kallëzuesi është rikthyer për personin e dytë me inicialet S.M, për t’i dorëzuar vetëm certifikatën e lindjes. Në kushte të tilla, edhe ky i fundit ka marrë dëshminë. Duke pasur parasysh veprimet hetimore rezulton se Hoxha dyshohet të ketë kryer veprat penale të “ushtrimit të ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”, si dhe të “falsifikimit të dokumenteve” nga personat që kanë për detyrë të lëshojnë dokumentin, në bashkëpunim me Xharije Hoxha, Petrit Xhaja dhe Maliq Myrto, në rolin e shtytësit. S.Muça

 

Autor te 13 Nëntor 2013. Aktualitet. You can follow any responses to this entry through the RSS 2.0. You can leave a response or trackback to this entry